Shkruan: Dr Ismail Lutolli, specialist pediatër, subspecialist dietolog – nutricionist
Muaji i katërt apo muaji i gjashtë është koha ideale?
Pse kaq i rëndësishëm fillimi?
Çka nëse kemi filluar në moshën 12 muajshe, pasojat?
Momenti ideal për të filluar ushqimet është një dilemë për të gjithë prindërit me fëmijë të vegjël. Shumë pediatër si edhe specialistët e prodhimit të ushqimeve shtesë, theksojnë se në disa raste specifike, mjeku mund të këshillojë që ndërhyrja me ushqime të ngurta të bëhet pas muajit të 4-të. Shumë prindër fillojnë ushqimet në muajin e katërt dhe këtë fillim e interpretojnë si nje sukses të madh.
Pak prindër, e besa edhe pak mjekë pediatër, kanë kujdesin e nevojshëm për të kuptuar se pikërisht fillimi i ushqimeve tjera përpos qumështit është pika kyçe nga e cila do varet shumëçka në jetën e një fëmije.
Është pikërisht kjo porta e nisjes së ushqyerjes së mbarë e cila po filloi si duhet, do ndikojë rrënjësisht në jetën e shëndetshme të fëmijës. Është pikërisht kjo pika në të cilën dështojnë një numër i madh i prindërve e profesionistëve, dhe nga këtu fillojnë problemet që do e përcjellin një femijë në tërë fëmijërinë e tij, e në ca raste edhe në pjesën dërmuese të jetës.
Kur ështe koha ideale për ushqimet e ngurta ?
Ajo që është shumë e qartë sot për të gjithë, është domosdoshmëria që në 6-të muajt e parë fëmija juaj të ushqehet vetëm përmes procesit të gjidhënjes. Pra, është qumështi i nënës ushqimi më i mirë për fëmijën tuaj. Ai përmban të gjitha lëndet ushqyese të nevojshëm për rritjen dhe zhvillimin e duhur të fëmijës dhe vepron në një sërë mëkanizmash për zhvillimin e duhur e të nevojshëm të nje fëmije të posalindur e deri në muajin e gjashtë.
Nëse fëmija juaj nuk është në procesin e gjidhënjes, zëvendësimi i detyrueshëm (por jo i njejtë për nga cilësia), është formula e qumështit të adaptuar.
Pas muajit të gjashtë me qumështin e nënës, nevoja për të ushqyer ose për futjen e ushqimeve të tjera vjen duke u theksuar, dhe është e nevojshme për të plotësuar nevojat ushqyese të fëmijës në zhvillim. Ushqimet e ngurta, megjithatë nuk do të thotë në asnjë mënyrë një ndërprerje të ushqyerjes përmes procesit të gjidhënjes. Pra, në muajin e gjashtë fillojmë kombinimin e procesit të gjidhënjes me ushqimet shtesë.
Ushqimi nga muaji i 4-të, sa i rrezikshëm për një fëmijë?
Në euforinë e shumë prindërve që fëmija i tyre te ecën me hapa të shpejtë, shpeshherë ideja e parë e tyre është ushqimi shtesë nga muaji i 4-të. Kjo ide shpeshherë përkrahet edhe nga mjekët pediatër, pa qenë të vetëdijshëm për pasojat afatgjate në organizmin e fëmijës.
Në vazhdim do sjellim arsyet përse nuk duhet të fillohet ushqimi në muajin e 4 -të.
1. Prezantimi i hershëm i ushqimeve solide për fëmijën në muajin e katërt nuk këshillohet, për shkak se sistemi i tretjes së fëmijës zhvillohet gradualisht dhe është e vështirë tretja dhe përdorimi i ushqimeve tjera përveç qumështit të gjirit ose formulës. Njëri prej shkaktarëve shtesë të kësaj dukurie konsiderohet papjekuria e mjaftueshme e sistemit enzimatik dhe çrregullimi në nivelin e nyjave neuromuskulare. Ç’është e vërteta në muajin e katërt, sistemi enzimatik në zorrë nuk është mjaft i zhvilluar, kështu që ekziston një dis’harmoni ndërmjet fillimit te ushqyerjes në muajin e 4-të, sasisë së ushqimit të marrë dhe kapacitetit të enzimave si dhe funksionit të zorrëve.
Në stomakun e nënës, foshnja e ka marrë ushqimin e përpunuar. Pas lindjes, foshnja merr qumështin e nënës me dendësi e kaloritë përkatëse. Fillimi i ushqimit në muajin e 4 është një „shok“ për traktin digjestiv të pamaturuar të një fëmiu.
2. Futja e hershme e të ushqyerit rrit rrezikun e alergjisë. Kur bëhet fjalë për traktin e tretjes, deri në muajin e gjashtë, trakti digjestiv (zorrët) janë të papjekura mjaftueshëm, nuk kanë prezencën e duhur të enzimeve te kërkuara dhe hulumtimet sugjerojnë që futja e ushqimit të ngrirë para muajit të gjashtë, rrit rrezikun e alergjive ushqimore. Sistemit imun është një rrjet kompleks që bashkon rrjetin e qelizave të veçanta dhe indeve, të cilat ndihmojnë në mbrojtjen e trupit ndaj substancave të panjohura. Tek foshnjat me alergji, sistemi imunitar i trupit i keqinterpreton disa gjëra dhe kjo është lehtësisht e mundur në muajin e 4-të, disa gjëra ushqimore si trupa të huaj. Si rezultat, sistemi imunitar krijon substanca si antitrupat IgE dhe histamina, të cilët çlirohen në rrugët e gjakut për t’i luftuar këto substanca të huaja apo potencialisht të rrezikshme. Kjo fillon si reagim nxitës në pjesë të ndryshme të trupit, dhe zhvillon simptomet e alergjisë.
Kjo është një arsye shtesë pse gjidhënja është i vetmi ushqim që këshillohet deri në muajin e gjashtë.
Pas muajit të gjashtë, vie deri te pjekja apo maturimi shumë më i mirë i zorrëve dhe vet mekanizmave të sistemit imunitar. Pra, çdo fillim i ushqimeve në muajin e 4-të apo të 5-të nuk ka këtë mekanizëm mbrojtës në nivelin që duhet dhe pasojat janë të theksuara në muajt e vitet në vijim.
3. Prezantimi i parakohshëm i të ushqyerit ndikon direkt në traktin digjestiv dhe në ndërveprimin me receptorët përgjatë traktit digjestiv, duke shkaktuar dëmtime që mund të jenë edhe shumë serioze në fazat e mëvonshme.
Pra, kemi të bëjmë me papjekuri te mjedisit enzimatik në traktin e tretjes, mungesa e pjekurisë të sistemit neuromuskular. Këto probleme mund të shkaktojnë spazma të muskujve, dhe si rezultat dhimbje të zorrëve nën presionin nga muri i zorrëve. Gjëndrrat që janë në mukozën e stomakut të foshnjës nuk janë mjaft të pjekura dhe nuk mund të prodhojnë acid klorhidrik të mjaftueshëm për përpunimin e ushqimit në muajin e 4-të të jetës, duke filluar me problemet klinike si: të qajturat e vazhdueshme të foshnjës, probleme me jashtëqitjen, etj.
4. Humbja e refleksit të shtytjes së ushqimit me gjuhë.
Ky refleks më së shpeshti humbet midis muajit të pestë dhe të gjashtë të jetës. Pra, foshnja duhet të ketë kapërcyer refleksin e të nxjerrit jashtë gojës gjithçka që nuk është e lëngshme. Nëse është akoma i pranishëm, do jetë shumë e vështirë të fillohet me ushqimet në mënyrë të kënaqshme. Humbja e këtij refleksi ka rëndësi për fillimin e ushqimit në mënyrë të sukseshme dhe e tërë kjo ndodhë në muajin e gjashtë.
5. Pikërisht në muajin e gjashtë vie deri të një koordinim më i mirë i lëvizjes së gjuhës dhe refleksit të gëlltitjes. Kjo është e domosdoshme për fillimin e sukseshëm. Kjo nuk ndodhë në muajin e katërt.
6. Duke filluar ushqimin në muajin e 4-të rrezikojmë edhe nga vetë procesi i mbytjes apo ngulfatjes së një foshnje, pasi mungojnë mekanizmat e theksuara më lartë. Mungon refleksi i gëlltitjes si dhe koordinimit të duhur të frymëmarrjes e gëlltitjes.
7. Në një pjesë të madhe të rasteve, edhe dalja e dhëmbëve fillon nga fundi i muajit të gjashtë. Kjo është një lehtësim shtesë për fillimin e ushqimeve të ngurta apo solide. Me daljen e dhëmbëve lehtësohet vetë procesi i përpunimit të ushqimit.
8. Një arsye tjetër që fillohet me ushqimin në muajin e 4-te është “ideja e gabuar” se futja e ushqimeve të tjera nga muaji i katërt do të rezultojë me fjetjen e një fëmije gjatë gjithë natës. Kjo nuk është fare e saktë, përkundrazi ky hap mund të sjellë një çrregullim të madh të vetë procesit të fjetjes. Problemet e traktit tretës do të ndikojnë edhe në vetë çrregullimin e procesit te fjetjes gjatë natës. Pra, në vend se të kërkojmë qetësinë, mund të fillojmë një proces të komplikuar, i cili sjellë probleme të pafundme.
9. Ushqimi nga muaji i 4-të, sidomos para gjumit mund të ndikojnë edhe në çrregullimin e vetë procesit të kontrollit të oreksit në një moshë të hershme dhe, më vonë është e mundur, të kontribuojë në obesitetin tek fëmijët. Pra, burimi i problemeve mund të fillojë pikërisht nga hapat e shpejtuar në muajin e 4-të. Kjo është më e shprehur sidomos te fëmijët me qumësht shtesë, të cilët fillojnë ushqimet e ngurta nga muaji i 4-të.
10. Ushqimi në muajin e katërt mund të ndikojë direkt edhe në vetë procesin e gjidhënjes apo të ushqyerit me biberon. Ka raste që pikërisht hapat e shpejtuar rrezikojnë edhe vetë gjidhënjen. Ndryshimet në traktin digjestiv ndikojnë që disa fëmijë të fillojnë të refuzojnë edhe vetë procesin e gjidhënjes kur fillohet me ushqimin nga muaji i 4-të. Të humbet procesi i gjidhënjes si pasojë e nxitimit me ushqimet solide, është hapi më i gabuar që mund të shkaktohet në këtë moshë. Në punën time klinike, takoj përditë nëna që ballafaqohen me këtë problem.
11. Gjidhënja është burimi më i mirë i të ushqyerit dhe përmban të gjitha lëndët ushqyese, që fëmija juaj ka nevojë për të mbështetur rritjen e zhvillimin normal deri në moshën gjashtë muajshe. Qumështi i formulës është një zëvendësues i detyruar kur kemi mosrealizim të procesit të gjidhënjes ngushtë. Të dyja, qumështi i gjirit dhe i formulës, janë të mbushura me materie ushqyese të vlefshme, kështuqë edhe pse stomaku i fëmijëve ka volum të vogël, megjithatë përmes gjidhënjes fëmija merr të gjitha që i nevojiten.
Nëse fillon ushqimet nga muaji i 4-të, nuk ka asnjë mundësi që përmes pemëve dhe perimeve por edhe ushqimeve tjera të merr nje sasi të pakët ushqimi por me vlera ushqyese sikurse procesi i gjidhënjes. Dhënia e ushqimeve të ngurta të fëmijës para gjashtë muajsh do të thotë zëvendësimi i një burimi shumë të koncentruar të ushqyesve (qumështi i gjirit ose i formulës) me një formë më pak të koncentruar (mish ose perime). Nëse fëmija juaj fillon ushqimet në muajin e 4-të, ata do të mbushen me këto ushqime duke reduktuar shumë qumësht gjiri ose formulë. Kjo do të thotë se ata do të humbasin shumë nga vlera e jashtëzakonshme e gjidhënjes me rëndësi jetike për rritjen e tyre. Futja e hershme e lëndëve të ngurta mund të ndikojë gjithashtu edhe tek nëna në reduktimin e qumështit të gjirit, duke ndikuar në ca raste edhe në dështimin e mëtejmë të vetë procesit të gjidhënjes. Mbani në mend se duke pritur deri në moshën 6 muajshe, përpara se të futni ushqime të ngurta tek foshnjat që janë ushqyer ekskluzivisht me gji, mund të ndihmoni që ata të marrin përfitimet e plota shëndetësore të ushqyerjes me gji.
A thua e vlën të humbasim tërë këtë mrekulli të njohur me emrin gjidhënja si pasojë e një ngutie të tepruar ?
12. Fillimi i ushqimeve të ngurta redukton kohën e gjidhënies dhe e tërë kjo zvoglon edhe lidhjen e „shenjtë” emocionale gjatë procesit të gjidhënjes apo edhe gjatë procesit të marrjes së qumështit me biberon. Ky proces është i afërt dhe plot emocione, aty ka edhe rrahje të zemrës së nënës e edhe kontakt lëkurë më lëkurë. Pakësimi i kësaj lidhje në muajin e 4-të është e shpejtuar dhe ndikues në procesin e mëtejme emocional nënë-fëmijë.
13. Një tjetër komponent i rëndësishëm i fillimit të ushqimeve të ngurta është zhvillimi i sistemit motorik
Foshnjat kanë nevojë për një sistem motorik të zhvilluar mirë (funksionet e kontrolluara nga muskujt e mëdhenj). Zhvillimi i funksioneve të nevojshme për të ushqyer zhvillohet me zhvillimin e sistemit motorik në muajin e 6-të. Shumë nga këto funksione varen nga foshnja që ka kontrollë adekuat të qafës dhe është në gjendje të ulet në mënyrë të pavarur. Kjo vështirë ndodhë para muajit të 6-të.
14. Rreth muajit të gjashtë të jetës, foshnja fillon të zhvillojë aftësi emocionale, të cilat kur ato të përsosen, ndikojnë direkt në vetë procesin e ushqyerjes. Vetë procesi i ushqimit është direkt i lidhur me sistemin nervor qëndror andaj është e rëndësishme mosha 6 muajshe për fillimin e ushqimeve. Shiqimi i ushqimit, përjetimi, përcjellja e tjerëve duke ngrënë, ndikon direkt në suksesin e fillimit të ushqimeve të ngurta.
15. Në muajin e gjashtë, foshnja zhvillon tashmë aftësinë për t’u ulur në karrige dhe dëshiren e madhe për të kapur vetëm ushqimin. Muaji i gjashtë është muaji kur fëmijët thjesht deshirojnë që me duart e tyre të provojnë ushqimin. Ata shpesh edhe refuzojnë që dikush t’u ofrojë ushqimin. Në muajin e katërt kjo është e pamundur.
Muaji i 6-të muaj ideal, si të fillojmë ?
Fillimi duhet të jetë i ngadalshëm dhe shumë relaksues për fëmijën tuaj. Filloni me vetëm një vakt në ditë, në një kohë kur fëmija është tërësisht i zgjuar dhe jo shumë i uritur. Pra gjejeni një moment të përshtatshëm.
Është mirë që së pari të ofrohet një gjidhënje të plotë për të marrë ushqimin e nevojshëm, pastaj të ofrohet një deri në dy lugë ushqim dhe pastaj përsëri të vazhdojë të ushqehet me gji ose shishe.
Kjo do ishte ideale, por jo gjithmonë funksionon në praktikë. Me rëndësi, pas mbarimit të gjidhënies e provoni për t’i ofruar një deri dy lugë ushqim. Luga e parë do duhej të ishte e butë, e lëmuar, dhe përmbajtja e ushqimit jo shume viskoze. Gradualisht ju mund të jepni ushqime me densitet më të lartë.
Në muajin e gjashtë, shumica e ushqimeve shkojnë si të veçanta, pra jo me kombinime.
Ju nuk duhet të habiteni fare nëse fëmija juaj tregon shumë pak interes ose shpreh mimikë të neveritshme të fytyrës, në tentimin për të provuar një ushqim të panjohur.
Asnjëherë mos u zemëro me fëmijën për shkak të refuzimit të tij/saj me atë që i ofrohet për të ngrënë. Nëse dëshiron që me duart e tij të merr diç nga ushqimi, lereni, apo ju mund ta ndihmoni atë pak, në mënyrë të butë të mbani dorën e tij me dorën tuaj dhe e drejtoni atë në gojën e tij. Kjo nëse funksionon, do i sjellë shumë kënaqësi.
Marrja e lugës apo vetë shiqimi i lugës me të cilën i ofrohet ushqimi është diç tërësisht e panjohur. Mos harroni se ushqimet e para janë më shumë për të mësuar përvoja të reja, janë proces i fillimit të njohjes me ushqimin.
I tërë ky proces fillon mbarë në muajin e 6-të.
Fillimi në muajin e 8-të deri në vitin e parë, pasojat ?
Janë raste të rralla kur ushqimet e ngurta nuk fillojnë deri në moshën 8 muajshe apo edhe deri në 1 vjeç. Edhe në këto raste pasojat do të jenë të dukshme. Pak rëndësi ka a ka shtuar mjaftueshëm fëmija pa ushqimet e ngurta. Edhe nëse ka shtuar peshë mjaftueshëm, përseri do të këtë pasoja mbi shëndetin për shkak të voneses së theksuar në fillimin e ushqimeve të ngurta.
Vonesa pas 6 muajve, pasojat
1. Ngadalëson rritjen dhe zhvillimin normal të një fëmije (kemi mungesë të shumë elementeve të domosdoshëm për rritje dhe zhvillim normal).
2.Kemi të bëjme me procese të shpeshta të anemisë dhe mungesës së nutrientëve të zakonshëm për rritje dhe zhvillim normal.
3.Kemi zvarritje të funksionit motorik përfshirë gëlltitjen, përtypjen e ushqimit dhe tërë mekanizmat përcjellës.
4.Kemi ngadalësim apo mos adoptim të plotë të traktit digjestiv në ushqimet e ngurta. Pasojat mund të jenë në muajt e vitet në vazhdim. Shpeshherë edhe shumë serioze. Procesi i adoptimit të traktit tretës nëse kemi vonesë deri në një vjet, mund të zgjasë shumë kohë. Ka raste që ky proces nuk mbërrihet më asnjëherë në masën e duhur dhe komplikimet apo shqetësimet me traktin tretës janë të vazhdueshme.
5. Kemi edhe favorizim të zhvillimit të sëmundjeve alergjike si: e astmës, ekzemës ose alergjive ushqimore. Pra, për në fund e përmbledhi me një fjalë: koha ideale për fillimin e ushqimeve te ngurta apo solide është mosha 6 muajshe. Çdo fillim i mëhershëm apo edhe vonim i theksuar, mund të përcillet me pasoja serioze për rritjen dhe zhvillimin normal të një fëmije.
Ne e dëshirojmë më të mirën për fëmijët tanë, andaj rrumbullaksone muajin 6-të si fillim i mbarë. /www.familjadheshëndeti.com