EH…! HESHTA

Nga Fatmir Baci

Dallgë vijash bardhë e zi,
Më lanë një fllad fëshfëritje,
Mornicat brodhën dallgëzuar,
Drithmë gjëmbaçe në lëkurë,
Pritja e freskisë që prisja,
Më la sërish atje në pritje,
Në rrjedha shprese i harruar,
E në breg braktisja,
Shkoi e s’vjen më kurrë.

* * *
U paqtua drithërima,
Urtësisht me vetminë,
Zemra në ca fjalë ndaloi,
Duket se as nuk po rreh,
Shtegtuan timgujt përmbi re,
U shkrinë në fëshfërimë,
Fsheha braktisjen që kaloi,
E nuk e vura re,
Se edhe ajo m’u fsheh.

* * *
Atje i kyça edhe tingujt,
Te gazi i hapit të lumtur,
Me dritë sysh të qeshur,
Mekatin lashë atje pertej,
Rrugëve me vija bardhë e zi,
Brodha si ushtar i mundur,
Do hesht me ëndrrat veshur,
E kohë më pas s’e di,
Krejt ndryshe do rrëfej. /Familjadheshendeti.com