Mr. Ph. Laureta Berisha Kosumi, farmaciste

1.Insistimi në marrjen e barnave pa recetë, sidomos antibiotikëve dhe barnave qetësuese

• Është shumë shqetësuese kërkesa e pacientëve (klientëve) në marrjen e barnave pa recetë siq janë antibiotikët, kjo kërkesë bëhet akoma më e papranueshme kur bëhet nga ana e prindërve për fëmijët e tyre, madje vijnë të acaruar se kush jemi ne të mos u’a japim barin meqë e paguajnë. Vërtetë jemi vend i paradokseve të mëdha! Marrja e barit në këtë formë, paraqet rrezik të theksuar ana shëndetësore, shpeshherë duke marrur antibiotikun e gabuar për të trajtuar një infeksion, apo edhe më keq duke marrë antibiotikë në infeksionet virale, në të cilat fare nuk reagojnë antibiotikët, duke mos vizituar mjekun për të parë gjendjen nga afër, duke mos u bërë fare strishot përkatëse dhe poashtu duke ardhur deri te shfaqja e rezistencës në antibiotikë, e cila është ndër problemet dhe shqetësimet më të mëdha që duhet të kemi pas përdorimit të tepruar të tyre. Kemi shkrime të detajuara rreth marrjes së antibiotikëve pa recetë në grupin/ faqen tonë Familja dhe shëndeti. Barnat qetësuese kanë një mori efektesh anësore, ndër të cilat edhe shfaqja e varësisë pas përdorimit të tyre, ndërsa përdorimi i tepruar nga të rinjtë, qon deri në marrjen e substancave narkotike ( për shkak të varësisë dhe mos arritjes së efektit të dëshiruar).

2. Insistimi në marrjen e barnave me po ata emra tregtarë që u’a ka përshkruar mjeku

Shumica, e mos të them rreth 90% e pacientëve kërkojnë të marrin vetëm ato prodhime që u’a ka përshkruar mjeku, madje edhe kur janë në mungesë në tregun farmaceutik ngelin pa e marrë barin duke insistuar të marrin vetëm atë prodhues që e kanë të përshkruar në recetë, duke pasur mundësinë të marrin barin nga prodhues tjerë me funksion të njejtë si edhe më të lirë. Secili bar ka emrin xhenerik (emrin kryesor) dhe emrin tregtar. Fatkeqësisht te ne përshkruhet bari me emër tregtar, formë e cila nuk është aspak profesionale dhe shumë dëmtuese ndaj pacientit ( mjeku duket përshkruar barin me emër xhenerik pastaj të fusë në kllapa disa emra tregtarë) madje duke u thënë që të mos e ndërrojnë prodhuesin. Në këtë formë mjekët ndikojnë në pacientë duke u thënë se vetëm ai prodhim do t’ju reagojë dhe në këtë formë përfitojnë ndaj kompanive farmaceutike operuese në Kosovë, me të cilat lidhin marrëveshje të jashtëligjshme dhe aspak etike në përshkrimin e barit. Andaj, kujdesuni për shëndetin dhe xhepin tuaj sepse reagimi i barit është i njëjtë, cilindo prodhim që ju do e merrni.

3. Kërkimi i barnave me ngjyra, forma të tabletave ose me ngjyra të ambalazhit

Është ndër shqetësimet më të mëdha që kemi sidomos me moshën e shtyer, të cilët kërkojnë barnat me ngjyra të paketimeve ose tabletave, duke mos u shqitur deri në realizimin e qëllimeve të tyre. Kjo formë e kërkesës në marrjen e barit, paraqet rrezik të madh sepse shumë tableta, kapsula, apo forma tjera farmaceutike mund të kenë ngjyra të njëjta apo madhësi dhe formë të njejtë, duke quar në rreziqe shumë të mëdha, madje edhe në fatalitet nëse mirren gabimisht me një hamendje të tillë.

4. Marrja e të njejtit bar nga disa prodhues

Shumëherë na ndodhë që pacienti (sidomos pacientët në moshë të shtyer) të vie me ambalazhe të disa barnave në duar, për të marrë të njëjtat tek terapitë kronike që përdorin, ndër to kemi hasur në dy ose tre barna të njëjta nga prodhues të ndryshëm, duke i njoftuar dhe duke i këshilluar që barnat t’i marrin gjithmonë vetëm me recetë. Në këtë formë vie deri te mbidozimi dhe të keqësimi i gjendjes së tyre ( psh të mirren dy ose 3 antihipertensivë të njejtë, vie deri te rënia e madhe e tensionit, ndërkohë që pacienti nuk e di shkakun e ardhjes deri te një gjendje e tillë, madje rastet të tilla mund të përfundojnë edhe me fatalitet). Andaj, lus familjarët që t’i shoqërojnë të moshuarit në blerjen e barnave, në mënyrë që të evitohen gjendje të tilla shumë të rrezikshme për pacientin.

5. Marrja e barit ngaqë i ka bërë mirë dikujt tjetër

Shpeshherë duke e shërbyer një pacient, tjetri që është duke pritur i thotë ” merre këtë bar se mua më ka bërë mirë, do të veprojë shumë mirë edhe te ti”, pa menduar fare më drejtohet ” ama këtë që thotë ky zotriu/ zonja “. Apo, kisha një rast që kërkonte edhe gjumësjellës jashtëzakonisht të fortë, sepse i’ia kishte përshkruar një shoqe ngaqë i ka bërë mirë asaj (të cilës ja ka përshkruar mjeku). Së pari një gjë e tillë është shumë e rrezikshme, jashtë mase dëmtuese duke marrë parasysh se asnjë organizëm nuk është njësoj. Tjetra, në prani të një profesionisti, në vendin e duhur të tij të punës, populli ynë shumë i dashur mundohet ta dëmtojë tjetrin pa i’u trembur syri, pa respekt ndaj profesionistit dhe pa asnjë frikë, ndërsa pala tjetër që zgjedhë të marrë një këshillë kaq “profesionale”, kjo nuk do koment, kjo do duhej të ishte vepër penale dhe në kushtet e një shteti normal, do duhej të paditen që të dy.

6. Përdorimi i tepruar i pluhurit nimesulid

Kemi një shkrim të detajuar rreth kësaj dukurie në grupin/faqen tonë Familja dhe shëndeti.

7. Mos kërkimi i informatave shtesë rreth barit

Secili bari ka efekte anësore si dhe ndërveprime me barna tjera apo ushqime, patjetër duhet kërkuar informata shtesë nga ne farmacistët ( kemi një artull në grupin/ faqen tonë Familja dhe shëndeti rreth ndërveprimeve të barnave).

8. Moskërkimi i prezencës së farmacistit në barnatore

Në shumë barnatore tona punojnë staf i pakualifikuar, madje edhe tregtarë të cilët kanë mësuar emrat tregtarë të barnave dhe shesin si në një supermarket, duke rrezikuar jetën e qytetarëve tanë. Fatkeqsisht, mosfunksionimi i duhur i ligjit ka quar në një gjendje të tillë, madje duke i’a ulur vlerën farmacistit dhe duke e quajtur “shitës të barit”. Farmacistët nuk janë “shitës të barit” por janë profesionistë të kualifikuar, pa të cilët mjekësia do të ishte shumë e mangët. Janë ata që duhet t’ju këshillojnë rreth barit, andaj presin t’i respektoni dhe t’i dëgjoni, sepse rëndësia e marrjes së barit në mënyrë të duhur dhe të gjitha informatat tjera shumë të rëndësishme rreth barit, mund t’i merrni nga ta, pra të gjitha ato të dhëna që do të çojnë në përmirësim më të shpejtë të gjendjes tuaj shëndetësore. Andaj, në secilën barnatore kërkojeni prezencën e tyre, merrni barnat nga duar të sigurta.

9. Dërgimi i fëmijëve nga ana e prindërve për të blerë barna

Shumëherë prindërit dërgojnë fëmijët e tyre në moshë minore për të blerë barna, çoftë me apo pa recetë, madje edhe barnave qetësuese. Mos thuani se nuk bëhet gjë për një paracetamol ( disa tableta paracetamol po u moren përnjeherë, do të çojnë në dëmtime të mëlqisë dhe në fatalitet për pak orë). Fëmijët kanë botë të madhe dhe shumë kurreshtare, nga kurreshtja që kanë, mund të vie deri te përdorimi i barnave që i blejnë për të rritur duke quar në rrezik të lartë për jetën. Andaj, mendoni para se t’i dërgoni fëmijët në barnatore.

10. Marrja e sirupit sipraktin dhe tabletave dekort për shtim peshe

Sirupi sipraktin është një antialergjik dhe ka përdorim të gjerë në proceset e alergjive të ndryshme, tabletat dekort janë barna kortikosteroide që kanë përdorim të gjerë si te artriti, sëmundjet e mushkërive etj. Kur mirren së bashku e shfaqin një efekt anësor të përbashkët siq është shtimi peshë apo enjtja e organizimit dhe këtu fillon keqperdorimi në cilësinë e një “vitamine”. Si efekte anësore të tyre janë : Sipraktin : Lodhje dhe përgjumje, stres i shtuar, humbje koncentrimi etj. Dekort : Osteoporoza, çrregullimet emocionale, çrregullime të traktit tretës, enjtja e organizmit etj.

11. Marrja e shamponit të parazitëve për trashje të flokëve Për këtë dukuri kemi një shkrim të detajuar në grupin/ faqen tonë Familja dhe shëndeti.

12. Marrja e barnave laksative për dobësim

Çdo ditë ndodhë të kërkohen barna laksative për dobësim, metodë shumë e gabuar dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për shëndetin. Shumica e qajrave kanë përmbajtje me gjetheve të senes, këto gjethe janë pastrues i mirë i zorrëve, veprojnë duke rritur levizshmërinë e zorrëve dhe stimulojnë instiktin e zbrazjes së zorrëve. Efekti shfaqet pas 6 deri 8 orësh pas konsumimit. Efekte anësore të saj janë dhimbje barku, diarre dhe ngërqe në bark. Nuk rekomandohet të përdoret mbi 2 javë, përdorimi më i gjatë bën që zorrët të humbin funksionin normal dhe kjo qon në varshmërinë e organizmit nga laksativët ( dembelizimi i zorrëve). Poashtu, marrja për kohë të gjatë shkakton edhe disbalansën e elektrolitëve në organizëm duke shkaktuar çrregullim të funksionit të zemrës, dobësi të muskujve dhe dëmtime të mëlçisë. Si për shtim në peshë si për humbje peshe, kërkohet ndërrim i stilit të të ushqyerit dhe marrje me aktivitet fizik, pra duke ngrënë 3 vakte kryesore dhe 2 mesvakte. Nuk humbet as nuk shtohet peshë përnjëherë, por organizmat janë të ndryshëm dhe duket kohë dhe mund, por në rrugë të duhur dhe jo me preparate farmaceutike të dëmshme./www.familjadheshendeti.com