Nga Brikena Krasniqi Hoti, Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapeute
Preokupimi për shëndetin është një arenë unike e përbashkët për të gjithë njerëzit, dhe e cila lehtësisht mund të provokojë ankth dhe brengosje të tepruar. Shqetësimi për infektimin me COVID-19 është racional dhe në përputhje me rrethanat në të cilat ndodhemi. Është plotësisht e arsyeshme të jesh disi në ankth, sepse ne nuk jemi të sigurt se çfarë situate mund të krijohet nëse konfirmohen raste pozitive ne vendin tonë. Sidoqoftë, ekziston një dallim midis ndjenjës së shqetësimit, brengosjes apo reagimit stresues normal dhe të arsyeshëm për një gjë të frikshme dhe të pasigurt, nga ajo të qenit i shqetësuar deri në pikën ku na kap paniku dhe shqetësimi na pengon gjumin dhe jetën e përditshme.
Duhet të fokusohemi që të parandalojmë stresin e tepërt përpara se të arrijmë në atë pikë ku të na kap paniku. Për ta bërë këtë, rekomandohet qasje në informacione nga burime të sakta. Nuk ka nevojë që ta ndalim TV-n dhe të shmangim të gjitha lajmet që të mos shqetësohemi. Mos besoni gjithçka që lexoni dhe kërkoni burime të sakta informacioni. Informacionet e sakta ndikojnë në lehtësimin e ankthit.
Nga ana tjetër, nevojitet gjumi i mjaftueshëm, të ushqeheni mirë, mos përdorni alkool, dhe më e rëndësishmja të krijoni lidhje sociale, pra të qëndroni me njerëzit e afërt, të kaloni kohë së bashku. Ky është ilaçi më i mirë për të zbutur ankthin. Këto të fundit duken si masat parandaluese si ato që duhet t’i bëjmë gjithsesi, përveçse ne nuk i bëjmë ato shumicën e kohës.
Përveç kujdesit për higjienën personale, është e rëndësishme të keni një plan ose të bëni disa përgatitje esenciale ne rast se është e nevojshme që të qëndroni në shtëpi dhe nuk mund të dilni. Kjo do t’ju bëjë të ndiheni në kontroll dhe të parandaloni një situatë paniku.
Është e rëndësishme t’ia kujtojmë vetës që brengosja e tepërt nuk do të ndryshojë asgjë. Duhet të fokusohemi të bëjmë ato gjëra që janë në duart tona dhe që mund t’i kontrollojmë, dhe jo të mbajmë mendjen vazhdimisht në atë se çka do të ndodhë nëse kështu, …e nëse ashtu… E në anën tjetër të provojmë që të pranojmë atë se çka nuk mund ta kontrollojmë ne ose çka nuk është në dorën tonë.
Është e vërtetë që njerëzit që veçse vuajnë nga çrregullimet e ankthit, apo kanë më shumë predispozita, kjo situatë mund t’i shqetësoj më shumë. Nëse shqetësimi juaj, i ka tejkaluar mundësitë e menaxhimit dhe jeni në gjendje paniku, rekomandohet të flisni me një profesionist të shëndetit mendor. /Familjadheshendeti