Shkroi: Dije Lohaj
E takova rastësisht. Ishte një çast i vetëm, por aq i thellë sa më erdhi si një cunam shkatërrimtar, që më futi brenda valëve, duke më përplasur sa andej e sa këndej nëpër rrahët e ferrit të mentalitetit shqiptar…U përlota si një fëmijë, kur bën fajin dhe mbeta gojëhapur, teksa dëgjoja zërin e saj të dridhur dhe shikimin e syve të saj të përhumbur, në një hapësirë të pafund tek shpupuriste hirin e shpirtit. U ndjeva e vrarë para syve të saj, që dukeshin si gropa varri. Aty u futa ku më përpiu një humnerë e trisht. Pashë gjurmët e heshtjes sonë të pandërgjegjshme, që i kishte zënë dhembja dhe gjaku i të pafajshmeve.. Me mijëra pamje mbërthyen shpirtin tim, ku gjakun ma bënë ujë. Nuk e di sa kohë kisha qëndruar ashtu e përhumbur, veç kur dëgjova zërin e saj tek ishte egërsuar, derisa e mblodha veten dhe i ndesha sytë e mi me të saj. Aty hetova diçka, që deri me tash se kisha kuptuar. Vallë, po shkelim me dy këmbë mbi dhembjen e saj e po ndërtojmë lirinë tonë…
Kur e pyeta, se si po ia del me këtë dhembje kaq të madhe, ajo më vështroi e habitur, ku sytë e saj u tretën diku sa u pendova tmerrësisht pse e pyeta…
“ Trishtimi më është bërë pjesë e jetës dhe assesi nuk po kam force t’i shijoj çastet e lumtura që më shërbehen herë pas here…
Po ngroh dielli?! Unë mërdhij…! Më djeg më shumë zjarri i akullt, se sa kjo flakë që ka kapluar rruzullimin. Po ec në këtë tokë dhe fare nuk po e di se jam në tokën, ku thura ëndrrat për ardhmërinë time… Më thanë: -Eja të ikim! Por, ju thashë: Jo, vendi ka nevojë për ne!….
Jo, kjo që djeg nuk është diell, por zjarr që shkrumbon edhe eshtrat dhe hirin që ka mbetur në mua….S’po më bën zemra të dal nga kjo dhomë e të ballafaqohem me të tjerët. Nuk e di si e përballova kujën e nënës, kur më pa… pa mundur të më merrte në gji m’u dashtë ta duroj ulërimën e saj….!”
Papritmas u ndal zëri i saj i mekur… Nuk e dija a kisha një grua prej mishi e gjaku apo një fantazmë, që po trazon ndërgjegjen tonë kolektive… Po mundohesha të merrja vetën dhe të flisja diçka sa për ta thyer akullin që kishte ngecur diku biseda, kur ajo vazhdoi me një buzëqeshje të hidhur.
“ Mendon, se unë nuk kisha ëndrra?!” Ajo vetë pyeste dhe vetë përgjigjej. Megjithëse, për mua ishte më mirë, sepse m’i kishte hëngër gjuha fjalët…
“Ëndrrat e mia për dashurinë ishin lule të bukura, luadhe me blerimin e filiztë, llastuar lumturie, që ëmbëlsonin dashurinë dhe përkëdheleshin me fijet e ylberit shumëngjyrësh… Ka diçka që më ndalon…! Nuk di çfarë është…? Nuk di ku ka mbetur shpirti…? Nuk e ndjej dot…Jo, as sot! Jo, as dje… Moti nuk e ndjej…! “
Nuk e di, ju mbështollën fjalët. Nuk ua gjente fillin. Iu zbeh fytyra dhe bebëzat e syve iu hapen… O zot, doja të thërrisja, por s’më dilte as edhe një fjalë… Dhe prapë dëgjova zërin e saj te tingëlloi si nga fundi i një varri.
“Dashuria ime është bërë memece. Është në pranga. Nuk flet fare-fare. Hoqi dorë nga ato ulërima… Qëkur ushtarët me shkafnjyen e më sfiliten trupin copë-copë, më duket se më kanë mbuluar me një napë të zezë. Me duket, se ndodhem mes ngordhësirave, duke marrë erën e shpifur të tyre …, qëkur fustanet e vajzërisë m’i lanë me gjak të zi e të ndotur, dashuria ime gropon këngët e vajzërisë, këngët qe këndoheshin te parku ynë; këngën e bilbilave të bjeshkëve, të cicërimave të ëmbla pranverore…. Çdo natë më shtiren në ëndërr sytë e Lirës….O zot, sytë e saj që u bënë ngjyrë gjaku… Bënë një kasaphane të vërtetë me një lumë ndotur e i qelbur brenda nesh…!
Oh, që atëherë, kur ushtarët më ndërroheshin me radhë, nuk e dija ç’po ndodhte brenda meje, vetëm e di se vinte ere e ndotur e rakisë, e barutit… Ndjeja të vjella tek derdheshin mbi gjinjtë e mi… Nuk e di, ku derdheshin breshëritë e plumbave. Mendoj, se u derdhen brenda trupin tim, tek çahej shpirti me heshta të çelikta… !!”
U ndal zëri i saj e sytë u përplasen në një përhumbje të thellë dhe në atë humnerë humba dhe unë. Që atëherë u tkurr edhe bota ime…!!! /Familjadheshendeti.com