Babai im më bëri dhuratën më të madhe që dikush mund të më bënte në jetë


Ai besoi në mua.”

Ai në vend se të jepte vetëm paratë, doli dhe zgjodhi fustanet më të bukura për mua.
Shtratin më të bukur, lodrat më të bukura.

Ai në vend se të jepte vetëm paratë për ushqimin tim, ai përgatiti dhe më ushqeu mua.
Kur sëmuresha, në vend se të më blinte antibiotikët më të rrezikshmit, ai përkujdesej për mua dhe bënte rolin e antibiotikut për vajzën e vet. Është matur 10 herë para se të më jipte një sirup 1 herë.
Interesohej se çfarë po shkon në organizmin tim.
Ai në vend se të blinte veç barna, përkujdesej, rrinte zgjuar natën.

Ai në vend se të kërkonte vetëm librezën ne fund të vitit shkollor, përkujdesej gjatë gjithë vitit për detyrat e mia, për orarin tim të librave, për mësimnxënien time.
Ai pyeste: “ Si kalove sot në shkollë, çka mësove, m’i trego.”

Ai në vend se të kërkonte një gotë ujë, ai pyeste “a mundesh” dhe në fund me “faleminderit.”
Ai në vend se të kërkonte pastërti dhe rend në shtëpi, ai bashkëpunonte, dhe bëhej pasqyrë për ato që donte.

Ai në vend se të inatosej me dështimin tim, më thoshte “ s’ka problem, provoje përsëri.”

Ai bën pjesë në përkushtim, jo vetëm në financim.
Ai është baba dhe jo vetëm zot shtëpie.
Është shok, psikolog, mësues, doktor e kuzhinier i fëmijëve të vet.

Babi im nuk ka pasur kurrë një kuletë xhepi.
Paratë e tij mund t’i shihje kudo nëpër banesë. Ai kishte besim në mua.

Babi im ende beson në mua.
Beson se jam një nënë e mrekullueshme për fëmijët e mi.
Beson dhe garanton fort se jam një bashkëshorte e denjë.
Beson se jam një femër me vlera të larta dhe krenari të pathyeshme.
Beson se jam e zonja për vetveten time.

Beson se unë ia kam dalur, po ia dal dhe do t’ia dal gjithmonë.

Kjo është dhurata më e bukur, më e rëndësishmja që një prind mund të dhurojë për fëmijën e vet.
Endrina Shutrak Lokaj