Dr. Ardiana Perjuci – Begolli, endokrinologe
Sot Bota shënon Ditën ndërkombëtare të Diabetit, si një sëmundje e cila çdo ditë e më shumë po kërcënon njerëzimin.
Sipas disa të dhënave, numri i pacientëve me diabet në botë është mbi 4 milionë dhe pritet që diku mbas 15 viteve ky numër të rritet mbi 600 milionë.
Diabeti është një sëmundje e cila po nuk u zbulua dhe u trajtua me kohë, mund të çojë dhe në shumë sëmundje të tjera.
Diabeti është zbuluar qysh në kohën e egjiptianëve të vjetër, ku janë gjetur shënime në papiruse të vjetra, të cilat janë deshifruar më vonë. Mendohet se në atë kohë Diabeti është diagnostikuar duke shijuar urinën e ëmbël.
Edhe në Kosovë ka rritje të sëmundjes së diabetit të tipit 2, ku janë të regjistruar diku rreth 12000 pacientë, të cilët marrin insulina dhe barna të tjera anti-diabetike.
Diabeti apo sëmundja e sheqerit është një çrregullim metabolik që karakterizohet me rritje të nivelit të sheqerit në gjak si pasojë e zvogëlimit të sekretimit ose veprimit të insulinës apo kombinimit të këtyre dy faktorëve e që kjo çon në çrregullim të metabolizmit të karbohidrateve, proteinave, yndyrave dhe dëmtim gradual të gjitha indeve. Diabeti është i përhapur në tërë botën dhe prekë të gjitha moshat dhe përafërsisht i prekë njëjtë të dy gjinitë.
Dallojmë disa forma të diabetit e ne do t’i veçojmë:
Diabeti tip 1 i cili shfaqet te të rinjtë nën moshën 30 vjeçare dhe kulminacionin e arrin në moshën e pubertetit. Shkaktohet si pasojë e një procesi autoimun i cili bënë shkatërrimin e beta qelizave të pankreasit që sekretojnë insulinë. Këtu kemi të bëjmë me mungesë absolute të insulinës dhe ky tip i diabetit mjekohet vetëm me insulinë.
Diabeti tip 2 paraqitet tek personat mbi moshën 40 vjeçare. Pankreasi i këtyre pacientëve mund të prodhojë insulinë por jo në sasi të mjaftueshme, ose insulina të cilën e prodhon pankreasi hasë në një rezistencë në inde. Edhe pse më i shpeshtë është në moshën mbi 40 vjeçare, Diabeti fatkeqësisht ka filluar të paraqitet edhe në moshat më të reja si pasojë e stilit jo të rregullt të jetës, përdorimit të ushqimeve jo të shëndetshme dhe jetës jo-aktive. Obeziteti dhe trashëgimia janë shkaktarët kryesor të diabetit tip 2. Fatkeqësisht, obeziteti ka një trend të rritjes viteve të fundit dhe me miliona njerëz vuajnë nga diabeti si pasojë e obezitetit dhe mendohet se situata në të ardhmen do të përkeqësohet edhe më shumë.
Mjekohet me dietë, aktivitet fizik dhe barëra perorale e në disa raste edhe me insulinë.
Diabeti i shtatzënisë – paraqitet zakonisht tek një përqindje e vogël e grave shtatzëne, diku rreth javës së 24-28 të shtatzënisë, kur organizmi ka nevojë më tepër për insulinë. Prandaj ju propozohet grave shtatzëne të bëjnë OGTT (testin e ngarkesës orale me glukozë) në javën e 24-të ashtu që të parandalohen komplikimet e shtatzënisë. Më tepër paraqitet tek gratë me mbipeshë dhe te ato të cilat kanë familjarë me diabet. Pas lindjes në shumicën e pacienteve glikemia ju stabilizohet, mirëpo ju preferohet që kohë pas kohe të kontrollojnë glikeminë sepse në disa raste, pas disa viteve, Diabeti mund të ju rikthehet.
Shenjat apo simptomat e diabetit?
Simptomat janë urinimi i shpeshtë, etja, uria e vazhdueshme ose humbja e peshës. Nëse keni këto simptoma, këshilloheni të matni glikeminë esëll dhe dy orë pas buke. Nëse vlerat e glikemisë janë mbi 7 esëll dhe 11.1 dy orë pas buke, lajmërohuni te endokrinologu.
Çfarë duhet bërë për të kontrolluar ose parandaluar diabetin?
Së pari, për ta parandaluar diabetin preferohet që çdo njëri e sidomos ata me predisponim gjenetik, meqë një nga shkaktarët është edhe trashëgimia, ta reduktojnë peshën nëse janë mbipeshë ose obez, ta ndërrojnë stilin e jetës, pra të ushqehen shëndetshëm dhe të jenë më aktiv.
Ndërsa te pacientët me diabet preferohet që vlerat e glikemisë të mbahen në nivele të përafërta me ato normale, HbA1c të jetë më e vogël se 7% (HbA1c testi na jep të dhëna për nivelin e sheqerit në gjak gjatë tre muajve të fundit), yndyrat dhe tensioni të jenë në kufi normal. Pacientët që kanë diabet me vite preferohet të vizitojnë një herë në vit oftalmologun, kardiologun, neurologun dhe nefrologun dhe t’i bëjnë analizat biokimike. Po ashtu kontrolloni shputat e juaja.
Diabeti është sëmundje që kërkon disiplinë dhe menaxhim të mirë të glikemisë në mënyrë që të parandalohen komplikimet që mund të paraqiten pas disa viteve si retinopatia diabetike ose humbja graduale e të pamurit, që paraqitet diku 5 vite pas diagnostikimit me diabet, mandej nefropatia diabetike ose dëmtimi i veshkave, që është shkaktari më i shpeshtë që pacientët mund të përfundojnë në dializë e kjo zakonisht paraqitet diku 10 vite pas fillimit të diabetit. Komplikim tjetër është polineuropatia diabetike e cila nënkupton dëmtimin e sistemit nervor periferik dhe kryesisht i prekë gjymtyrët e poshtme. Është çrregullimi më i shpeshtë të cilin 7% të pacientëve e kanë në momentin e zbulimit të sëmundjes dhe 40% e zhvillojnë brenda 15-20 viteve. Komplikime tjera janë edhe sëmundjet kardiovaskulare që janë edhe shkaktari më i shpeshtë i vdekjes. Faktor kryesor për sëmundje kardiovaskulare janë hipertensioni, yndyrat e larta që po ashtu kërkojnë menaxhim të mirë sikurse glikemia.
Diabeti nuk shërohet por trajtohet, prandaj pacientët me diabet duhet ta pranojnë këtë realitet dhe ta mbajnë në kontroll diabetin duke qenë të disiplinuar dhe të vizitojnë mjekun me rregull.
Trajtimi i diabetit mbështetet në katër shtylla: Dietë, Aktivitet fizik, Medikamente të grupeve të ndryshme dhe Insulinë. Diabeti tip 1 dhe Diabeti i shtatzënisë mjekohen vetëm me insulinë, kurse Diabeti tip 2 me medikamente dhe insulinë.
Merrni terapinë me rregull sipas rekomandimeve të mjekut!
Sa i përket shërimit të plotë të diabetit, janë bërë studime në lidhje me transplantimin e qelizave staminale (stem cells) që kanë aftësinë e formimit dhe regjenerimit të qelizave identike në organizëm që kanë aftësi të prodhojnë insulinë ngjashëm si qelizat beta të pankreasit. Këto qeliza merren nga fetusi, kordoni umbilikal ose palca kockore. Mendohet se kjo metodë në të ardhmen do të përdoret për shërimin e diabetit por duhet të bëhen ende shumë studime. Një metodë tjetër që ka bërë revolucion për shërbim të diabetit është edhe transplantimi i ishujve të pankreasit, mirëpo fatkeqësisht një përqindje e vogël arrin që mos ta hedhin tranplantin edhe pse këta pacientë trajtohen me imuno-supresorë. Kjo procedurë është shumë e shtrenjtë dhe nuk ofrohet në rajon
Cilat ushqime preferohen për t’u konsumuar dhe cilat jo te një diabetik?
Dieta është një prej katër elementeve kryesore të trajtimit të diabetit. Ka rol shumë të rëndësishëm sidomos te pacientët me diabet tip 2 që kanë mbipeshë ose obezitet. Rënia e peshës përmirëson glikeminë, tensionin, yndyrat por nuk preferohet rënia e menjëhershme në peshë. Rekomandohen 5-6 shujta në ditë, 3 kryesore dhe 2-3 mes-shujta. Mund të konsumojnë çdo lloj ushqimi por duhet të kenë kujdes në sasi dhe kombinimet e ushqimeve. Shujta duhet të përmbajnë 50% karbohidrate, 30% lipide, 20% proteina. Në mes-shujtë preferohen frutat se kanë një sasi të mjaftueshme të sheqerit dhe e parandalojnë rënien e sheqerit në gjak (hipoglikeminë), janë të pasura me vitamina, fibra, anti-oksidante. Por duhet me pas kujdes në hurma, banane, fiq, rrush dhe shalqi sepse kanë më tepër sheqer. Preferohen të gjitha llojet e perimeve. Prej proteinave bimore përdorni fasule, thjerrëza, bizele, arra, bajame, etj. Sa i përket proteinave shtazore përdorni mishin e bardhë të pulës, peshqit, mishin e kuq dy herë në javë, prodhimet e qumështit që përmbajnë 1.5% yndyrë, etj. Ndërsa prej yndyrave preferohen ato bimore, sidomos vaji i ullirit. Konsumoni sa ma shumë ushqime që përmbajnë fibra. Evitoni sa më shumë ushqimet e skuqura dhe parapëlqeni ato të freskëta, të ziera apo të pjekura.
Për fund një këshillë si mund të ruhemi nga sëmundja e diabetit?
Të qenurit i shëndetshëm është një zgjidhje, jo një dhuratë. Prandaj, përmirësoni stilin e jetës: mbani peshë normale, hani shëndetshëm dhe bëhuni aktiv. /www.familjadheshendeti.com