Një tregim prekës, që na bën të kuptojmë se në këtë botë nuk ka njerëz me dhimbje dhe pa dhimbje por ka njerëz që durojnë dhe që nuk durojnë.
Hyri një kirurg me të shpejt në spital, pasi e kishin thirr urgjent për një ndërhyrje të shpejt kirurgjike të një të sëmuri.
Iu përgjigj thirrjes menjëherë dhe me të shpejt arriti në spital, i ndërroi rrobat, u pastrua dhe u përgatit për ndërhyrje kirurgjike.
Para se të hyj në sallën e operimit e takoi babanë e të sëmurit i cili lëvizte djathtas majtas dhe shenjat e hidhërimit dukeshin qartë në fytyrën e tij,
Sa po e pa mjekun filloi ti bërtas duke i thënë: Çka është kjo vonesë o doktor! A nuk e di se jeta e djalit tim është në rrezik? A nuk posedon kurrfarë ndjenja përgjegjësie?
Buzëqeshi mjeku dhe me butësi i tha: Më fal o vëlla, nuk isha në spital, dhe posa më telefonuan erdha me të shpejt aq sa munda. Dhe tani të lutem qetësohu, dhe më lejo ta bëj punën time dhe ke besim se djali yt do të jetë nën kujdesin e Zotit dhe në duar të sigurta.
Nuk u qetësua zemërimi i babait dhe me gjaknxehtësi i tha kirurgut: Qetësohu?! Sa i ftohtë që je more vëlla, po sikur të ishte jeta e djalit tënd në pyetje a do të ishe qetësuar?!, po sikur të vdiste djali yt çfarë do të bëje?!
Buzëqeshi mjeku dhe tha: do të thosha: “Të Zotit jemi, dhe tek Ai do të kthehemi“, a ka për njeriun tjetër fjalë? Dhe o vëlla dije se mjeku as nuk e zgjat jetën e as nuk e shkurton atë, jetët tona janë në dorë të Zotit , ne do të bëjmë ç’është e mundur ta shpëtojmë, mirëpo çështja është shumë serioze, dhe nëse ndodh diçka duhet të mbështetesh te Zoti.
E lëvizi kokën babai në formë talljeje dhe tha: Sa e lehtë është këshilla kur nuk të prek dhimbja dhe nuk e ndjen atë.
Hyri kirurgu në sallën e operimeve, zgjati operacioni për disa orë, doli pastaj kirurgu me të shpejtë dhe i tha babait të të operuarit: Urime o vëlla, operacioni ishte plotësisht i suksesshëm, dhe se djali yt shumë shpejt do të përmirësohet. Tani më fal se jam për ngut, infermierja do t’ua sqaroj gjendjen e tij në detaje.
U mundua babai t’ia drejtoj disa pyetje tjera mjekut, por ai me të shpejt u largua.
Priti babai disa minuta derisa doli djali i tij prej sallës së operacionit në shoqërimin e infermieres, pasi u qetësua për birin e tij iu drejtua infermieres: Oj motër çka është puna e këtij kirurgu arrogant, nuk priti as një minutë që ta pyes për gjendjen e djalit tim?
Befas iu mbushën sytë me lot infermieres dhe tha: Eh more vëlla, mbrëmë i ka vdekur doktorit djali i tij në një aksident, dhe ishte duke u përgatitur për ceremoninë e varrimit të tij kur e thirrëm që të vinte urgjent. Sepse nuk kemi kirurg tjetër këtu, dhe ja ai shkoi me të shpejt që ta përgatis kufomën, e ka lënë dhimbjen e tij që ta shpëtoj jetën e djalit tënd.
Përshtati : Blerim Emini – Psikolog /FamiljadheShëndeti