Dhuratën më të mirë që mund t’ua japin prindërit në jetë është që të keni një vëlla apo motër. Rriteni së bashku, qeshni, pikëlloheni dhe gëzoheni, dhe dëshironi që ta befasoni vëllaun apo motrën tuaj me diçka që e bën atë të lumtur. Kjo është pikërisht ajo çfarë ka bërë Anthony Angel.
Meqë motrës së tij, Anabel i pëlqejnë karakteret e filmave të Disney (e kujt nuk i pëlqejnë?), ai ka vendosur që të veshë një kostum të princit të përrallave dhe me kostumin e Borëbardhës në duar ka trokitur në derën e motrën së tij. 5 vjeçja Anabel ishte jashtëzakonisht e lumtur, sepse jo vetëm që kishte rastin të veshë kostumin e mrekullueshëm dhe xhevahiret e Borëbardhës, por e gjithë kjo skenë ishte përjetësuar në fotografi magjepsëse!
Nga erdhi Anthony deri te kjo ide? Duke kërkuar në internet, pa një kostum të princit nga përrallat dhe dëshiroi që ta befasojë motrën e tij të dashur me fotografi. Nënës së tyre Christina Angel, përndryshe fotografe profesionale, i pëlqeu kjo ide. Ajo që e bën gjithë këtë histori edhe më emocionuese, është fakti se i riu Anthony vuan nga depresioni. Dashuria për motrën ishte më e fuqishme sesa errësira, e cila u ngrit mbi të dhe vendosi ta befasojë atë.
Pasi që u shfaq në dhomën e saj i veshur si princ sharmant dhe ia dorëzoi në duar kostumin e Borëbardhës, Anabel e përqafoi shumë vëllain e saj dhe me buzëqeshje të madhe në fytyrë veshi kostumin nga përralla e saj më e preferuar. Kështu, të kapur dorë për dore filluan të shëtisin në kopsht, ku i priste nëna me aparat fotografik. Anabel u befasua, dhe gëzimi i saj provokoi gëzimin edhe në fytyrën e Anthony-t. Nëna e tyre u prek shumë nga kjo skenë, andaj edhe sytë e saj u mbushën me lot ndërsa e shikonte Anabelin duke e përqafuar me dashuri të vëllain e madh.
“Kur keni fëmijë që çdo ditë lufton me veten, a nuk do të jepnit gjithçka në botë që të shihni të buzëqeshur”, thotë Christina nën lotët e përziera me buzëqeshje dhe shton: “Anabel ka shijuar në çdo sekondë fotografitë me ‘personin më të dashur të saj në botë’. Besoj se nuk ka nevojë t’ju flas për këtë. Sigurisht se kjo shihet qartë në fotografi. Mrekullohem nga fakti se sa janë të lidhur ata të dy, shkrihem e tëra kur i shoh ata. Jam krenare pse jam nëna e tyre dhe jam e lumtur që përmes fotoaparatit mund të përjetësoj këto momente.”
Thjesht është e pamundur të mos rrëqetheni nga këto fotografi dhe të mos pyesni se çfarë mund të bëni për personin tuaj të dashur? Jetën e përbëjnë gjërat e vogla dhe mjafton një detaj sado i vogël që t’ia zbukuroni ditën dikujt./FamiljadheShëndeti