Nga Prof. Elmaz Fida
Ishte viti 2008 dhe ime bijë kishte në klasën e dytë fillore. Dy tre djem çamarokë në klasë kishin filluar ta bezdisin, talleshin dhe e vinin në lojë, aq më tepër që i mbahej dhe goja. Duke qenë se ankesat po shtoheshin dhe se mësuesja, mesa duket, nuk po ia dilte mbanë, vendosa të shkoj vetë tek shkolla.
Pasi takova zyshën dhe i tregova si qëndron problemi, shprehu indinjatën e saj për rastin dhe se i kishte konsumuar të gjitha format, por pa dobi.
Mirë – i thashë – a më lejon të hyj vetëm pesë minuta në klasë?
Të hysh në klasë?! Po përse?! çfarë do të bësh?! Pyeti e hutuar dhe e zënë në siklet.
Mos kij merak – I thashë – as nuk do tu drejtohem fare atyre djemve, vetëm do i tregoj klasës një fabul.
Fabul?! Pyeti mësuesja edhe më e çoroditur.
Po një fabul. Të siguroj se asgjë tjetër nuk do u them, vetëm një fabul.
Meqë më njihte dhe kishte një farë respekti, më lejoi.
Unë hyra dhe u tregova historinë e papagallit Koko në familjen e lumtur.
Në fund, u thashë: “Ashtu siç papagalli Koko e kishte vuajtur faktin që ishte i izoluar në një
kafaz, edhe pse floriri dhe bëri çmos derisa fitoi lirinë, edhe ne njerëzit, ndihemi të izoluar dhe të kufizuar kur dikush na tall, na përqesh dhe na vë në lojë.
Pas kësaj, i falënderova fëmijët që më dëgjuan dhe duke u tundur dorë në formë përshëndetje u largova nga klasa.
Që atë ditë tre çamarokët nuk e ngacmuan më vajzën.
Po fabulën, ku e ke – do pyesësh ti.
Ja lexoje.
Koko në familjen e lumtur
Një herë e një kohë, në një vend të bukur, jetonte një familje e lumtur, një baba, një nënë dhe fëmijët e tyre, një djalë me fytyrën si dielli dhe një vajzë e bukur, e zgjuar dhe me dy sy që i shkëlqenin.
Babai, po përgatiste plaçkat për një udhëtim të gjatë në një shtet afrikan, për të nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme. Në mëngjes herët, pasi u përshëndet me gruan dhe fëmijët e tij të dashur, ai u nis drejt aeroportit.
Në qytetin ku u vendos, pranë hotelit ku qëndroi, ndodhej një treg, ku ai herë pas here shfrytëzonte kohën e lirë për të blerë ndonjë dhuratë për familjen. Një ditë, ai hyri në një dyqan të mbushur me papagaj, që flisnin. Sytë i qëndruan tek një papagall shumëngjyrësh, me pendë të gjata dhe që herë pas here përsëriste ndonjë fjalë në gjuhën vendase. Me vete, babai mendoi se fëmijët e tij do të gëzoheshin tej mase nëse do u çonte një dhuratë të tillë. Kështu, pa e zgjatur pyeti për çmimin e papagallit, pagoi shumën dhe e mori papagallin e bukur shumëngjyrësh.
Kur u kthye në vendlindjen e tij dhe takoi fëmijët, ai kuptoi se e kishte marrë malli shumë për ta. Vetë fëmijët u mrekulluan me dhuratën e veçantë të babait, me papagallin e bukur dhe pendëgjatë. Menjëherë ata i blenë një kafaz të artë dhe e futën brenda. Veç kësaj, ata i vunë dhe një emër të veçantë, Koko. Eh sa e lumtur dukej familja me prezencën e Koko-s, i cili menjëherë filloi t’ua shpërblejë këtë përkujdesje, duke mësuar fjalë nga fjalori i tyre i përditshëm. Sa herë që dikush hynte në dhomën e tij në mëngjes, ai u drejtohej me fjalët: “Mirëmëngjesi!” Kurse në darkë, ai u thoshte: “Mirëmbrëma!” Ai nuk dinte të pushojë. Ishte një papagall që mësonte fjalët që i dëgjonte dhe i përsëriste pa pushim.
Ai jetoi bashkë me këtë familje të lumtur, për një vit të tërë. Gjatë kësaj kohe, ai mësoi kushedi sa fjalë të reja. Gjatë festave, ai i uronte familjarët me fjalët: “Gëzuar dhe për shumë vjet!” Kurse, sa herë që babai kthehej nga xhamia, i thoshte: “Zoti ta pranoftë haxhi!”
Nga kafazi i artë ku banonte, ai e mbushte shtëpinë plot gëzim dhe hare, për të cilën familjarët i ishin mirënjohës.
Një ditë, babait i duhej të kthehej sërish në shtetin afrikan ku kishte blerë Kokon, për një marrëveshje të re. Pasi kishte përshëndetur familjarët e tij të shtrenjtë, ai u bë gati të nisej për në aeroport, por pa pritur dëgjoi zërin e Koko-s që e thirri me emër. Duke buzëqeshur, ai iu afrua dhe i tha: “Mirupafshim Koko! Do më marrë malli edhe për ty!”
Koko ia ktheu aty për aty: “Edhe mua, por dua të më bësh një nder!”
Këto fjalët e fundit, e hutuan babain i cili mbeti pa fjalë. Koko ia kthente përgjigjen si të ishte njeri me arsye, e jo thjesht një papagall. Megjithatë, babai nuk foli, por mbajti veshin për të dëgjuar çfarë kërkese do i bënte Koko.
Menjëherë, papagalli shtoi: Dua që kur të mbërrish në vendlindjen time, të shkosh tek pylli që ndodhet pranë tregut ku më bleve. Aty do të gjesh shumë papagaj që fluturojnë ose qëndrojnë mbi pemë. Ato janë familjarët dhe farefisi im. Pasi të mbërrish tek pylli, dua të qëndrosh mes tyre dhe me zë të lartë tu thuash: Koko u çon selam dhe u thotë se jeton në një kafaz të artë dhe të bukur, në një shtëpi të lumtur dhe të madhe.
Këto fjalë e bënë babanë të ndihej si në ëndërr. Përderisa nuk kishte çfarë ti thotë, ai u nis, por krejt i hutuar dhe i shastisur. Para se të mbyllë derën, dëgjoi dhe një herë zërin e Kokos i cili e porositi: “Mos harro! Mirë ardhsh!”
Babai ktheu dhe një herë kokën në drejtim të kafazit dhe pa Kokon që përsëriste mekanikisht fjalët: “Mirë mëngjes… Mirëmbrëma…”
Babai mbylli derën dhe u largua. Ai mori aeroplanin dhe u nis të përmbushë misionin, duke e harruar porosinë e papagallit të tij të zgjuar.
Ditën e fundit të qëndrimit në vendin afrikan dhe pasi kishte përfunduar të gjithë detyrat e ngarkuara me sukses, ai vajti në treg për të blerë ndonjë dhuratë për gruan dhe fëmijët e tij. Por, para se të hyjë në treg, me bisht të syrit pa nga pylli pranë tregut, pikërisht atë për të cilin i kishte folur Koko. Pasi hezitoi pak, përfundimisht ai ndryshoi drejtim, duke marrë udhën drejt pyllit. Ai hyri në brendësi të pyllit, i cili ishte i mbushur me papagaj të shumtë të cilët lëshonin zëra pafund në hapësirën e pyllit. Ishte hera e parë që sytë i shihnin një panoramë të tillë gjatë gjithë jetës. Zogjtë fluturonin, dëfreheshin dhe me zërat e tyre e magjepsën babanë, që qëndronte krejt i hutuar. Përzierja e zërave të zogjve të ndryshëm, ndonjëherë mund të dukej si diçka e shëmtuar, por ato zëra tregonin sa të lumtura dhe të gëzuara ishin ato krijesa të cilat fluturonin në qiellin e lirisë. I mrekulluar nga panorama, babai hodhi disa hapa, ndërkohë që i erdhën në mendje sërish fjalët e fundit të Koko-s. Ai u afrua aty ku mendoi se është mesi i vatrës ku silleshin papagajtë dhe me zë të lartë thirri: “Koko u çon selam dhe u thotë se jeton në një kafaz të artë dhe të bukur, në një shtëpi të lumtur dhe të madhe.”
Me të përfunduar fjalët, ndodhi diçka e rëndë dhe e çuditshme. Të gjithë papagajtë heshtën dhe ranë nga pemët përtokë, asnjëri prej tyre nuk lëvizte. Të gjithë zogjtë që fluturonin dhe ato që qëndronin mbi pemë duke hapur krahët plot ngjyra, u përplasën në tokë. Sikur fjalët që kishte thënë babai ishin një helm vdekjeprurës dhe u mori jetën atyre shpendëve të pafajshëm brenda disa sekondave. Babai, filloi të shohë rreth e rrotull panoramën e frikshme të krijuar pas atyre fjalëve magjike. Menjëherë, ai ia dha vrapit në drejtim të tregut, duke u përpjekur të mos shkelë papagajtë që kishin mbushur vendin dhe që nuk kishin asnjë shenjë jete.
Ai u kthye në shtëpinë e tij, por imazhet e papagajve të pajetë nuk i shqiteshin nga mendja. Ai përshëndeti të gjithë familjarët e tij dhe menjëherë hodhi sytë në kërkim të kafazit ku ndodhej Koko, i cili në ato çaste ishte duke ngrënë si i babëzitur. Kur e pa gjallë, ai thirri i gëzuar: “Koko.. Koko… Shyqyr Zotit qenke mirë!”
Koko ngriti kokën dhe e pyeti: “A ma kreve porosinë time?”
Babai iu përgjigj: “Sigurisht.”
Koko i tha: “Pa hë, ç’të reja kemi?”
Babai i tha: “Vajta tek pylli që më the, qëndrova në mes të papagajve dhe u përcolla mesazhin tënd.”
Koko pyeti: “Po pastaj?”
Babai iu përgjigj: “Edhe unë nuk e mora vesh si ndodhi…Të gjithë papagajtë ranë përtokë… Sikur ngordhën të gjithë sa hap e mbyll sytë! Nuk mora vesh asgjë!”
Mandej, babai i mbylli sytë, si për të shprehur habinë e tij. Kur i hapi, ai e pa Koko-n të shtrirë në kafaz. Ai filloi të thërrasë në mënyrë histerike: “Koko… Koko… Mu përgjigj… Koko…”
Për shkak të britmave erdhi dhe gruaja e tij bashkë me fëmijët, të cilët e panë Kokon e tyre të dashur të shtrirë në kafaz dhe pa lëvizur, sikur të kishte ngordhur. Ata filluan të qajnë me dënesë duke thënë: “Ngordhi Koko… Ngordhi Koko…”
Pasi u qetësuan pak, babai hapi derën e kafazit dhe që andej nxori me kujdes Kokon i cili dukej se është ndarë nga kjo botë. Nëna hapi dritaren dhe babai e vendosi në parvaz, si për ti dhënë pak ajër të pastër, me shpresë se do i kthej jeta. Në një çast, dy sytë e vegjël të Kokos u hapën plot shkëlqim dhe pa pritur e pa kujtuar, ai fluturoi jashtë shtëpisë, për tu vendosur në një pemë aty pranë. Të gjithë, me një gëzim të papërshkrueshëm, u grumbulluan pranë dritares duke thirrur të lumtur: “Koko nuk ka ngordhur!”
Babai i tha: “Koko nuk ka ngordhur! Koko, të lutem kthehu në dhomë!”
Koko fluturoi nga pema ku qëndronte, bëri një xhiro rreth e rrotull shtëpisë së madhe ku kishte jetuar dhe u kthye sërish mbi pemë, duke hapur krahët e tij të bukur. Mandej, ai u përgjigj: “Jo, nuk do të kthehem më në kafaz. E kush është ai që shet lirinë për të blerë burgun?!”
Babai ia ktheu plot dëshpërim dhe nostalgji: “Por ne të duam shumë Koko.”
Koko u përgjigj: “E di. Edhe unë u dua shumë, por lirinë e dua më shumë dhe nuk mund ta shes me çfarëdo çmimi.”
Për pak çaste, mbizotëroi qetësia në shtëpi. Babait iu kujtuan fjalët e Kokos para se të nisej për në Afrikë dhe vetëm atëherë e kuptoi mesazhin që përmbanin ato fjalë, që ua drejtonte familjarëve dhe farefisit. Në atë çast, Koko ia ndërpreu vargun e mendimeve për ti thënë: “Mesazhi që u drejtova familjarëve të mi ishte i koduar. Unë u thashë se ndihesha i mërzitur dhe nuk dija çfarë të bëj për të fituar lirinë. Sakaq, mesazhi që më dërguan, gjithashtu ishte i koduar. Mesazhi i tyre më thoshte se që të jetoj i lirë, duhej të vdisja. Prandaj, mu desh që të vdes për të jetuar. Tani, mirë mbetshi!” Menjëherë hapi krahët e tij të bukur dhe shumëngjyrësh, i përplasi dhe fluturoi lart në qiell, ku aroma e lirisë i përshkonte të gjithë trupin./Familjadheshendeti.com