Përgatiti: Dr Jeton Zenuni
Ndërsa më shumë studime tregojnë se njerëzit pa simptoma të COVID-19 janë duke përhapur virusin, Qendra amerikane për kontrollimin dhe parandalimin e sëmundjeve CDC po rekomandon që njerëzit të përdorin maska ose mbulesa të fytyrës në publik.
Njoftimi, i cili anulon atë paraprak, është një masë vullnetare e shëndetit publik, tha kirurgu i Përgjithshëm Jerome Adams, MD, të premten gjatë një konference për shtyp të Coronavirus Task Forcës, në Shtëpinë e Bardhë.
Adams pranoi se “udhëzimi për bartjen e maskës ka qenë konfuz për popullin amerikan”.
CDC, Organizata Botërore e Shëndetit dhe shumica e organizatave të shëndetit publik fillimisht ishin kundër përdorimit në masë të gjerë të maskave nga publiku. Bazuar në provat në atë kohë, tha Adams, nuk konsiderohej e nevojshme që njerëzit e shëndetshëm të mbanin maska. Specialistët e shëndetit publik gjithashtu dëshironin të siguronin se do të ketë maska të mjaftueshme për profesionistët e kujdesit shëndetësor që kujdeseshin për pacientët e infektuar.
Por shkencëtarët tani e dinë që një pjesë e personave me koronavirus mund të kenë mungesë simptomash – ndoshta 25% ose më shumë. Dhe të tjerët që janë para-simptomatikë mund të transmetojnë virusin përpara se të shfaqin shenja të COVID-19.
“Në dritën e kësaj dëshmie të re, CDC rekomandon veshjen e maskave të fytyrës”, tha Adams, përfshirë dyqanet ushqimore dhe farmacitë. “CDC është gjithmonë në kërkim të të dhënave dhe do të ndryshojë rekomandimet, dhe ato të reja do të vijnë varësisht se si do të dëshmojnë provat.”
Udhëzimi nuk inkurajon njerëzit që të përdorin maska mjekësore ose kirurgjike, të tilla si maska N95, në mënyrë që ato t’i lënë për profesionistët mjekësorë. Njerëzit mund të blejnë maska prej tekstili ose pëlhure në internet ose t’i përgatisin ato në shtëpi.
Nëse njerëzit vendosin të veshin maskë të fytyrës, ata duhet së pari të lajnë duart, tha Adams. Ata nuk duhet të prekin fytyrën gjatë kohës sa mbajnë maskë, dhe me kujdes duhet të heqin maskën pas përdorimit dhe të lajnë duart.
“Kjo ka të bëjë me mbrojtjen tuaj dhe timen,” tha Adams.
Masat e reja nuk e zëvendësojnë udhëzimin e CDC për distancimin shoqëror, duke përfshirë qëndrimin në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur. Kjo përfshin qëndrimin 1-3 metra larg nga të tjerët, të mos shtrëngoni duart dhe të lani duart me sapun dhe ujë për 20 sekonda gjatë gjithë ditës.
Burimi: WebMD