Nga Dr. Gojart PLLANA, MD
Spz. i Kardiologjisë me Angiologji
Qendra Klinike Universitare e Kosovës / Klinika e Kardiologjisë
Kjo ndjenjë shtrënguese që digjet në gjoks nuk duket se do të kaloj, madje duket se po përkeqësohet.
A është ky një sulm në zemër apo diçka tjetër?
Kjo është një pyetje shqetësuese që miliona njerëz, por edhe mjekët e tyre përballen çdo vit. Në jetën e përditshme mund të përballemi me situata alarmante që duket se po kërcënojnë seriozisht shëndetin madje dhe jetën e individit. Të tilla situata hasim shumë shpesh gjatë punës sonë klinike si mjek, situata që kërkojnë një ekzaminim të shpejtë të pacientit, për të vlerësuar shkallën e rrezikut për jetë ose invaliditet. Por jo rrallë, ndodh që ky të jetë një “alarm i rrejshëm” fatmirësisht, meqë nuk bëhet fjalë fare për një problem serioz që lidhet me zemrën, enët e gjakut ose ndonjë organ tjetër me rëndësi vitale.
Dhimbja e gjoksit është njëra nga ankesat mjaft të shpeshta në praktikën mjekësore, e cila zakonisht detyron pacientin t’i drejtohet në mënyrë urgjente mjekut më të afërt, duke kërkuar poashtu një qasje serioze dhe të shpejtë diagnostike e terapeutike. Ajo nënkupton një ndjenjë dhimbjeje, diskomforti ose thjeshtë një ndjesi “të keqe” në pjesën e përparme të trupit, në regjionin ndërmjet qafës dhe pjesës së sipërme të barkut.
Shkaqet më të shpeshta kardiovaskulare të dhimbjes së gjoksit
Sëmundja koronare e zemrës përbënë padyshim shkakun madhor, serioz dhe mjaft të shpeshtë të dhimbjes së gjoksit. Është situata e cila “e frikëson” më së shumti pacientin, madje dhe vet mjekun në lidhje me prognozën që mund të ketë. Megjithatë për ta sqaruar këtë, na duhen disa informata esenciale të marra nga vet pacienti, të identifikojmë faktorët e rrezikut për sëmundje të zemrës, ekzaminojmë me kujdes pacientin, bëjmë regjistrimin e EKG-së, disa analiza të enzimave në gjak dhe sipas nevojës bëjmë edhe ekzaminime tjera ndihmëse si koronarografia, CT e arterieve koronare, rezonancë magnetike etj. Zakonisht angina pectoris dhe infarkti i miokardit shkaktojnë dhimbje të fuqishme me karakter shtrëngues, djegës, rëndues apo shtypës, ose thjeshtë një ndjenjë diskomforti në gjoks, ndërsa në raste të pazakonshme përshkruhet si frymëzënie.
Kjo dhimbje zakonisht lokalizohet mbi dërrasën e gjoksit dhe ka tendencë përhapjeje në drejtim të krahut e parakrahut të majtë, nofullës së poshtme apo në shpinë (mes dy shpatullave). Dhimbja anginoze e zemrës zakonisht zgjat nga 5-30 minuta, mund të lidhet me aktivitetin fizik, p.sh. shfaqet me fillimin e tij, intensifikohet gradualisht me shtimin e aktivitetit, ndërsa kalon pas pushimit ose pas vendosjes së nitroglicerinës nëngjuhë. Si e tillë kjo dhimbje është e reprodukeshme dhe mund të provokohet lehtë vetëm me shpejtimin e hapit ose ngjitjen përpjetë. E tërë kjo tablo është tipike për të ashtuquajturën anginë stabile e gjoksit dhe ka prognozë më të mirë. Por ka raste kur dhimbja paraqitet edhe në gjendje qetësie ose shfaqet gjatë një aktiviteti fizik minimal, të pazakonshëm deri atëherë, nuk kalon as pas marrjes së nitroglicerinës. Origjina e dhimbjes në këto raste qëndron në mos furnizimin e mjaftueshëm me gjak të një territori të caktuar në zemër, e për pasojë edhe mungesën e furnizimit me oksigjen e materie ushqyese në muskulin e zemrës (iskemia indore). Një situate e tillë mund të çojë në infarkt miokardi (vdekje ose nekrozë e një pjese të muskulit të zemrës).
Çarja e murit të aortës (disekacioni i aortës), enës kryesore dhe më të madhe e cila nxjerrë gjakun nga zemra për ta shpërndarë atë tutje në të gjithë organizmin, mund të shkaktojë poashtu një dhimbje të papritur e të fuqishme në gjoks dhe/ose shpinë.
Perikarditi, një pezmatimi i cipës seroze që rrethon zemrën mund të manifestohet poashtu me dhimbje në regjionin e gjoksit. Kjo është një dhimbje e lokalizuar kryesisht në qendër të kraharorit, është e qëndrueshme dhe nuk lidhet me aktivitetin fizik.
Tromboembolia mushkërore nënkupton bllokimin e arteries mushkërore nga ndonjë droçkë gjaku (tromb), e cili në më të shumtën e rasteve e merr origjinën nga sëmundjet e venave të thella të anësive të poshtme ose pelvikut (baçinit), te pacientët e moshuar, ata që qëndrojnë një kohë të gjatë shtrirë në shtrat për shkak të intervenimeve kirurgjike ose ortopedike, pas traumave, në gjendjet e rënda, pas udhëtimeve të gjata etj. Poashtu, në rrezik më të lartë për këto ngjarje janë individët duhanpirës, personat e palëvizshëm, obezët, si dhe gratë që përdorin kontraceptiv oral.
Problemet mushkërore që mund të shkaktojnë dhimbje gjoksi
Pneumotoraksi nënkupton grumbullimin e ajrit të lirë në hapësirën ndërmjet cipave seroze që rrethon mushkërinë, me ç’rast shkaktohet një shtypje deri edhe kolaps i mushkërisë, duke e nxjerrë atë nga funksioni fiziologjik. Pneumotoraksi mund të jetë spontan (i vetvetishëm, pa ndonjë arsye të jashtme) dhe traumatik (nga lëndimet e ndryshme).
Pezmatimi i cipës seroze të mushkërisë-pleurës (pleuriti) mund të shoqërohet me dhimbje gjoksi.
Nga ana tjetër edhe vet pezmatimi i indit mushkëror së bashku me pleurën (pleuropneumonia) mund të rezultojë me dhimbje gjoksi, kryesisht me karakter therës ose prerës, lokalizuar në anën e sëmurë (majtas ose djathtas), e lidhur shpesh me fazat e frymëshkëmbimit (shtohet gjatë frymëmarrjes, kollitjes). Jo rrallë kjo dhimbje shoqërohet me ethe, temperaturë, djerësitje, herpes në buzë ose hundë, mungesë oreksi dhe shenja të tjera të një infeksioni.
Sëmundjet e sistemit tretës që mund të shkaktojnë dhimbje gjoksi
Spazmat e ezofagut (ngërçet e kapërcallit) ose ngushticat në lumenin e tij (stenozat), të cilat vështirësojnë kalimin e ushqimit nëpër të.
Refluksi gastroezofageal (rikthimin mbrapsht i ushqimit së bashku me përmbajtjen acidike të lukthit në pjesën e poshtme të ezofagut) është një shkaktar jo i rrallë i dhimbjes, përkatësisht djegies prapa dërrasës së gjoksit. Një ndjenjë e tillë lidhet kryesisht me racionin ushqimor (ushqimi i tepërt, shtrirja menjëherë pas ushqimit, konsumimi i disa lloj ushqimeve ose barnave etj).
Prezenca e gurëve në tëmth (kolecistit kalkuloz dhe kolika biliare), ulcera e lukthit ose duodenit (i thati) si dhe pezmatimi i mukozës së tyre (gastritit, duodeniti) mund të shfaqen me një reflektim të dhimbjes edhe në regjionin e gjoksit.
Sëmundje të tjera që mund të manifestohen me dhimbje gjoksi
Sigurisht, madje jo të rralla në praktikën e përditshme. Ndër këto shkaqe vlen të përmendim: problemet me shtyllën kurrizore (sidomos pjesa e qafës dhe kraharorit), sëmundjet tjera reumatike, lëndimet, ndezjet ose tërheqjet e tepërta të muskujve ndërbrinjor (muskujve të gjoksit),lëndimet dhe thyerjet e brinjëve, pezmatimet e kërceve të brinjëve në vendet e ngjitjes së tyre me sternumin (parzmoren) që në terminologjinë mjekësore njihet si kostokondrit, pastaj herpes zoster si një infeksion i rrallë viral që prek nervat ndërbrinjor, por edhe çrregullimet e ndryshme të sferës psikike si p.sh. neurozat e ndryshme, ankthi, ataqet e panikut etj, mund të manifestohen me dhimbje gjoksi, duke e bërë jo aq të lehtë diferencimin diagnostik të kësaj simptome mjaft të shpeshtë në praktikën mjekësore.
Duhet theksuar në veçanti se dhimbjet e gjoksit tek fëmijët zakonisht nuk lidhen me sëmundje të zemrës, prandaj duhet kërkuar shkakun kryesisht në mesin e sëmundjeve tjera jashtë zemrës. Madje edhe anomalitë e lindura të zemrës që mund të jenë prezente tek moshat fëmijërore, qofshin edhe me prognozë të keqe, si rregull nuk shfaqen me dhimbje gjoksi (përveç në raste tepër të rralla kur bëhet fjalë për anomali të lindura të arterieve koronare, të cilat furnizojnë me gjak vet muskulin e zemrës)./FamiljadheShëndeti