Nga Dr. Rabie Mustafi – Pneumologe -Alergiologe
Diabeti është një sëmundje kronike e shkaktuar nga mungesa e insulinës (pra trupi është i paaftë të prodhojë insulinë) ose nga rezistenca ndaj insulinës (qelizat e trupit e humbin ndjeshmërinë ndaj insulinës, pra ka insulinë në sasi normale ose tepricë, mirëpo qelizat e trupit janë të pandjeshme ndaj saj).
Dihet që funskioni kryesor i insulinës është metabolizimi i glukozës pra futja e sheqerit nga gjaku deri te qelizat e trupit. Kur mungon insulina rriten nivelet e glukozës në gjak, nëse kjo situatë bëhet kronike atëhere ndodh diabeti.
Diabeti si një pandemi globale
Diabeti prek rreth 5% të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve vazhdimisht po rritet duke u dyfishuar çdo 10 vjet.
Në vitin 2025 mendojhet se numri i të sëmurëve do të arrijë rreth 330 mijë .
Në çdo 10 sekonda në botë shtohen 2 njerëz tjer me diabet dhe çdo 10 sekonda vdes një njeri nga shkaqet që lidhen me diabetin.
Çdo vit rreth 3,8 milion vdekje ndodhin duke qenë shkaktar diabeti.
Çdo ditë rreth 200 fëmijë diagnostifikohen me diabet.
Në Maqedoni mbi 150 mijë persona të prekur me diabet dhe mbi 37 mijë me insulinë.
Si mund të diagnostifikohet diabeti?
Shenjat e diabetit: etje, urinim i shtuar, uri e tepruar, rënie e pashpjegueshme në peshë, tharje e gojës etj.
Glikemia (sheqeri në gjak), nëse është mbi 11,1 mmol/l.
Glikemia esëll nëse vlera e sheqerit në gjak të paktën 8 orë pas ngërnies është mbi 7 mmol/l, ndërkohë që, vlerat normale janë nga 3,5 deri më 6,4.
Cilët janë llojet e diabetit?
1. Diabeti Tip 1 – diabeti insulinvartës;
2. Diabeti Tip 2 – diabeti joinsulinvartës (diabeti insulinrezistues);
3. Diabeti i shtatëzanisë etj
Diabeti “Tip 1” – njerëzit me diabet të tillë nuk prodhojnë aspak insulinë, ose nuk prodhojnë mjaftueshëm insulinë nga pankreasi. Me qenë se insulina është e nevojshme për metabolizmin (futjen e sheqerit në qeliza) qelizat e trupit nuk mund të marrin ushqimin e nevojshëm nga glukoza dhe kështu glukoza grumbullohet në gjak ndërsa qelizat e trupit janë të uritura për glukozë. Një pjesë e glukozës së grumbulluar në gjak, mund të kthehet në yndyrë, por pjesa më e madhe derdhet në urinë. Ky lloj diabet, mund të ndodh në çfarëdo moshe, qoftë edhe në fëmijëri, apo pas kalimit të ndonjë infeksioni ku dëmtohen qelizat beta të pankreasit. Ky lloj diabeti kërkon përdorimin e insulinës.
Diabeti “Tip 2” – është shumë më i shpeshtë se diabeti Tip 1, ndryshe quhet insulinë rezistues. Në këtë rast trupi prodhon insulinë, por qelizat e trupit janë të pandieshme ndaj saj. Kjo dukuri po ndodh çdo vit e më shumë si pasojë e obezitetit (trashësisë), ushqimit jo të përshtatshëm, stilit të jetës, mungesës së aktivitetit etj.
Cilët janë komplikimet e diabetit?
Një diabetolog thotë: “Diabeti nuk është sëmundje por vetëm mungesë e insulinës”. Pa dyshim që diabeti nuk do të shkatonte asnjë problem, nëse ai do të diagnostifikohej në kohë dhe do të menaxhohej si duhet, por një diabet i pamjekuar ose i mjekuar keq, krijon komplikime.
Këto ndahen në:
– Ndërlikime të afërta – ketoacidoza dhe koma hyperglikemike.
– Ndërlikime të largëta – ndërlikimet që shfaqen në enët e vogla të gjakut (kapilaret dhe arteriet me kalibër të vogël); në sy si pasojë e hyperglikemise, kapilaret e retinës së syrit deformohen, çahen lëshojnë brenda në sy lëngje dhe hemoragji të cilët mund të dëmtojnë pamjen deri në verbim të plotë; në veshkë dëmtohen kapilaret e vogla të glomerulave dhe kështu veshka nuk mund të filtrojë gjakun si duhet dhe të kryejë funksionin e saj, për pasojë çon në rritjen e azotemisë dhe kreatinemisë, ku pacientët mund të përfundojnë deri në hemodializë ose transplant të veshkëve. Diabeti i pamjekuar di të prekë edhe enët e vogla dhe rrjetin kapilar të të gjithë nervave të trupit, për pasojë shfaqet neuropatia diabetike. Në faza më të avansuara, nervat dëmtohen aq shumë saqë bëhen të pandishëm, nuk përcjellin as dhimbje, as të nxehtin, as të ftohtin apo prekjen. Kjo paraqet rrezik për ndërlikim edhe më të rëndë deri në shfaqen e gangrenës në këmbë që quhet ndryshe këmba diabetike.Personat e këtillë më shpesh vuajnë edhe nga infeksionet urinare dhe infeksionet qelbëzuese të lëkurës shpeshherë të pandieshme ndaj terapise së rendomtë.
Si ta parandalojmë?
Diabeti në të shumtën e rasteve është i parandalueshëm. Në diabetin Tip 1, ku faktori kryesor është faktori gjenetik nuk mund ta parandalojmë atë, por mund t’i parandalojmë ndërlikimet që mund të paraqiten më vonë, kjo arrihet me marrjen e rregullt të insulinës, kontrollimin e sheqerit në gjak, kufizimin në dietë etj.
Diabeti Tip 2 është forma më e përhapur e diabetit. Te ky tip mund të parandalojmë plotësisht paraqitjen e tij ose vonimin e shfaqes së tij, nëpërmjet ndryshimit të mënyrë së jetesës si: dieta e duhur, rritja e cilësisë së ushqimit, ulja e stresist, mos pirja e duhanit, aktiviteti fizik.
Cilat ushqime duhet të shmangen?
Udhqimet që duhet t’u shmangen plotësisht janë buka e bardhë, gjevreku, simitet, biskotat, pastat, akulloret, rrushi, frutat e thata, mishrat e përpunuar si “hot-dog”, hamburger,ushqimet e skuqura. Duhet te shmangen edhe ushqimet që shkaktojnë alergji, sepse mund të përkeqësojnë simptomat e diabetit, duke shkaktuar inflamacion, ose mund t’i shkatërrojë qelizat beta të pankreasit qe prodhojne insulinë.
Ushqimet që mund të përdoren pa kufizme janë: zarzavatet, domatet, karrotat, marullat, lulelakrat, specat, qepët, lakër e bardhë etj.
Vaktet e ushqimeve që janë tre gjatë ditës(mëngjes,drekë,darkë) duhet të pëmbajnë më pak kalori dhe të plotësohen edhe me tre vakte tjera,në këtë mënyrë mundësohet një mbajtje më stabile e shëqerit në gjak.
Aktiviteti i lehtë fizik – shfaqja e diabetit nuk duhet të bëhet pengesë për kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Falja e namazit është një mënyrë e shkëlqyer për parandalimin apo menaxhimin e diabetit, pasi ka në vetvete aktivizim të tërësishëm të sistemit osteomuskular, poashtu ndikon dukshëm në reduktimin e stresit,gjithashtu ecja në natyrë e luan rolin e vet. Pra diabeti në përgjithësi është i menaxhueshëm nëse eksiston vullnet per ta mposhtur atë! /Familjadheshendeti.com