Intervistoi: Hafize F. Elshani, gazetare
Se cila është mënyra më efikase për qetësimin e dhimbjeve të gjurit, si duhet të kujdesemi për trupin tonë në përgjithësi dhe për kockat në veçanti, dhimbjet në regjionin e mesit, nga çka vjen kjo, dhe cilat janë shenjat tipike. Në gjitha këto dhe pyetje të tjera është përgjigjur përmes një interviste për portalin Familja dhe Shëndeti, dr Nderim Salihaj, specialist i ortopedisë dhe traumatoilogjisë osteomuskulare, i cili punon në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, konkretisht në Repartin Rekonstruktiv.
Kjo është intervista e plotë e realizuar me specialistin e ortopedisë dhe traumatologjisë osteomuskulare Dr. Nderim Salihaj.
Nderim Salihaj është specialist i ortopedisë dhe traumatologjisë osteomuskulare dhe njëkohësisht mësimdhënës në Katedrën e Ortopedisë pranë Fakultetit të Mjekësisë (Universiteti i Prishtinës). I punësuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, konkretisht në Repartin Rekonstruktiv, si dhe në Poliklinkën private Olive në Prishtinë. Në mënyrë ekskluzive me lëminë e ortopedisë mirret që nga fundi i vitit 2011, ku me përkushtim të madh realizon detyrimin dhe obligimin e tij si profesionist ndaj pacientëve më sëmundje dhe lëndime të sistemit osteomuskular.
Cilat shërbime kryhen në Klinkën e Ortopedisë?
Shërbimet qe kryejmë në Klinikën e Ortopedisë janë kontrollat ambulantore në Ambulancat Specialistike, ndërhyrjet kirurgjike në sistemin osteomuskular (të gjitha ndërhyrjet në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme), ekzaminimet diagnostike me ultrazë, trajtimin e lëndimeve akute gjatë kujdestarive në Qendrën Emergjente si dhe punët rutinore ditore me pacientë të hospitalizuar.
Cili është fokusi juaj i punës në kohët e fundit?
Në muajt e fundit rastet më të shpeshta që i kam trajtuar kirugjikisht janë patologjitë e shputës dhe shuplakës te fëmijët dhe të rriturit, gjendjet pas lëndimeve sportive të gjurit, implantimet e protezave të gjurit dhe kërdhokullave si dhe ndërhyrjet operative në fiksmin e kockës te frakturat.
Si duhet të kujdesemi për trupin tonë në përgjithësi dhe për kockat në veçanti?
Shëndeti nuk mund të jetë i plotë pa kocka dhe nyje të shëndetshme. Kjo arrihet me një përkujdesje të shtuar për stilin jetësor që ne bëjmë. Stili jetësor i shëndetshëm ka të bëjë me të ushqyerit shëndetshëm, peshën optimale trupore, të qenurit aktiv fizikisht.
Të ushqyerit duhet të jetë i rregullt, në vakte të shpeshta dhe jovoluminoze, i pasur me pemë e perime, larg fast food-eve. Rëndësi të veçantë duhet t’i kushtohet ushqimeve të pasura me minerale dhe vitaminën D si dhe qëndrimit në rreze të diellit.
Ushtrimet fizike duhet të përqndrohen në rritjen e amplitudës së lëvizjeve të nyjeve, mundësisht me ngarkesa jo të mëdha dhe në forcimin muskular të nyjeve fqinje, ushtrimet kardio, bicikletë, notim dhe vrapim.
Lidhur me bartjen e çantave të rënda që po bartin nxënësit, sa munden këto të shkaktojnë probleme të boshtit kurrizor të fëmijët e vegjël dhe si mund te evitohet ky problem?
Sa i përket çantave të rënda që nxënësit bartin në shkollë, sipas shumë studimeve të bëra është vërtetuar se shkaktojnë probleme në boshtin kurrizor. Këto lidhen me deformitetet e fituara në formë të supeve të lëshuara, asimetrisë së supeve, kifozës dhe lordozës. Pesha e çantës nuk duhet ta kalojë në asnjë mënyrë 10% të peshës trupore. Dmth një nxënës me peshë trupore 25 kg mund të mbajë maksimum çantën me 2.5 kg.
Ky fenomen mund të rregullohet me paisjen e klasëve me dollapa të personalizuar, realizimin e shumicës së detyrave në shtëpi dhe bartjen vetëm të materialeve dhe librave të domosdoshëm në shtëpi.
Cila është përvoja juaj me artroskopi dhe në cilat nyje e praktikoni më shumë?
Artroskopia e nyjeve si metodë më e re terapeutike e intervenimit minimal invazive, ka marrë hov të madh në 4 vitet e fundit në Klinikën e Ortopedisë. Shumica e artroskopive bëhen në gjunj e rrallëherë në sup. Me artroskopi të gjurit bëjmë mjekimin e menisqeve, rekonstruksionin e ligamentit të përparëm kryqëzor. Së shpejti do të fillojmë me artroskopitë e kërdhokullave dhe nyjes së kaviljes.
Cka është artroplastika, si realizohet ajo dhe cila është përvoja juaj?
Artroplastika është ndërhyrje kirurgjike që konsiston në zëvendësimin e nyjeve të dëmtuara me materiale metalike, keramike dhe plastike, përkatësisht me protezë totale.
Në vendin tonë aplikohen proteza totale të gjunjëve dhe kërdhokullave me sukses të lartë. Shumica e pacientëve të operuar nuk kanë më dhimbje të nyjeve që kanë përjetuar para operacionit, përmirësohen lëvizjet e nyjeve, ecja dhe rritet cilësia e jetës në përgjithësi.
Cila është mënyra më e efikase e qetësimit të dhimbjeve të gjurit?
Dhimbja e gjurit është simptomë që vie si pasojë e shumë problemeve. Më së shpeshti paraqitet tek moshat e vjetra dhe vjen si pasojë e artrozës ose dëmtimit degjenerativ të gjurit. Në këtë rast mjekimi eshtë shumë kompleks. Pacienti duhet të mbajë peshën e trupit ideale, të mirëmbajë muskulaturën rreth gjurit me aktivitete të ndryshme fizike si bicikleta, notimi, ecja dhe aerobiku. Pacienti duhet të jetë në kontakt të pandërprerë me fizioterapeutin për të rritur shkallën e lëvizjes së gjurit, forcuar, zgjatur dhe tonifikuar muskulaturën. Duhet përdorur barnat kundër dhimbjes dhe inflamacionit, suplementet nyjore me kondritin, glukozamine, kolagjen dhe acidin hialuronik. Në rastet më të rënda aplikohen injeksione brenda gjurit me acid hialorinik dhe me kortikosteroide.
Sa është shpeshtësia e thyerjeve të kockave në popullatë dhe si bëhet trajtimi i tyre?
Thyerjet e kockave janë lëndimet më të shpeshta që hasen gjatë punës në institucionet emergjente. Ato variojnë nga ato të lehtat e deri në më të rendat. Shumica e frakturave apo thyerjeve të lehta, të kockave të vogla, të cilat nuk kanë zhvendosje si dhe thyerjet te fëmijët trajtohen me imobilizim me gips. Fraturat e kockave të medha, të cilat janë të zhvendosura, thyerjet që prekin nyjet dhe ato që rrezikojnë të mos ngjiten trajtohen me ndërhyrje operative. Operacioni realizohet me hapjen e indeve të buta, palosjen e copave të kockave dhe fiksimin e tyre me pllaka, vida, tela dhe shtift intramedullar.
Përveç metodave kirurgjike, cilat janë format tjera të trajtimit që aplikohen nga ortopedët?
Orotpedia, si lëmi kirurgjike, për shumë sëmundje dhe probleme osteomuskulare aplikon metoda jokirurgjike. Në rend të parë është trajtimi medikamentoz me tableta, kapsula, injeksione dhe lyerje me xhel ose kremëra. Pastaj në shumicën e rasteve ortopedët ordinojnë terapi fizikale për pacientët.
Tek frakturat e kockave realizohen reponimet e mbyllura të kockave dhe imobilizimet me gips.
Çka është PRP dhe në cilat pacient përdoret?
PRP (platelet rich plasma) është derivat që nxirret nga gjaku i vet pacientit, centrifugohet dhe mbetet vetem plazma e pasur me trombocite. Kjo përbërje është e pasur me materie ushqyese dhe qeliza që kanë aftësi të transformohen në qeliza të indit në të cilin aplikohen, dmth janë qeliza regjeneruese.
PRP gjen aplikim të madh tek sportistët me lëndimet tetivore, ligamentare dhe kërcore ku mendohet që bën regjenerimin e këtyre strukturave të dëmtuara. Ajo mund të përdoret edhe tek rastet e mbingarkesave, ndrydhjeve dhe zgjatjeve të indeve të buta.
Cka është acidi hialuronik dhe për çka përdoret?
Acidi hialuronik është substancë xhelatinoze që gjindet në masë të madhe në nyjet tona dhe shërbën për rritjen e viskozitetit dhe dendësisë së lëngut nyjor, me çka rritet lubrifikimi dhe lëvizja e nyjeve. Në moshat e shtyera me nyje të dëmtuara kemi zvogëlim të kësaj substance. Në këto raste ka indikacion që këtë substancë ta suplementojmë tek artrozat e nyjeve që të qetësohen dhimbjet dhe të rritet lëvizshmëria e nyjeve.
Ndodhë në jo pak raste që njerëzit ankohen për dhimbje të mesit. Nga çka vjen kjo dhe cilat janë shenjat tipike?
Dhimbjet e pjesës së poshtme të boshtit kurrizor apo dhimbjet e mesit janë dhimbje që përjetojnë disa herë gjatë jetës mbi 70% e gjithë popullësisë. Kjo do të thotë që kemi të bëjmë me një simptomë aq të shpeshtë që është pothuajse e zakonshme në jetën tonë bashkëkohore.
Stili jetësor sedentar, puna në zyrë, ngritja e peshave të rënda, pozitat e gjata kërrusur, dyshekët dhe jastekët joadekuat, pesha e lartë trupore etj janë disa nga shkaqet e dhimbjeve të mesit.
Shenjat tipike janë dhimbja e pjesës së poshtme të mesit, humbja e funksionit të lëvizjes normale para dhe mbrapa të boshtit kurrizor, shtangimi muskular i muskujve të shpinës, mpirja e pjesës së mesit e në raste të caktuara edhe të këmbëve.
Per të mos lejuar përkeqësimin e situatës, kur duhet të drejtohemi të mjeku për trajtim më të specializuar?
Shenjat e rrezikshme për dhimbjet akute të mesit njihen me nocionin “flamujt e kuq”. Këto shenja janë: tumoret malinje të mëhershëm, humbja e shpejtë e peshës trupore, dhimbja qe nuk qetësohet pas regjimit të pushimit, ethet dhe temperatura e lartë, lëndimi me intensitet që i pergjigjet moshës, përdormi afatgjatë i kortikosteroideve, etj.
Fillmisht duhet bërë diagnostikimi i saktë, pra të gjindet shkaku i dhembjeve.Kjo arrihet me rentgenin nativ, CT, MRI dhe ekzaminim fizikal të detajuar.
Trajtimi bazik tek rastet kur pacientët nuk kanë asnjërën nga shenjat e “flamujve të kuq” është përdorimi i barërave antiinflmator josteroid, relaksantëve muskular, pushimit, ndërrimit të stilit jetësor, edukimit të pacientit për qëndrimin ulur, në këmbë, ngritjen e peshave, etj.
Pas qetësimit të fazes akute të vazhdohet me terapi fizikale periodike dhe me praktikimin e aktiviteteve që zhvillojnë muskujt e shpinës si notimi.
A këni pasur ndonjë rast shumë të rëndë që ia vlen ta na e rrëfeni?
Gjatë kohës që jemi kujdestar, shpesh ballafaqohemi me raste të rënda. Më të shpeshtat janë frakturat e hapura, lëndimet me armë zjarri dhe politraumat nga aksidentet në komunikacion ose punishtet ndërtimore.
Si rast që më ka lënë mbresa të paharrueshmë është rasti me një fëmijë shkollor me lëndim të shkallës së rëndë të shuplakës, si pasojë e futjes së një shtize metalike.
Rasti edhe pse i komplikuar dhe me rrezik të lartë të dëmtimit të strukturave nervore, enëve të gjakut dhe tetivave të dorës është operuar me sukses të plotë. Është bërë e mundshme të hiqet trupi i huaj duke ruajtur të gjitha strukturat e shuplakes pa asnjë dëmtim kolateral. Pacienti edhe sot e kësaj dite ka funksionin e plotë të dorës pa asnjë pasojë të vetme.
Platforma online humane “Familja dhe Shëndeti” a është një ndihmë e madhe për familjet që duan këshilla mjekësore, si e vlerësoni ju këtë?
Platforma digjitale Familja dhe Shëndeti është një prej formave më të thjeshta, më të shpejta dhe më të lira për t’u informuar për shëndetin në përgjithësi. Pasi që çdo pacient mund të parashtroj pyetje në lidhje me shqetësimet individuale ajo shërben si një pasqyrë e shpejtë e sqarimit të sëmundjes. Pacienti orientohet tek specialisti adekuat që mund t’i ofrojë zgjidhje ankesave të tij si dhe ipen këshilla bazike që kontribojnë në edukimin shëndetësor të pacientëve./Familja dhe shëndeti/
© “Familja dhe Shëndeti” . Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.