Nga Sunullah Islami
Një baba, e ndëshkoi të bijën tre vjeçare, sepse ajo ia kishte prishur dhe çuar dëm ngjitësen me ngjyrë të verdhë. Ai ishte tepër koprrac dhe dorështrënguar, saqë kur pa të bijën që po e çonte dëm ngjitësen për të paketuar një kuti, u xhindos dhe e humbi fare toruan.
Me gjithë çfarë ndodhi, vajza e solli kutinë e mbështjellë me ngjitësen, ndërkohë që ai po pinte kafen e mëngjesit. Ajo iu afrua dhe duke ia zgjatur kutinë i tha:”Kjo është për ty babi!”
Për një moment, atij i erdhi turp lidhur me reagimin e tij të mëparshëm. Por kjo nuk zgjati shumë, pasi kur hapi kutinë dhe e gjeti atë bosh, ia ktheu plot nerva dhe me zë të lartë vajzës së tij:”A nuk e di akoma se kur i bën dikujt një dhuratë, duhet të fusësh diçka në kuti dhe jo bosh?!” Mandej, e mori kutinë dhe e flaku tutje tek mbeturinat, kurse vetë u ul në divan, me fytyrën e mbuluar me duar.
E bija, me sy që i rridhnin lot, iu afrua dhe i tha:”Por babi, kutia ishte plot e përplot me puthje, të cilat i kisha paketuar për ty!”
Këto fjalë e dërrmuan fare babanë, i cili hapi krahët, e shtrëngoi fort vajzën e tij dhe me lot në sy i kërkoi ta falë. Edhe ajo e përqafoi dhe i fali shumë puthje. Babai u ngrit, mori kutinë e hedhur tek mbeturinat dhe filloi ta pastrojë.
Mandej, babai filloi të shtirrej sikur po nxjerr puthjet që e bija kishte paketuar në kuti, sakaq ajo qeshte me gjithë zemër. Të dy, mbetën të kënaqur atë ditë, me lojërat dhe shakatë me njëri-tjetrin. Që nga ajo ditë, babai u betua se marrëdhënieve me të bijën do u kushtonte më shumë kohë dhe vëmendje, në fakt ashtu bëri. Sa më shumë vite kalonin, aq më shumë forcohej dashuria mes tyre.
Por një ditë, një aksident tragjik e shkëputi vajzën e tij nga jeta e përditshme. Thuhet se babai në fjalë, e kishte ruajtur kutinë e artë gjatë gjithë atyre viteve. Pas aksidentit, ai e kishte nxjerrë kutinë dhe e mbante gjithmonë mbi tavolinën pranë krevatit të tij. Sa herë që ndihej i dëshpëruar dhe i mërzitur, ai afrohej tek kutia, kujtonte dashurinë e pakushtëzuar të së bijës dhe rrëmbente ndonjë puthje imagjinare, të cilat e bija ia kishte paketuar që nga ajo ditë e paharruar.
Secili prej nesh e ka një kuti të artë të mbushur plot e përplot me dashuri të pakushtëzuar nga fëmijët, familja dhe miqtë. Nuk ka gjë më të shtrenjtë që mund të zotërojë dikush, sesa një kuti të tillë.
Ne duhet ti mirëkuptojmë njerëzit përreth, tu shprehim dashurinë tonë dhe ti trajtojmë me dashuri dhe butësi. Atëherë do të kuptojmë sa shumë na duan. /Familjadheshendeti.com