Konjunktiviti neonator

Konjunktiviti neonator apo siç njihet edhe si Ophthalmia neonatore, i referohet çdo forme të konjunktivitit që ndodh në 28 ditët e para të jetës.

Nga Dr. Anita Syla Lokaj
Specialiste e Oftlamologjisë, PhdC

Kjo formë e konjunktiviti është me etiologji infektive dhe aseptike por më së shpeshti paraqitet me etiologji infektive siç janë: bakteret, Chlamydia trachomatis, Neisseria gonorrhoeae, Staphylococcus aureus, Streptococcus pneumoniae dhe organizma të tjerë të ndryshëm.

Po ashtu mund të ketë shkaqe virale – sidomos virusi herpes simplex. Një formë e konjunktiviti aspektik është edhe reagimi ndaj irrituesve kimikë dhe në shumicën e rasteve është një gjendje vetëshëruese që zgjat jo më shumë se 24 deri në 36 orë dhe nuk ka nevojë për trajtim. Kjo e dallon nga infeksionet e lartëpërmenduara që duhet të trajtohen.

Në shumicën e rasteve, konjunktiviti i të porsalindurve është një sëmundje që kalon pa komplikime. Përjashtim bën infeksioni gonokoksik, i cili mund të progredoj me shpejtësi në dëmtimin e kornesë dhe për pasojë humbjen e përhershme të shikimit.

Epidemiologjia

Ophthalmia neonatoe paraqitet në 1-12% të foshnjave në botën perëndimore. Shifra e saktë ndryshon sipas gjendjes socio-ekonomike të vendeve të ndryshme. Incidenca shkon deri në 23% në vendet në zhvillim.

Fillimisht, termi Konjunktiviti neonator i referohej konjuktivitit në të porsalindur të shkaktuar nga N. gonorrhoeae, por tani termi përdoret për çdo formë të konjuktivitit në këtë grupmoshë, pavarësisht nga etiologjia.

Faktori kryesor i rrezikut për konjunktivit neonator me origjinë gonokoksike ose nga klamidia është prania e një sëmundjeje seksualisht e transmetueshme tek nëna. Mundësia e transmetimit te këtyre sëmundjeve nga nëna e infektuar tek foshnja është mjaftë e madhe.

Infeksioni me Klamidia është tani shkaku më i zakonshëm i konjuktivit infektiv neonatal, duke përbërë 2-40% të rasteve.
N. gonorrhoeae tani përbën më pak se 1% të rasteve të raportuara të konjunkitivit të porsalindurve ose neonatal.

Incidenca e këtyre dy patogjenëve ka rënë gjatë një periudhe prej dy dekadash, për shkak të përhapjes së prevalencës në popullatë dhe për mjekimin e tyre para lindjes.

Bakteret jo-seksualisht të transmetueshme të tilla si Staphylococcus, Streptococcus, Haemophilus dhe bakteret e tjera Gram-negative, përbëjnë shumicën e rasteve të mbetura të oftalmisë neonatore (30-50%)

Konjuktiviti i natyrës jo infektive ose aseptike, i quajtur konjunktivit kimik, i shkaktuar nga aplikimi i pikave të nitratit të argjendit, përbën pjesën më të madhe të pjesës tjetër të konjunktivitit.

Rastet e konjuktivitit kimik janë në rënie, pasi që profilaksa ose parandalimi me solucionin e nitratit të argjendit është zëvendësuar nga agjentë të tjerë të cilat, nga ana tjetër, kanë reduktuar incidencën e konjuktivit gonokoksik

Prezantimi klinik

Foshnjat e prekur nga konjunktiviti neonator karakterizohen nga prezenca e sekretit mukoid ose mukopurulent në njërin apo të dy sytë brenda muajit të parë të jetës. Konjunktiva është e skuqur e shoqëruar me ënjtjen e kapakëve.

Konjuktiviti kimik

Ekziston një acarim i lehtë me skuqje në një foshnjë që janë aplikuar pikat e nitratit argjendit si masë profilaktike (përdoret për parandalimin e infeksionit nga gonokoku). Shfaqet disa orë pas lindjes dhe zhduket vetvetiu brenda 24-48 orëve të para të jetës.

Konjuktiviti bakterial

Kjo formë e konjunktivitit zakonisht ka një periudhë më të gjatë inkubimi sesa shkaqet tjera infektive, duke paraqitur me një fillim subakut mes ditës së 4 dhe 28 të jetës. Në varësi të patogjenit, mund të ketë një pasqyre klinike të përzier të një syri të kuq me ënjtje të kapakut dhe një sasi të ndryshme të sekretit purulent.

Llojet e zakonshme specifike të infeksionit bakterial janë:

Infeksioni Gonokoksik– zakonisht, 1-5 ditë pas lindjes, por mund të ndodhë më vonë: injeksioni i hiperakut i konjunktives i shoqëruar me hemozë ose ënjtje të konjunktives, edemë të kapakut si dhe sekret shumë të shprehur mukopurulent. Nëse nuk trajtohet me kohë mund të ketë ulcerim dhe perforim të kornesë

Infeksioni klamidial–periudha e inkubimit 5-14 ditë pas lindjes (disa raportojnë deri në 28 ditë pas lindjes):sekret të njëanshëm ose i dyanshëm. Konjunktivitin nga kalmidia mund ta shoqërojë edhe gjendje të tjera si riniti, otiti dhe pneumonia. Sytë zakonisht janë më pak të skuqur sesa në rastin e infeksionit gonokoksik.

Konjuktiviti viral

Fillimi është akut, 1-14 ditë pas lindjes: sekret serosanguinoz i njëanshëm/ose dyanshëm i shoqëruar ose jo me lezione vezikulare në lëkurë. Karakteristika të tjera okulare mund të përfshijnë keratit, uveiti i përparmë, katarakte, retinit dhe (rrallë) neuriti optik. Jo rrallë, infeksioni sistemik mund të shkaktojë verdhëzën, hepatosplenomegali, pneumoni, meningoencefalit dhe koagulimi intravaskular i shpërndarë.

Diagnoza diferenciale

Obstruksioni kongjenital i kanalit nazolakrimal paraqitet po ashtu në këtë fazë të jetës. Kjo gjendje karakterizohet me sekrecion të trashë mukopurulent, por syri nuk është i skuqur dhe gjendja e përgjithshme e foshnjës është e mirë. Shumica e rasteve me mbyllje të kanalit të lotit hapen vetvetiu deri në moshën 12 muajshe.

Përcaktimi i diagnozës

Historia e sëmundjeve ngjitëse seksualisht të mëparshme ose të njëkohshme tek nëna dhe rezultatet e çdo kulture qafës së mitrës të marra gjatë shtatzënisë kontribuojnë në përcaktimin e diagnozës.

Ekzaminim okular i detajuar

Analiza mikrobiologjike – strisho e konjuktives (të marra nga kapaku i syrit) dhe mbjellja e tyre në kultura përfshinë zbulimin e shkaktarit të infeksionit. Ngjyrosja Gram kërkohet urgjentisht kur ekziston dyshimi i konjuktivit gonokoksik. Edhe në qoftë se dyshohet se infeksioni gonokoksik është prezent, patjetër duhet të kryhen ekzaminime shtesë për të zbuluar edhe infeksionin e mundshëm klamidial.

Trajtimi

Konjuktiviti kimik

Nuk ka nevojë për ndonjë formë të trajtimit edhepse disa favorizojnë përdorimin e lotëve artificial. Këta fëmijë kanë nevojë për përcjellje gjatë 24 orëve për të konfirmuar se kjo ishte me të vërtetë një rast i acarimit kimik në krahasim me ndonjë infeksion të hershëm.

Infeksion bakterial

Trajtimi bëhet në mënyrë ambulantore përveç nëse ka përfshirje të kornesë, foshnja duhet të shtrohet në spital dhe të trajtohet si për keratitin mikrobik.

Infeksioni klamidial

Sirup oral eritromicin (50 mg/kg/ditë e ndarë në katër doza) për 14 ditë. Vetëm trajtimi lokal nuk është i mjaftueshëm (dhe zakonisht nuk ndihet i nevojshëm kur merret trajtimi sistemik).

Prania e klamidisë në sy tregon mundësinë e pranisë së saj edhe në traktin respirator, gjë që është një arsye tjetër për terapi sistemike. Nëna dhe partnerët e saj seksualë gjithashtu do të duhet të trajtohen.

Infeksioni gonokoksik

Këta të posalindur kanë nevojë për hospitalizim dhe vlerësim të detajur për sëmundje sistemike. Shpërlarja e shpeshtë me tretje gjatë ditës është e rekomanduar për të larguar sekretin e shtuar. Përveç kësaj, këta foshnja mund të trajtohen me yndyrë bacitracin çdo- 4 orë. Nëse përcaktohet ndjeshmëria e penicilinë atëherë përdoren penicilina.

Nuk ka protokoll të caktuar të trajtimit, por opsionet përfshijnë përdorimin e ceftriaksonit (dozë e vetme: 25-50 mg/kg intravenoz (IV) ose intramuskular (IM), jo më shumë se 125 mg në total) ose cefotaxime (dozë e vetme: 100 mg/kg IV ose IM). Nëse ka alergji në penicilinë ose cefalosporinë, duhet të konsultohet edhe infektologu. Bebet e tilla duhet të trajtohen njëkohësisht edhe për infeksion klamidial, si më sipër.

Infeksioni viral

Këto foshnje duhet të hospitalizohen dhe të trajtohen me aciklovir IV: (45-60 mg/kg/ditë e ndarë në tri doza). Kjo vazhdon për 14 ditë nëse ka sëmundje të lokalizuar dhe 21 ditë nëse ka sëmundje të shpërndarë.

Komplikimet

Komplikimet lidhen kryesisht me konjuktivitin gonokoksik. Shumica e shkaqeve të tjera të konjuktivit në të porsalindur kalojnë pa komplikime. Komplikimet e gonokokut përfshijnë:

– Keratiti-infeksioni i kornesë
– Dëmtimi i përhershëm i shikimit

Bakteret e tjera rrallë japin pasoja serioze:

Mund të ndodhë një infeksion sistemik i përhapur – p.sh. pneumonia klamidike, pastaj meningoencefalti nga shpërndarja e infeksionit me herpes simplex.

Prognoza

Infeksioni i klamidial: 80% tërësisht kurohet pas një trajtimi adekuat.

Infeksion bakterial: rrallë dështon të përgjigjet ndaj trajtimit të duhur me antibiotik përkatës.

Infeksioni viral: prognoza okulare mund të jetë e favorshme, por ndonjëherë pasojat sistemike mund të jenë fatale.

Konjunktiviti kimik: shërim i plotë spontan pritet 24-36 orësh pas aplikimit te pikave.

Parandalimi

Çështja e parandalimit lidhet kryesisht me trajtimin e infeksioneve te cilat potencialisht mund të fitohen gjatë aktit të lindjes, kryesisht konjunktiviti gonokoksik.

Tradicionalisht, është provuar të parandalohet me përdorimin e pikave të nitratit argjendi prej 2% Megjithatë, ky trajtim nuk parandalon absolutisht të gjitha rastet dhe shkakton konjuktiviti kimik të përkohshëm në një përqindje të lartë të foshnjave (50-90%). Si rezultat, eritromicina dhe tetraciklina, të cilat janë paksa më efektive, janë duke u përdorur si mjete profilaktike kundër të gjitha infeksioneve duke përfshirë gonorrenë.

Kohët e fundit, ka filluar aplikimi edhe o pikave të povidone-jod 2,5%, i cili është më efektiv se agjentët e tjerë, veçanërisht kundër infeksionit klamid, dhe që duket se nuk kanë efekte anësore sistemike./FamiljadheShëndeti