Shkruan: Pranvera Nevzadi
Nëse nuk qanë, nuk do të pyesin si je? Nëse qanë, nuk do të hasësh në supin e duhur për t’u mbështetur. Pra, kjo është një situatë me 1000 mënyra për ta tradhëtuar veten. 1000 mënyra për t’u ndier i penduar dhe i mundur. Kthehesh duke përplasur derën dhe thua: Jo, faleminderit, kurrë më! Kurrë më nuk kam për ta hapur gojën! Por kur vie radha e vetmisë për të kryer misionin e saj mbi ty, prapë mendon “sikur të ishte dikush aty për ty”. Kësisoj, mundohesh dhe i krijon format e tua të mbijetesës. Mëson të qeshesh, mëson të flasësh, i mëson të gjitha “hilet” e të qenurit mirë. Pastaj fati ironizon me ty dhe të sjellë njerëz që të thonë: “ua, sikur të kisha jetën tënde!” Kurse ti qeshesh e brenda vetes me një zë të fsheht, uron të mos e ketë.
Ne jetojmë në një katrahurë ku asgjë nuk është në vendin e vet, asgjë nuk e ka vlerën e saj reale, asgjë nuk gëzon respekt. Ne jetojmë në kohën e shpirtrave të ngrirë. Në kohën e braktisjeve të tmerrshme. Në kohën kur as nëna nuk ka mëshirë për fëmijën e vet. Në kohën kur familjet mblidhen bashkë vetëm për një foto për postim dhe e quajmë familje. Ne jemi jasht çdo kornize të reales. Ne jemi një gënjeshtër e hapur.
Çdo ditë mëson se sa i mashtruar je nga përkëdheljet e rreme. Saqë edhe fëmijës me shpirtin më të padjallëzuar kur i thua se e don, të pyet me dyshime: “vërtetë?” Sepse gënjejmë, gënjejmë për të hequr tjerët qafe, gënjejmë nga keqardhja, gënjejmë për përfitime të rastit. Gënjejmë e gënjehemi çdo ditë. Por shkatërrojmë lidhje, shkatërrojmë familje, shkatërrojmë shpirtëra, shkatërrojmë besimin. Prandaj, jo faleminderit! Nuk flas! Nuk flasin!
Prandaj, mos mendo se në rrethin tënd çdo kush është mirë. Se ti nuk je nga ata! Se nga ti nuk po kërkohet asgjë. Nëse nuk të kanë kërkuar ndihmë deri më tash, shiko gjendjen tënde. Shiko veten dhe sjelljen tënde! Ndoshta atje ka njerëz që nuk të kërkojnë ndihmë, sepse ndihma kërkohet vetem aty ku shpresohet se mund të gjindet. Vetëm aty ku ndjen se dikush mundet me ofru. Ndoshta pra, ti nuk je shpresa e askujt! Mos u bë nga ata që kur dikush ka nevojë për ndihmë, kur të të sheh në ty thotë: “Jo, faleminderit! Ky nuk mund të jetë!” Sepse në një jetë të Vertetë, më të dobët janë ata që nuk ofrojnë ndihmë, sesa ata që kërkojnë ndihmë. /www.familjadheshëndeti.com