Çfarë është ajo që mësojnë sot fëmijët bashkëkohorë?

Fëmijët sot kalojnë pjesën më të madhe të kohës para ekranit të një televizori ose kompjuteri, me shumë më pak aktivitet fizik se sa që është e rekomanduar. Ata janë të aftë të kuptojnë arritjet teknologjike, por vështirë gjenden në marrëdhëniet shoqërore me bashkëmoshatarët e tyre. Ata jetojnë në një botë tjetër nga ajo e prindërve të tyre. Prandaj, për këtë botë, e cila është pjesë integrale e tyre, ata dinë më shumë se prindërit e tyre. Nga ana tjetër, disa gjëra të zakonshme, të vogla dhe të përditshme, fëmijët e sotëm nuk e dinë.

Një studim i një kompanie të internetit, e cila përfshiu 2,200 nëna të fëmijëve të moshës 2-5 vjeçare, nga SHBA-ja, Kanadaja, Japonia, Australia, Zelanda e Re dhe disa vende evropiane, na dha rezultate interesante, por në të njëjtën kohë edhe paksa shqetësuese. Në fakt, fëmijët e testuar gjinden më mirë me lojëra kompjuterike dhe operimin e telefonave të mençur se sa që ata arrijnë të lidhin lidhëset e këpucave të tyre në mënyrë të pavarur ose të shpjegojnë në mënyrë logjike dhe në mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre, disa fenomene nga mjedisi i tyre.

Kështu, deri në 19 për qind e fëmijëve të anketuar dinë të përdorin aplikacionet në telefonat e mençur, ndërsa vetëm 9 për qind dinë të lidhin lidhëset. Gjithashtu, gati 60 për qind e djemve dhe vajzave dinë se si të luajnë lojëra në kompjuter ose të bëjnë një telefonatë me një telefon celular. 25% e tyre mund të hapin një faqe interneti. Nga ana tjetër, vetëm 20% e tyre dinë të notojnë.

Rezultatet e këtij studimi kanë ngritur një sërë çështjesh: a janë gjeneratat e reja të fëmijëve viktima të përparimit të përgjithshëm? A është ndikimi i mjedisit dhe standardeve, megjithatë, vendimtar për formimin e një personaliteti? A munden prindërit të ndjekin fëmijët e tyre në zhvillimin e tyre të shpejtë?

ROLI I NDRYSHUAR I PRINDËRVE

Është e qartë se me zhvillimin e teknologjisë, roli i prindit ka ndryshuar dukshëm. Ajo që për prindërit është vështirë e kuptueshme, me të cilën duhet të ballafaqohen dhe të mësohen, e që sigurisht nuk ka qenë pjesë e edukimit të tyre, tani është bërë pjesë integrale e fëmijërisë së fëmijëve të tyre.

Sidoqoftë, është me rëndësi të madhe të kujtojmë prindërit se, pavarësisht nga të gjitha mrekullitë teknologjike që na rrethojnë, fëmijët janë ende fëmijë! Me fjalë të tjera, ndërsa këta fëmijë po rriten me lojëra, telefona celularë dhe kompjuterë, dhe në këtë mënyrë fitojnë aftësi të caktuara, ata ende nuk kanë mësuar të lidhin lidhëset e këpucëve, të ngasin biçikletën, të shikojnë sa është ora, të notojnë, etj.

Dhe për fund, aftësinë e operimit të smartfonëve, kompjuterëve dhe “mrekullive” të tjera të teknologjisë, ndoshta fëmija juaj nuk do të duhej ta mësonte. Ai do të mësohet të operojë me to spontanisht, si pjesë integrale e rritjes së tyre. Nga ana tjetër, të gjitha këto “mrekulli të teknologjisë” do të presin për të edhe kur të rritet. Por, loja me top, ngasja e biçikletës, shkathtësitë e vogla ditore, në moshën e duhur dhe në mënyrën e përshtatshme, nuk do të mund të kompensohen më vonë. Pjesëmarrja juaj në këtë është me rëndësi të madhe, për të mirën tuaj dhe të fëmijës suaj.

GJËRAT QË JANË TË DOMOSDOSHME

Për të gjitha këto shkathtësi të vogla që duhet t’i adaptojë fëmija juaj, janë të domosdoshme:

  • Durimi – Ju shpesh do të ndjeheni sikur durimi juaj është në provim, duke pritur që fëmija juaj të lidhë lidhëset, ose derisa të mësohet ta ngasë biçikletën pa ndihmën tuaj. Mos harroni se fëmija nuk e bën më të vështirë këtë qëllimisht, sepse është e rëndësishme për të që edhe ai të ndihet i madh, dhe të bëjë diçka për veten e tij.
  • Kapeni momentin kur fëmija juaj është i gatshëm të adaptojë një aktivitet të ri. Dallimet individuale janë të mëdha. Kjo është arsyeja pse gjithmonë duhet të shikoni se çfarë është ajo që fëmija juaj është i gatshëm të bëjë në këtë moment të zhvillimit të tij, dhe ofrojini, inkurajojeni dhe motivojeni që të bëjë atë që është vetëm një hap përpara tij. Për shembull, nëse në këtë moment fëmija juaj drejton një biçikletë me tre rrota me lehtësi dhe siguri, është koha qysh tash të filloni të mendoni dhe të bisedoni me fëmijën tuaj, që ta përgatisni për atë që është rrjedhë logjike e zhvillimit të tij, e ajo është biçikletë me dy rrota.
  • Lavdërojeni fëmijën tuaj. Sa herë që arrin të bëjë diçka për herë të parë në mënyrë të pavarur, keni një arsye të fortë për të lavdëruar fëmijën tënd. Ky është gjithashtu motivim për përpjekje të mëtejshme dhe një mënyrë për të zhvilluar vetëbesimin./Familjadheshendeti.com