Nga Dr. Ismail Lutolli.
Specialist Pediatër
Subspecialist Dietolog-Nutricionist
A mund të parandalohen?
Infeksionet urinare tek të rriturit, bëjnë pjesë në grupin e infeksioneve më të shpeshta bakteriale tek njerëzit. Infeksioni mund të jetë i pranishëm në veshka, në rrugët urinare dhe në prostatë tek meshkujt.
Shumica e simptomeve të këtyre infeksioneve janë:
– Urgjencë e vazhdueshme dhe e fortë për të urinuar;
– Urinim shumë i shpeshtë;
– Dhimbje dhe djegie gjatë procesit të urinimit;
– Dhimbje në pjesën e poshtë të stomakut;
– Kokëdhimbje të shpeshta;
– Temperaturë të larta;
– Dridhje dhe ndjenjë jo komoditeti;
– Vjellje dhe diarre në raste më të rralla.
A mund të parandalohen infeksionet urinare?
Rregullat e arta për parandalimin e infeksioneve urinare janë:
- Pastrim i rregullt i organeve gjenitale me ujë dhe me sapun të lëngshëm me pH 5,5 dhe pastrimi i pjesës anale nga përpara prapa.
- Asnjëherë nuk guxoni të bëni pastrim nga prapa përpara, pasiqë në këtë mënyrë ju keni ndihmuar në infeksionin urinar. Pra, pastrimi i pjesës anale bëhet gjithmonë nga përpara prapa.
- Para çdo akti seksual konsumoni një gotë me ujë;
- Urinoni para dhe pas marrëdhënies seksuale;
- Mos e shtyni asnjëherë nevojën që keni për të urinuar. Kur kjo ndodhë shkoni dhe kryeni aktin e urinimit. Çdo shtyrje shërben në fillimin e infeksioneve urinare;
- Mos shpejtoni gjatë urinimit por zbrazeni komplet fshikëzen urinare;
- Mos përdorni tampone vaginale;
- Nëse gratë përdorin dijafragmën, spiralet dhe metodat e tjera kontraceptive, këshillohuni me mjekun tuaj për ndryshimin e kontracepsionit;
- Rekomandohet dushi por jo mbushja e vaskës dhe larja në vaskë të mbushur me ujë;
- Evitoni përdorimin e sapunëve aromatizues, parfumeve apo gjërave tjera të parfumosura për higjienën e pjesëve intime. Të gjitha këto mund të nxisin infeksione urinare;
- Evitoni mbajtjen për kohë të gjatë të kostumeve të larjes nëse janë të lagura, sepse një mjedis i lagësht është i përshtatshëm për zhvillimin e mikroorganizmave, dhe më e mira do të jetë që të zhvisheni nga rrobat e larjes posa të keni përfunduar larjen apo dushin dhe të visheni me rroba tjera të thara;
- Patjetër të bëni dush pas larjes në pishina apo deti;
- Largohuni nga qëndrimi në vende të ftohta si beton, pllaka etj;
- Evitoni përdorimin e rrobave të brendshme (brekët) shumë të ngushta dhe të shkurtra;
- Vishni rroba intime pambuku e jo sintetike;
- Rrobat intime ndërroni së paku një herë në ditë;
- Mbathjet intime ti zieni në temperaturë të lartë dhe me detergjentë të butë, evitoni përdorimin e zbutësve dhe aromatizuesve si dhe para përdorimit patjetër t’i hekurosni;
- Merrni rreth tetë gota ujë të pastër ose lëngje në ditë. Rekomandohet: çaji i pastruar nga limoni, uvin çaj dhe çaj prej brusnice;
- Largohuni apo evitoni ushqimin e fërguar, ushqimin e konservuar pastaj pijet e gazuara, pijet alkoolike si dhe përdorimin e duhanit;
- Evitoni përdorimin për kohë të gjatë të vozitjes në biçikletë sidomos për meshkujt;
- Të mjekojë vatra të tjera infeksioni kudo që mund të ketë si: dhëmbë të prishur, grykët, infeksione të veshit, hundës dhe të rrugëve të frymëmarrjes
- Perdorni sa me shume ushqimet e pasura me vitaminë C.
Vitamina C është një aleat i fuqishëm i sistemit imunitar për të luftuar sëmundjet, shumë e rëndesishme në parandalimin e infeksioneve urinare (një i rritur ka nevojë për 60 mg vitaminë C në ditë.)
Ushqimet e pasura më vitaminë C janë: agrumet, domatet, spinaqi, brokoli, asparagët, papaja, kivi, frutat e pyllit, specat jeshilë.
- Mos përdorni asnjë mjekim pa ndonjë pajtim paraprak me mjekun përkatës!!
Shëndeti jeta dhe lumturia ka një emër www.familjadheshendeti.com