Intervistoi: Hafize F.Elshani, gazetare
Diabeti është një gjendje shëndetësore serioze, i cili po nuk u trajtua, mund të çojë në sëmundjet e zemrës, verbëri, mosfunksionim veshkash dhe komplikime të tjera që rrezikojnë jetën.Në mbarë botën po jepet alarmi se diabetikët po shtohen në masë. Edhe Kosova, pavarësisht shifrave të deritanishme, duket se nuk bën ndonjë dallim thelbësor nga pjesa tjetër e botës.
Vitet e fundit diabeti është bërë një nga sëmundjet më të frikshme, me tendencë të lartë për të prekur edhe moshat e reja.Mosushqyerja në mënyrën e duhur, ushqimet me hormone, jeta sedentare, si dhe një mori arsyesh të tjera, kanë bërë që numri i diabetikëve në Kosovë të arrijë nivele të larta, edhe pse nuk kemi ende raportime të sakta nga institucionet shtetërore përkatëse. Në një intervistë ekskluzive për gazetën me karakter tërësisht shëndetësor, “familja dhe shëndeti” flet për të rejat më të fundit rreth diabetit, Dr.Ardiana Perjuci-Begolli: Interniste- endokrinologe.
Specialistja e kësaj çështje Dr. Ardiana është përgjigjur në lidhje me sëmundjen e diabetit dhe ka treguar se cilet është shkaktari i kësaj sëmundje dhe cilat janë masat që duhet merrur po ashtu sit ë mbrohemi dhe ta gëzojm një shëndet të plotë:
Çfarë është Diabeti?
Diabeti apo sëmundja e sheqerit është një çrregullim metabolik që karakterizohet me rritje të nivelit të sheqerit në gjak si pasojë e mungesës së plotë apo të pjesshme të insulinës, rezistencës së veprimit të insulinës apo kombinimit të këtyre dy faktorëve, e që kjo çon në çrregullim të metabolizmit të karbohidrateve, proteinave, yndyrave dhe dëmtim gradual të gjitha indeve.
Diabeti është i përhapur në tërë botën dhe prekë të gjitha moshat dhe përafërsisht i prekë njëjtë të dy gjinitë. Ka tendencë të rritjes në mosha të reja si pasojë e përdorimit të ushqimeve jo të shëndetshme dhe jetës jo-aktive e që këta faktorë po e qojnë rininë nga obeziteti. Në Kosovë ka rritje të sëmundjes së diabetit të tipit 2, ku janë të regjistruar diku rreth 12000 pacientë, të cilët marrin insulina dhe barna të tjera anti-diabetike. Dallojmë disa forma të diabetit e ne do ti veçojmë:
Diabeti tip 1: i cili shfaqet te të rinjtë nën moshën 30 vjeçare dhe kulminacionin e arrin në moshën e pubertetit. Shkaktohet si pasojë e një procesi autoimun i cili bënë shkatërrimin e beta qelizave të pankreasit që sekretojnë insulinë. Këtu kemi të bëjmë me mungesë absolute të insulinës dhe ky tip i diabetit mjekohet vetëm me insulinë.
Diabeti tip 2: paraqitet tek personat mbi moshën 40 vjeçare. Pankreasi i këtyre pacientëve mund të prodhojë insulinë por jo në sasi të mjaftueshme ose insulina të cilën e prodhon pankreasi hasë në një rezistencë në inde. Edhe pse më i shpeshtë është në moshën mbi 40 vjeçare, fatkeqësisht kjo sëmundje ka filluar të paraqitet edhe në moshat më të reja si pasojë e rritjes se trendit të obezitetit. Obeziteti dhe trashëgimia janë shkaktarët kryesor të diabetit tip 2.
Diabeti i shtatzënisë: paraqitet zakonisht tek një përqindje vogël e grave shtatzëne, diku rreth javës së 24-28 të shtatzënisë, kur organizmi ka nevojë më tepër për insulinë. Prandaj ju propozohet grave shtatzëne të bëjnë OGTT (testin e ngarkesës orale me glukozë) në javën e 24 të ashtu që të parandalohen komplikimet e shtatzënisë. Më tepër paraqitet tek gratë me mbipeshë dhe te ato të cilat kanë familjarë me diabet. Pas lindjes në shumicën e pacienteve glikemia ju stabilizohet, mirëpo ju preferohet që kohë pas kohe të kontrollojnë glikeminë sepse në disa raste pas disa viteve Diabeti mund të ju rikthehet.
Cilat janë kriteret për diagnostikim të diabetit?
Kriteret për diagnostikim të diabetit janë simptomat e diabetit dhe vlerat e glikemisë (sheqerit) të rritura.
Glikemi esëll mbi 7, Glikemia 2 ore pas ushqimit mbi 11.1, HbA1c më e larte se 6.5 %
Cilat janë simptomat e diabetit?
Simptomat janë urinimi i shpeshtë, etja, uria e vazhdueshme, humbja e peshës, lodhje, djersitje, plagët vështirë shërohen, turbullim i të pamurit. Nëse keni këto simptoma, këshilloheni të matni glikeminë esëll dhe dy orë pas buke. Nëse vlerat e glikemisë janë si ato që u thanë pak më parë, lajmërohuni te endokrinologu.
Cilët persona duhet të testohen për Diabet?
Për diabet duhet të testohen të gjithë personat mbi moshën 45 vjeçare, personat që kanë simptomat e lartpërmendura, personat që kanë anëtarë të familjes me diabet, personat me mbipeshë dhe ata që bëjnë jetë jo aktive, ata që kanë yndyra të larta e sidomos trigliceridet, personat që vuajnë nga Hipertensioni arterial, gratë shtatzëne në javën e 24 të shtatzënisë, dhe femrat që vuajnë nga vezoret policistike
Pse është i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm i diabetit?
Diagnostikimi i hershëm i diabetit ka rëndësi të veçantë sepse fillohet me trajtim të menjëhershëm dhe në këtë mënyrë parandalohen komplikimet akute dhe kronike të sëmundjes.Diabeti është një prej shkaktarëve të verbërimit, sëmundjeve të zemrës, sëmundjes së veshkave ku këta pacient përfundojnë në dializë si dhe shumë komplikimeve tjera.
Cilat janë ushqimet që ndihmojnë për të mbajtur glikeminë afër normales?
Trajtimi i diabetit bazohet në katër shtylla si: dieta, aktiviteti fizik, medikamentet perorale dhe insulina. Dieta ka rol shumë të rëndësishëm sidomos te pacientët me diabet tip 2 që kanë mbipeshë ose obezitet. Ushqimi te diabetikët duhet të jetë i shëndetshëm dhe të ju sigurojë vlerat energjetike dhe ushqyese këtyre pacientëve, nuk duhet të jetë i mangët e as i tepërt. Rënia e peshës përmirëson glikeminë, tensionin, yndyrat por nuk preferohet rënia e menjëhershme në peshë.Rekomandohen 5-6 shujta në ditë, 3 kryesore dhe 2-3 mes-shujta.Mund të konsumojnë çdo lloj ushqimi por duhet të kenë kujdes në sasi dhe kombinimet e ushqimeve.Shujta duhet të përmbajnë 50% karbohidrate, 30% lipide, 20% proteina.
Çfarë roli kanë karbohidratet?
Karbohidratet luajnë rol të rëndësishëm në organizëm sepse janë burim i energjisë në organizëm.Prandaj edhe duhet të përbëjnë pjesën kryesore të ushqimit.
Gjenden në brumëra, patate, oriz, drithëra, qumësht dhe produkte të qumështit, pemë, perime, ëmbëlsira, makarona, pije të gazuara, etj. Preferohet të konsumohen më tepër patatet, drithërat, perimet sepse përthithen më ngadalë prej zorrëve dhe nuk e rrisin shpejt glikeminë.Në mes-shujtë preferohen frutat se kanë një sasi të mjaftueshme të sheqerit dhe e parandalojnë rënien e sheqerit në gjak, apo hipoglikeminë.Janë të pasura me vitamina, fibra, anti-oksidante.Por duhet me pas kujdes në hurma, banane, fiq, rrush dhe shalqi sepse kanë më tepër sheqer.Preferohen të gjitha llojet e perimeve.
Çfarë roli kanë proteinat?
Proteinat luajnë rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe ruajtjen e indeve.Tek pacientët me diabet, proteinat nuk e rrisin glikeminë shpejtë.Proteinat kanë prejardhje bimore dhe shtazore.Nga ato bimore përdorni fasule, thjerrëza, bizele, arra, bajame, etj.Sa i përket proteinave shtazore përdorni mishin e bardhë të pulës, peshqit, mishin e kuq dy herë në javë, prodhimet e qumështit që përmbajnë 1.5% yndyrë, etj.
Çfarë roli kanë yndyrat?
Yndyrat janë po ashtu një burim tjetër i energjisë, ndihmojnë tretjen e vitaminave A, E, D dhe marrin pjesë në ndërtimin e membranës qelizore.Me yndyra duhet me pas kujdes sepse ndikojnë në shtimin e peshës.Yndyrat po ashtu kanë prejardhje bimore dhe shtazore.Prej yndyrave preferohen ato bimore, sidomos vaji i ullirit.Konsumoni produktet e qumështit me pak yndyrë, preferohet mishi i peshkut, i pulës, mishi i viçit me pak yndyrë 1-2 herë në javë. Evitoni sa më shumë ushqimet e skuqura dhe parapëlqeni ato të freskëta, të ziera apo të pjekura.
Konsumoni sa ma shumë ushqime që përmbajnë fibra, sepse e pengojnë përthithjen e sheqerit në gjak, luajnë rol të rëndësishëm në sistemin e tretjes, e evitojnë kapsllëkun. Gjinden më së shumti në pemë dhe perime.Pini ujë deri në 6-8 gota në ditë.
Çfarë roli kanë vitaminat dhe mineralet?
Vitaminat dhe mineralet janë thelbësore sepse trupi ynë nuk e ka aftësinë t’i prodhojë, prandaj nëse nuk merren sasitë e nevojshme atëherë diabetin mund ta shoqërojnë edhe sëmundje tjera. Vitaminat dhe mineralet bashkëveprojnë në shumicën e rasteve mes veti si p.sh vitamina D ndihmon përthithjen e kalciumit nga zorrët, vitamina C ndihmon përthithjen e hekurit…
Është më se e nevojshme që pacientët me diabet të marrin suplemente por jo të teprohet marrja e tyre. Studimet kanë treguar që vitamina D luan rol të rëndësishëm në kontrollin e glikemisë në gjak, si dhe përmirësimin e veprimit të insulinës duke e ulur rezistencën insulinike.Vitamina B1 dhe B12 përmirësojnë problemet me mpirjen dhe dhimbjen e shputave, e po ashtu përmirësojnë kujtesën.Ju preferohet pacientëve që mjekohen me metformin, që të kontrollojnë nivelin e Vit.B12.Magneziumi ndihmon në veprimin e insulinës. Pacientët diabetik po ashtu kanë nevojë për vit.C, vit.E, Vit.B6, jod , selen, Omega 3, acidin L lipoik.
Cilat janë vitaminat që ulin rrezikun për Diabet?
Ka studime që flasin për ndikimin pozitiv të vitaminës D në parandalimin e diabetit, por kjo mbetët të vërtetohet me kohë.
Çfarë roli ka kripa te këta persona?
Pacientët me diabet preferohen të zvogëlojnë marrjen e kripës sepse kështu e parandalojnë shfaqjen e hipertensionit, sëmundjen e veshkës, sëmundjet e zemrës.
A duhet hequr dorë nga pijet e gazuar dhe me ngjyrë?
Patjetër, rreptësishtë janë të ndaluara. Mund të përdoren lëngjet nga pemët e shtrydhura, por në sasi të vogël sepse aty koncentrohet sheqeri i dy 2 apo 3 frutave.
Si ta luftojmë diabetin?
Diabeti është sëmundje e cila kërkon disiplinë dhe menaxhim të mirë të glikemisë në mënyrë që të parandalohen komplikimet që mund të paraqiten pas disa viteve. Preferohet një regjim dietetikë dhe aktivitet fizik. Vlerat e glikemisë të mbahen në nivele të përafërta me ato normale, HbA1c të jetë më e vogël se 7% (HbA1c testi na jep të dhëna për nivelin e sheqerit në gjak gjatë tre muajve të fundit,). Mbani shënime për vlerat e glikemisë, yndyrave dhe tensioni arterial të jenë në kufi të normales.Pacientët që kanë diabet me vite preferohet të vizitojnë një herë në vit oftalmologun, kardiologun, neurologun dhe nefrologun dhe t’i bëjnë analizat biokimike.Po ashtu kontrolloni shputat e juaja.
Çfarë duhet bërë për të parandaluar diabetin?
Së pari, për ta parandaluar diabetin preferohet që çdo njëri e sidomos ata me predisponim gjenetik, meqë një nga shkaktarët është edhe trashëgimia, ta reduktojnë peshën nëse janë mbipeshë ose obez, ta ndërrojnë stilin e jetës, pra të ushqehen shëndetshëm dhe të jenë më aktiv, dhe të kontrollojnë glikeminë së paku një here në vit.
Çka nënkupton trajtimi individual?
Çdo pacient trajtohet në mënyre individuale, dhe kjo kushtëzohet nga disa faktorë: mosha e pacientit, pesha e tij (varësisht nga pesha caktohet plani i dietës), se sa janë të disiplinuar pacientët që do të thotë se sa i përmbahen rekomandimeve te mjekut, prezenca e sëmundjeve shoqëruese.
Diabeti nuk shërohet por trajtohet, prandaj pacientët me diabet duhet ta pranojnë këtë realitet dhe ta mbajnë në kontroll diabetin duke qenë të disiplinuar dhe duke vizituar mjekun e tyre me rregull.
Thjeshtë, të qenurit i shëndetshëm është një zgjidhje, jo një dhuratë. Prandaj, përmirësoni stilin e jetës: mbani peshë normale, hani shëndetshëm dhe bëhuni aktiv.
Ju jeni kontribuuese në platformën Familja dhe Shëndeti.Sa mendoni që kjo platformë ka mbërri në familjet Kosovare?
Falë aktivitetit të pa kursyer të organizatorëve por edhe të bashkëpunëtorëve mendoj që kjo platformë ka mbërri mjaftë shumë në familjet shqiptare do të thoja, e këtë na dëshmon më së miri kërkimi i vazhdueshëm i ndihmës nga një numër i konsiderueshëm i qytetarëve tonë nga gjitha trojet por çuditërisht edhe nga diaspora.
Familja dhe Shëndeti a është bërë ndihmë për familjet? Si e vlerësoni?
Po, patjetër.E tregon interesi, komunikimi interaktiv i anëtarëve, pyetjet e vazhdueshme publike e private. Mendoj që kjo platformë është bërë ndihme për shumë familje duke ju falënderuar vullnetit dhe gatishmërisë së mjekëve të profileve të ndryshme për të ju përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të adresuara, për të ofruar shkrime informative dhe këshilla për sëmundje apo medikamente, gjithnjë me qëllim të vetëm të vetëdijesimit të popullatës në lidhje me shëndetin e tyre. Dhe të gjitha këto në baza vullnetare, duke tentuar që sadopak të ndihmojmë popullatën tonë falas me shpresë të një bamirësie./familjadheshëndeti