Nga Dr.Arbërore Ulaj Psikiatër për fëmijë dhe adoleshentë
Shkaqet ,shenjat dhe trajtimi
Autizmi i përket grupit të çrregullimeve neurozhvillimore të njohura si çrregullimet pervazive. Shkaku i vërtetë nuk dihet ende por mendohet se shkaktohet nga abnormalitetet në stukturën dhe funksionin e trurit.
Autizimi ka 3 karakteristika kryesore: probleme në interaksionet sociale, probleme në komunikim dhe lëvizje përsëritëse dhe të caktuara. Prevalenca e autizmit është 1: 68, është 4-5 herë më I shpeshtë te meshkujt se te femrat. Diagnostikohet zakonisht para moshës 3 vjeqare.
ETIOLOGJIA: Autizmi shkaktohet nga kombinimi I faktorëve gjenetik dhe atyre ambiental.
Familjet qe kanë një fëmijë autik mundësia e të pasurit edhe një tjetër me autizëm eshte diku 5%. Ndryshimet strukturore në kromozome te caktuara mund te kontibuojnë ne bazën gjenetike të autizmit.Rreth 70 % te fëmijëve me autizëm kanë vonesë në zhvillim mendorë ,2/3 kanë vonesë te lehtë tek e moderuar dhe pjesa tjetër vonesë të rëndë dhe të thellë.Personat mund të kenë edhe ndryshime jo specifike ne EEG.Ne RMI( rezonancë magnetike) mund te gjenden ndryshime si abnormalitete kortikale. Disa studime tregojnë se jokompaktibiliteti imunologjik në mes nënës dhe fetusit mund të kontribuojë ne crregullimin autistik.Infesionet gjatë shtatëzanisë,perdorimi I alkoolit ,substancave narkotike dhe komplikimet perinatale mund te jenë faktor rreziku.Faktorët e tjerë që mendohet se ndikojnë janë: sëmundjet infektive,tretësit e ndryshëm,pesticidet. Per vaksinën e kombinuar Fruth-Rubeollë – Parotit ende ka kundërthenie se a shkakton autizem apo jo.
Diagnoza dhe karakteristikat klinike: Autizmi karakterizohet nga deficiti në interaksion social, paaftësi ne komunikim dhe sjellje persëritëse.
Fëmijët me autizëm kane vështirësi në përdorimin e komunikimit jo verbal në interaskion social psh nuk kanë kontakt me sy ose është I rrallë ,vështirësi te përdorin gjeste ,shprehje te fytyrës në raport me të tjerët ,mungon aftësia qe te krijojnë raporte sociale me fëmijët tjerë dhe kanë vëshirësi të ndajnë interesat ose emocionet me të tjerët,vështirësi t’i përgjigjen emocionalisht të tjerëve.
Fëmijët me autizëm kanë vonesë në të folur ,ose nuk flasin fare .Disa fëmijë përdorin një fjalë një herë dhe mund ta mos e përdorin më me javë ,muaj apo vite.Kanë vështirësi në fillimin dhe mbajtjen e bisedës,ata mund te kenë ekolali ( përsëritja e fjalëve te dëgjuara) , dhe nuk imitojnë të tjerët.
Fëmijët me autizëm mund te shfaqin disa forma te sjelljeve te përsëritura ose të caktuara psh.
Sjellje stereotipe: lëvizje përseritëse të duarve,rrotllimi kokës,ose tundje e trupit.
Sjellje kompulsive: renditja e gjërave në mënyrë të caktuar.
Njejtësia: Rezistent që të ndryshojnë psh. Ulja në të njëjtën karrige çdo ditë, përdorimi i gotës së njëjtë cdo ditë, të shkuarit çdo ditë në rrugën e njejtë.
Sjellje ritualistike: kjo lidhet me njejtësinë si psh. Nuk duan ta ndryshojnë rutinën tyre psh të vishen njejtë çdo ditë ose nuk duan të ndryshojnë menynë e ushqimit .
Ineresa te caktuara: interesimi ose fiksimi ne gjëra te caktuara: psh fiksohen për pjesë të objektit ose për programe të caktuara në TV.
Sjellje vetëlënduese: përplasje e kokës ,kafshi i duarve etj.
Trajtimi
Qëllimi i trajtimit është të targetojmë sjellje që i përmirësojnë aftësitë e tyre të integrohen në shkollë, të zhvillojnë raporte sociale dhe të përmirësojnë komunikimin verbal dhe jo verbal dhe të zvogëlojnë sjelljet përsëritëse edhe të aftësohen të jetojnë jetë të pavarur. Gjithashtu përdoret terapia medikamentoze për simptomat si: hiperaktiviteti,sjelljet vetëlëndusese, irritabilitetin, obsesionet dhe kompulzionet./Familjadheshendeti.com