Dr Ismail Lutolli, specialist pediatër, subspecialist dietolog – nutricionist
Bashkautore: Samire Ademi Lutolli – Specialiste Gjinekologji/ Obstetrikë
Agjërimi dhe gjidhënia, fëmija deri në moshën 0 – 1 vjeçare
Agjërimi dhe gjidhënia, fëmija nga 1 deri 2 vjeç
A do të dëmtojë agjërimi fëmijun tim ?
Ndikimi i agjërimit tek nëna gjidhënëse
Ardhja e Muajit Ramazan për shumë familje e në veçanti për nënat, kuptohet si një mundësi e madhe për të qenë afer Zotit të tyre me lutje, agjërim e vepra të mira. Nga kjo ndjenjë lind edhe dilema e shpeshtë se a duhet të agjërojë një nënë, përkundër faktit që fëmija i tyre është në procesin e gjidhënies.
Ne duhet të rikujtojmë se edhe në baza mjekësore por edhe teologjike, shëndeti i nënës dhe fëmijes është në rend të parë.
Pra, një nënë gjidhënëse është e liruar nga obligimi i agjërimit të muajit Ramazan.
Agjërimi dhe gjidhënia deri në moshën 0 – 1 vjeçare
Fëmija deri në muajin e 6 – të i cili është tërësisht në procesin e gjidhënies, merr gjithçka që i duhet përmes gjidhënies. Kusht për të ndodhur kjo është një ushqyerje e drejtë e nënës.
Një nënë gjidhënëse e një fëmije deri në moshën 6 mujore i cili varet tërësisht nga procesi i gjidhënies, nuk do të duhej të përfshihej në procesin e agjërimit, pasi kjo do të mund të ndikonte direkt në procesin e rritjes dhe zhvillimit të fëmijës.
Nga mosha 6 muajshe e deri 1 vjet, përsëri duhet mjaft kujdes se megjithatë gjidhënia luan një rol të rëndësishëm sa i përket marrjes së ushqimit të nevojshëm.
Agjërimi dhe gjidhënia nga 1 deri 2 vjeç
Nga mosha 1 deri në 2 vjeç, kur fëmija juaj merr edhe ushqimet tjera, atëherë një nënë nuk është e obliguar, por mund të aplikojë agjërimin duke pasur parasysh një sërë këshillash gjatë kohës së agjërimit.
Gjatë kësaj kohe, pra nëse fëmija ka mbi 1 vjet, ai shfrytëzon ushqime të ndryshme dhe gjidhënia mund të jetë disa herë në ditë ose në kohën kur të shkojë për të fjetur, andaj gjatë kësaj kohe agjërimi është i mundshëm, por jo krejtësisht i lehtë për t’u realizuar.
Nëse një nënë vendos për të aplikuar agjërimin, atëherë duhet kujdes i veçantë në ushqimin e saj nga koha e iftarit e deri në kohën e syfyrit, në mënyrë që gjatë kësaj kohe t’i marrë nutrientët e nevojshëm dhe ushqimin e shëndetshëm.
A do të dëmtojë agjërimi fëmiun tim?
Në shumë studime që janë bërë tek nënat gjidhënëse, është konstatuar se marrja e drejtë e ushqimit nga koha e iftarit deri në kohen e syfyrit ndikon në atë mënyrë që te shumica nga to të mos vie deri te reduktimi i konsiderueshëm i sasisë apo deri te ndërrimi i cilësisë së qumështit.
Një ndryshim i tillë mund të shihet tek gratë që agjërojnë pa ndërprerë më shumë sesa 24 orë.
Edhe pse nuk është konstatuar ulje e makroelementeve apo ndryshim i tyre, megjithatë kemi ulje të mikroelementeve si: zinku, magnezi, gjithashtu të rëndësishëm për shëndetin e fëmijëve në procesin e gjidhënies.
Nuk kemi ulje të yndyrave, për arsye se organizmi i shfrytëzon yndyrat rezervë gjatë muajit Ramazan kur një nënë agjëron.
Në princip, agjërimi nuk do rrezikonte jetën e fëmijës tuaj, por do sjellte një mundim të theksuar për nënën e cila aplikon këtë proces, e në raste të veçanta do të mund të ndikonte direkt edhe tek fëmija juaj, sidomos nëse është në 6 mujorin e parë të jetës, atëherë kur gjidhënia ngelet mënyra e vetme e ushqimit.
Pas muajit të 6- të nëse ju do të vëreni ndryshime tek foshnja juaj, përsëri nuk do te duhej të jeni e përfshirë në procesin e agjërimit.
Ndryshimet mund të jenë si më poshtë :
• Ulje të numrit të pampersëve që ka nevojë për të ndërruar te fëmija juaj gjatë kohës së agjërimit (i posalinduri duhet të ndërrojë pampersin disa herë gjatë ditës);
• Jashtëqitje ngjyrë të gjelbër, pra kemi ndryshim të ngjyrës së jashtëqitjes ;
• Qarje e vazhdueshmë e fëmijës, mosqetësim dhe fjetje adekuate;
• Mosfitimi i peshës së nevojshme apo në ca raste edhe humbje peshe tek fëmija;
• Ndryshim të gjendjes së përgjithshme dhe relacionit gjumë –zgjim (kemi një foshnje e cila pas fillimit të agjërimit tuaj ndryshon tërësisht ritmin që kishte më parë, duke u bërë më i theksuar ose zgjimi i vazhdueshëm me qarje ose përgjumje shumë më e theksuar; në të dy rastet duhet mjaft kujdes.
Ndikimi i agjërimit tek nëna gjidhënëse
Gjatë procesit të agjërimit të një nëne gjidhënëse, mund te kemi disa probleme apo vështirësi si:
• Mundësi më të mëdha të vie deri te procesi i dehidrimit. Një nënë gjidhënëse si pasojë e kërkesave të fëmijës dhe mos mundësisë së ushqimit gjatë ditës, do të ketë mundësi reale te vie deri te procesi i dehidrimit me të cilin do rrezikonte shëndetin e saj por edhe të fëmijës së saj. Shenjat e dehidrimit do të jenë: etje e shtuar, ndryshimi i ngjyrës dhe erës së urinës, lodhje shumë e shprehur dhe përgjumje edhe kur keni pushuar mjaftueshëm, si dhe kokëdhimbje e theksuar. Nëse i keni këto simptoma dhe jeni agjërueshëm, është e nevojshme që urgjentisht të ndërprisni agjërimin dhe të merrni sasi të nevojshme të lëngjeve.
Do të kemi rënje në peshë. Nëse rënia në peshë është më e madhe sesa 1 kg në javë, kjo është indikacion për ndërprerje të agjërimit, pasi edhe shëndeti juaj e edhe i foshnjes tuaj mund të rrezikohen nga aspekti shëndetsor.
Për fund, po e përkufizojmë :
Të qenurit nënë është një dhunti e veçantë, është një ndjenjë e veçantë. Të qenurit nënë gjidhënësë eshtë hapi më i rëndësishëm për jetën e një fëmije të posalindur. Nëse jeni një nënë e tillë, nuk keni nevojë të rrezikoni procesin e gjidhënies duke aplikuar agjërimin, sidomos nëna nga 0 deri në 1 vjeç.
Nëse Zoti juaj ju liroi nga një obligim i tillë, nuk është e nevojshme të ngarkoni vetveten më shumë sesa mund të përballoni. Shfrytëzimi i lehtësirave kur ka mundësi të bëhet diçka e tillë, është nga parimet bazë në fushën e mjekësisë e teologjisë.
Muaji i Ramazanit mund të shfrytëzohet mjaft mirë nga një nënë gjidhënëse në ritualet tjera përpos agjërimit. /www.familjadheshendeti.com