Shkruan: Dr. Jeton Zenuni, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut
Adnani ishte njëri nga farmacistët e parë në Kosovë. Njeri intelektual, me integritet të rrallë profesional, ai ishte shumë i afërt me të gjithë ata që e njihnin. Në kulmin e karrierës megjithatë, ai u prek nga semundja e kancerit. Gjithçka u rrënua për një moment, dhe pasoi një rrugë e gjatë e trajtimit me kemioterapi dhe procedura tjera të gjata të mjekimit. Gjatë kësaj beteje të pakompromis me kancerin, ai u detyrua që herë pas herë të mirrte preparate të gjakut.
Një kohë ai vendosi të mbyllte rrjetet sociale, pasi donte që betejën ta zhvillonte në qetësi, larg zhurmës virtuale. Një ditë, ndërsa po merrte transfuzionin e radhës, i ra në sy emri i tij i shkruar në qesën e trombociteve, bashkë me një zemër të vizatuar në të. Kjo zemër të cilën e shihni në foto, e bëri që të mendojë gjatë atë ditë, i ringjalli shpresen, e i dha kurajo për jetë. Kjo zemër e preku thellë në zemër Adnanin, i cili e rihapi llogarinë e tij të FB-ut për t’iu falenderuar personit i cili i kishte bërë atij këtë dedikim të veçantë.
“Para disa ditëve vendosa me mshelë FB për disa arsye të cilat nuk po due me i spjegue. Kjo qese me trombocite më shtyni sot me çelë prap FB dhe me ju falënderue këtij personit i cili nuk e di a më njef dhe i cili kishte vizatue një zemër në shenjë përkrahjeje për mue. Gjatë viteve prej se jam i sëmurë dhe posaçërisht gjatë vitit të fundit kam pasë dhe ende kam përkrahje nga njerëz të njofshëm dhe panjofshëm. Due me ju falënderue nga zemra dhe shpirti të gjithë juve njerëz të mirë.”
Për këtë detaj në fakt ishte përkujdesur një nga teknikët e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut, i cili e njihte Adnanin. Ndoshta nuk është aq me rëndësi emri i personit i cili vizatoi zemrën, e as dhuruesi i gjakut nga i cili u nxorën trombocitet. Me rëndësi është fakti se Adnani u largua nga kjo botë duke besuar tek njerëzit, duke besuar në dashurinë dhe përkrahjen e tyre.
***
Një fjalë e ëmbël, një zgjatje e dorës për ndihmë, një shërbim sado i vogël, një kurajo, një përshëndetje e ngrohtë… jeta përbëhet nga këto gjëra të vogla. Pa to, ajo nuk do të ishte aq domethënëse dhe e mbushur. Duke u dhuruar të tjerëve gjëra të vogla, edhe vetë ndihemi më mirë. Duke bërë vepra të mira dhe duke u ofruar ndihmë të tjerëve, edhe ne do të gjejmë më lehtë zgjidhjen për problemet tona, do të gjejmë një shpresë të re pa të cilën nuk mund të fillojmë të bëjmë gjëra të dobishme në jetën tonë.
Jeta është më e bukur kur jeni të rrethuar nga njerëz që ju mbështesin. Adnani sot nuk është në mesin tonë, por ai e barti tek ne një mesazh shumë domethënës.
Adnani u prehtë në paqe, e ne Zoti na bëftë bartës të mesazhit të së mirës, dashurisë e mbështetjes për njëri tjetrin./www.familjadheshëndeti.com