Mr. Ph Laureta Berisha Kosumi – farmaciste
Koha e pushimeve ka ardhur dhe përveç gjërave që duhet marrë në pushime, të gjithë prindërit para nisjes në pushime, vijnë në barnatore për tu furnizuar me një numër barnash të caktuara, të cilat i marrin shumë herë pa na pyetur se cilat janë të domosdoshme gjatë pushimeve, e cilat nuk do duhej të merren (siç janë antibiotikët dhe antialergjkë të ndryshëm në formë të sirupeve).
Fillimisht i këshilloi prindërit që para pushimeve t’ua bëjnë fëmijëve një vizitë te pediatri.
Më poshtë do të cekim një listë të materialeve shpenzuese dhe barnave që duhet marrë me vete në pushime.
Lista e gjërave që duhet marrë me vete:
- Krem me faktor mbrojtës – Zgjidhni një krem apo ndonjë formë tjetër farmaceutike (sprej, losion) adekuate për moshën e fëmijës me faktor të lartë mbrojtës +50. Po ashtu një losion zbutës të lëkurës, i cili bën zbutjen e lëkurës pas një dite të kaluar në diell.
- Produkte për mbrojtjen nga insektet – sprej apo forma tjera farmaceutike që mbrojnë nga insektet, është e patjetërsueshme marrja e tyre për mbrojtje nga pickimet e insekteve, të cilat duhet të merren konform moshës së fëmijës (Mapez, Autan etj), dhe të aplikohen në zonat e caktuara te fëmijës, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes dhe gjatë natës, kur pickimet janë më të shprehura, për të shkaktuar mbrojtjen adekuate.
- Antihistaminikët – barna të tilla sidomos në formë të kremrave dhe yndyrave ( terapitë orale merren me rekomandim të mjekut ) siç janë: chlorpiramine (Synopen), prometazina (Novaphergan), dimetindenmaleat (Fenistil) etj, të cilat përdoren tek alergjitë e ndryshme dhe pickimet e insekteve.
- Barnat kundër diarresë dhe vjelljeve – patjetër që duhet të merrni rehidrues të ndryshëm (equidral, hydratonic, hidraton neo, almora, rehidromix etj) në rast të dehidrimit të organizmit gjatë vjelljeve dhe diarresë, po ashtu duhet të merren probiotikë në formë flakonesh (lactis B- complex, pico lactis, biolactine etj) ose formave tjera që ju përshtaten. Barna siç është antidiarreiku nifuroxazid (enterofuril, fural etj) duhet të mirret me rekomandim të mjekut!
- Analgjetikë/antipiretikë – patjetër që duhet të keni një termometër me vete, barna të tilla si paracetamol dhe ibuprofen duhet patjetër ti keni me vete (në formë sirupesh apo supozitorësh ) dhe t’i kombinoni me njëra tjetrën në raste të temperaturës së lartë të fëmijës.
Mos aplikoni diclofenac supozitorë tek fëmijët pa rekomandim të mjekut! - Terapi lokale në rast të djegieve nga dielli – patjetër duhet të furnizoheni me kremra apo losione në raste të djegieve nga dielli siç janë: Jomelop G dhe E, sulfadiazin argjendi ( Dermazin, Silverdin ).
- Kutinë e ndihmës së parë – patjetër ta keni me vete kutinë e ndihmës së parë (garza sterile, betadine, alkool, fasho, fllaster, hansaplastë të ndryshëm, pambuk, gërshërë etj).
7. Tamponë për veshë – për mbrojtje nga uji mund të merrni tamponë adekuat për mbrojtje nga hyrja e ujit në vesh tek fëmijët.
Mos merrni me vete antibiotikë rezervë dhe në raste të cilat ju do ti gjykoni gabimisht, t’ ua jepni fëmijëve. Në këtë mënyrë duke u munduar të ndihmoni fëmijën tuaj, e përkeqësoni edhe më shumë gjendjen, pasi që assesi nuk mund ta dini si mund të reagojë një antibitokë i marrë vetë pa kurrfarë rekomandimi nga ana e mjekut apo analize përkatëse (edhe pas të cilave duhet ta përshkruajë dhe dozojë gjithsesi mjeku ). Mund të maskoni ndonjë infeksion që ndoshta do t’ju kushtojë me shëndetin e fëmijës. Më mirë të vihet në pikëpyetje pushimi sesa një veprim i tillë !
Në raste të cilat ju mund ti gjykoni si skuqje e fytit, atëherë furnizohuni me forma farmaceutike të lejueshme dhe të padëmshme në formë spreji si: Ialoclean oral, Apis gola, Apipro, Influfix etj.
Mos merrni pika për sy/veshë pa rekomandim të mjekut, shumica nga to kanë përmbajtje antibiotikë me kortikosteroidë dhe mund të vije deri tek një varg problemesh tjera.
Të gjitha barnat t’i ruani në temperaturë deri 25 ° C.
Pushime të këndshme pranë më të dashurve tuaj!/FamiljadheShëndeti