Argjentina Hadri – Psikologe
Adoleshenca pa dyshim që është faza më e rëndësishme tek individi. Është një fazë kalimtare e zhvillimit psikologjik dhe fizik, që nis rreth moshës 12 vjeç. Kjo fazë shoqërohet dhe me ndryshime biologjike në trup, si: ndryshime në organet seksuale, shtimi në peshë, ndryshimi i zërit etj.
Disa nga vështirësitë e kësaj faze:
– Ndryshimi emocional
– Ndjenjat kontradiktore
– Faza rebele
– Adoleshenca dhe seksualiteti
Ndryshimi emocional
Adoleshenca shoqërohet me luhatje emocionale. Në shumë raste mund të shohim se si reagojnë adoleshentët gjatë bisedave në familje apo në rrethin shoqëror. Gjatë këtyre bisedave mund të lindin edhe konflikte.
Ndjenjat kontradiktore
“Unë nuk jam më fëmijë!” Është kjo shprehja që mund të dëgjojmë më shpesh tek adoleshentët, të cilët në këtë fazë ndodhen në mes të një krize identiteti. Ndodh shpesh që preokupimet apo interesat e tyre nuk përkojnë me moshën që ata kanë. Ata shpesh ndodh të shfaqin interes për problemet sociale ose politike, ngjarjet e ndryshme qe ndodhin në botë, për veprimtari teknike etj.
Faza rebele
Agresiviteti në fazën e adoleshencës nuk është gjë tjetër veçse kërkesa për të pasur sa më shumë liri. Në shumicën e rasteve nuk kanë dëshirë që dikush t’i monitorojë, sidomos pjesëtarë të familjes, ku priren të veprojnë në kundërshtim me atë çka pohojnë prindërit. Gjatë bisedave familjare fillojnë të ngrenë tonin e zërit, edhe për të marrë vëmendjen nga personat që i rrethojnë.
Adoleshenca dhe seksualiteti
Pas periudhës së latencës fëmija hyn në pubertet, një fazë shumë intensive, ku trupi dhe mendja pësojnë disa transformime themelore, të cilat i japin formë të rriturit. Tek vajzat forma e parë e pjekurisë seksuale, e cila lejon zhvillimin e vezoreve rreth moshës 11-12 vieç, është menarka (menstruacionet e para), estrogjenet dhe androgjenët (hormonet seksuale) lejojnë zhvillimin e karakteristikave seksuale dytësore, si rritja e gjoksit, përhapja e pushit dhe sekrecionet vaginale.
Tek djemtë androgjenet lejojnë rritjen e gjatësisë dhe masës muskulore, uljen e timbrit të zërit, rritjen e penisit dhe testikujve.
Në këtë fazë ndërtimi i identitet të adoleshentit është rrënjësisht i lidhur me identitetin seksual, është vendimtare ndjesia e ndjerit mashkull apo femër, dhe kjo ndjesi është në varësi të raportit me seksin e kundërt./