A ka mundësi të ushqehet me gji një fëmijë me Sindromin Down?
Cilat vështirësi do të kalojë?
Sa e rëndësishme është gjidhënia për këta fëmijë?
Sa e vështirë është për një nënë kur sjellë në jetë një fëmijë me Sindromin Down tek ne?
Fëmija ka lindur dhe paragjykimet fillojnë menjëherë!
Nga Dr. Ismail Lutolli
Specialist Pediatër
subspecialist Dietolog-Nutricionist
“Pamja duket më ndryshe, fëmija është më i “veçantë”, shikimet janë dyshuese, dekurajuese e shprehje të dhimbjes”.
Fëmija shpeshherë ndahet fizikisht nga nëna në spital për t’i bërë analizat përkatëse për Sindromin Down dhe e tërë kjo rrezikon procesin e gjidhënies.
Të ushqyerit me gji duket mision i pamundur për një nënë me fëmijë të tillë e edhe më i pamundur duket për rrethin familjar. Mjerisht shpeshherë i pamundur duket edhe për personelin mjekësor që është në kontakt me një nënë të tillë. Pra gjithçka fillon në mënyrën jo të duhur ashtu siç nuk do të duhej.
Sa e rëndësishme është gjidhënia për fëmijët me Sindrom Down?
Gjidhënia është procesi më i shëndetshëm që mund ti ofrohet një të porsalinduri. Këtu nuk bëjnë asnjë përjashtim fëmijët e lindur me Sindromin Down.
Përkundrazi këta fëmijë kanë nevojë edhe më të madhe sesa fëmijët e zakonshëm, pikërisht për shkak të problemeve shëndetësore me të cilat ballafaqohen, përfshirë një imunitet të dobësuar dhe eventualisht edhe ndonjë intervenim kirurgjik të mundshëm. Gjidhënia është gjithçka që i duhet një të porsalinduri sa i përket ushqyeshmërisë.
Cilat janë përparësitë e gjidhënies të këta fëmijë?
- Pakëson infeksionet në rrugët e frymëmarrjes. Për shkak të ngushticës së kanalit të hundës, kemi një rrjedhje të sekreteve në masë më të shtuar dhe për pasojë mund të kemi infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes më të shpeshta. Gjidhënia ka rol esencial të ndihmojë në mbrojtjen imunitare dhe tejkalim më të eshtë të këtyre problemeve.
- Gjidhënia përforcon muskujt e gojës dhe gjuhës që kanë një rëndësi shumë të madhe në zhvillimin e të folurit te këta fëmijë.
- Gjidhënia pakëson mundësinë e problemeve të traktit tretës. Si pasojë e infeksioneve të shpeshta, mundësia e problemeve të traktit tretës te këta fëmijë është e shtuar. Gjidhënia ka një rol të rëndësishëm në zvogëlimin e kësaj përqindjeje.
- Gjidhënia i mbron këta fëmijë nga infeksionet e ndryshme dhe ndikon direkt në rritjen e mbrojtjes imunitare.
- Gjidhënia ndikon në zhvillim të sistemit nervor qendror.
Qumështi i nënës përmban DHA (Docosahexaenoic Acid). Studimet kanë dëshmuar rëndësinë e këtij elementi në zhvillimin e duhur të trurit.
- Gjidhënia, lidhje e fortë emocionale nënë – fëmijë.
Të fëmijët me Sindromin Down, kjo është esenciale dhe me rendësi shumë të madhe. Përmes gjidhënies një nënë do ofrojë tërë dashurinë, ngrohtësinë, butësinë e mbi të gjitha do i ofrojë sigurinë emocionale. Kjo siguri ka rol direkt në zhvillimin e duhur në fëmijëri por edhe ne fazat e mëvonshme.
Ngrohtësia dhe siguria që një fëmijë ndjen në kraharorin e nënës gjatë procesit të gjidhënies, është e pa përshkruar. Zhvillimi i përgjithshëm më vonë është më i lehtë nëse një fëmijë ka kaluar këtë proces.
- Gjidhënia preventive e reaksioneve alergjike.
Përmes gjidhënies zvogëlohet në minimum mundësia e reaksioneve të mundshme alergjike te këta fëmijë.
Si të realizojmë procesin e gjidhënies te fëmijët e lindur me Sindrom Down?
Fëmijët e lindur me Sindrom Down, kanë disa vështirësi më të mëdha se fëmijët tjerë, por të mundshme për tu tejkaluar. Ndiqni këshillat e mëposhtme për të qenë të suksesshëm:
- Konsultohuni me mjek përgjegjës pediatër dhe përkrahës të procesit të gjidhënies. Kjo ka shumë rëndesi pasi do t’i tejkaloni me lehtësi pengesat dhe nuk do të hiqni dorë nga ky proces. Te “Familja dhe Shëndeti” do të gjeni tërë ndihmën e nevojshme në çdo kohë si në aspektin profesional ashtu njerëzor e human.
- Kanë tonus muskular pak më të dobët dhe kjo e bën më të vështirë procesin e gjidhënies, më të vështirë si fillim. Mbajtja e thithave të gjinjve me duar nga nëna në fillim, shpeshherë është e nevojshme.
- Pozicioni i fëmijës gjatë gjidhënies duhet patjetër të jetë me kokën e ngritur, pra jo në pozitë horizontale. Të këta fëmijë mund të kemi edhe probleme me aktin e gëlltitjes, andaj ky pozicion bëhet i domosdoshëm. Për këtë mund të përdoren edhe jastëkët e gjidhënies.
- Kontakti lëkurë me lëkurë nxitë stimulime të rëndësishme si për foshnjën ashtu edhe për nënën.
- Fëmijët me Sindrom Down shpesh janë të përgjumur, andaj ka shumë rëndësi që procesi i gjidhënies të realizohet sa më shpesh gjatë ditës, më së largu në dy orë dhe gjatë natës jo më rrallë se në tre orë. Në muajin e parë gjidhënia është edhe më mirë të realizohet edhe më shpesh nëse fëmija juaj kërkon.
- Provoni që gjatë kohës sa e keni të vendosur në gji, ta mbani zgjuar duke e ngacmuar në ekstremitete apo të veshët, hunda etj. E rëndësishme të jetë zgjuar dhe jo të bëj gjumë duke qenë në krahrorin tuaj.
- Gjatë dy tre javëve të para, ka mundësi që fëmija juaj nuk do të ketë forcë të mjaftueshme që të ngopet duke thithur. Nëse nuk po shton peshë dhe e ndjeni se thithja është e pakët për këtë shkak, atëherë pas çdo vakti të gjidhënies mund të nxirrni me pompë nga gjinjtë tuaj dhe pastaj me një lugë apo shiringë ti jepni edhe disa mililitra. Kjo vetëm në fillim, pasi me kalimin e dy tre javëve të para, fëmija juaj nuk do të ketë më këtë problem.
- Gjidhënia mund të vendoset edhe pas disa javëve vështirësie. Ka shumë raste që nënat me fëmijët me Sindrom Down, kanë probleme të mëdha në fillimin e gjidhënies dhe duke mos pasur asnjë mundësi që të ushqejnë direkt duke vendosur në gjinj, ndjekin rrugën alternative duke nxjerrë qumështin e gjirit me pompë dhe duke ja dhënë fëmijës me biberon ose shiringë. Ka raste që kjo ngelet e vetmja rrugë në fillim? Por me kalimin e javëve të para kur fëmija shton peshë dhe kur refleksin e gëlltitjes e përforcon, pastaj ka mundësi të mëdha që të kalohet në ushqim vetëm me gjidhënie, pra direkt në gjinj. Kjo mënyre ngelet vetëm në raste kur janë shterur të gjitha mundësitë (këto janë raste të rralla).
- Fëmija juaj me Sindromin Down mund të mos ketë ecje të shpejtë në peshë, por mos u dorëzoni – vazhdoni vetëm me gjidhënie. Nëse shtimi në peshë është 130 deri 150 gr në javë, atëherë shtimi është i kënaqshëm dhe nuk duhet të dëshpëroheni e as të dekurajoheni, por të vazhdoni me gjidhënie pa u ndalur. Me kalim të muajit të parë, gjërat do të ecin duke u lehtësuar.
- Për gjidhënie të suksesshme ka shumë nevojë që edhe ju si nënë të ushqeheni e pushoni mjaftueshëm. Kjo është e domosdoshme. Lexo këshillat praktike që ju si nënë duhet t’i zbatoni. https://www.familjadheshendeti.com/si-te-shtoni-qumeshtin-e-gjirit/
- Të gjithë ju që po e lexoni dhe keni në familje gruan, motrën apo dikë të afërt me fëmijë me Sindrom Down, mos u kurseni të gjeni fjalët më të mira të përkrahni pa ndalur. Këto nëna nuk janë për mëshirë por meritojnë përkrahje dinjitoze.
12. Për mjekët që po lexojnë, ju lutem përkrahni nënat e tilla t’ia dalin në procesin e gjidhënies, përkrahni sepse kjo është ndihma më e madhe që mund të bëni për ata fëmijë.
Është rrugë e vështirë por e mundur, krejtësisht e mundur dhe me rëndësi të jashtëzakonshme për rritje dhe zhvillim të shëndoshë të këtyre fëmijëve.
Të ushqesh me gjidhënie një fëmijë me Sindromin Down, kërkon një përgjegjësi të kufizuar, sakrificë e mundim, kërkon durim të madh e besa edhe besim në vetvete dhe përkrahje nga rrethi juaj. Por mbi të gjitha është një sakrificë që do të shpaguhet tërë jetën mbi shëndetin e fëmijës tuaj.
Shëndeti jeta dhe lumturia ka një emër www.familjadheshendeti.com