(Bazuar në ngjarje të vërtetë)
Nga Dr. Ismail Lutolli
Ishte mëngjes dhe isha me herët se zakonisht në punë dhe në hyrje të repartit takoj vogëlushen 11 vjeçare A. e cila më priti me buzëqeshjen e saj magjepsëse dhe shikimin përtej zemre.
E kuptova se donte të më thoshte diçka, por kurrë se mendoja se do të përjetoja aq dhimbje nga biseda me të.
Ajo vuante nga një sëmundje malinje e cila tani kishte metastazë në tërë trupin. Mjekohej për 1 vit me radhë, por fatkeqësisht pa sukses. Ajo numëronte ditët e fundit.
A. ishte e buzëqeshur, çapkëne, llafazane e medituese e rrallë. E donim të gjithë dhe sikur ishim familjarizuar me të. Ndjenja që do e humbisnim së shpejti na rëndonte të gjithëve, por duket se asnjëri nga mjekët nuk dëshironte të merrej me këtë temë.
Kur lexohej gjendja e saj ndalonim frymën, shikonim njëri tjetrin si në faj dhe në heshtje vazhdonim tutje.
Atë ditë që nuk do e harroj asnjëherë.
Ajo mu drejtua – doktor dua të flasë diçka me ty, a mundem?
Po i thashë – patjetër.
Shkuam në dhomën e saj dhe duke ecur i valvitej fustani me shumë ngjyra që kishte veshur. Në kokë që tani nuk kishte flokë fare, e kishte vendosur një kurorë dhe një lule anash kurorës. Ishte një truphollë nga tërë procesi i kimioterapisë që kishte kaluar. I kishte ngelur vetëm buzëqeshja dhe shikimi përvëlues nga ajo që unë njihja nga fillimi….
Doktor a e dini që unë nesër do të shkoj në shtëpi – më tha?
Po kam dëgjuar që do të shkosh në shtëpi dhe më vjen mirë se do të jesh te vëllau dhe motra juaj, do të luani së bashku – i thash unë.
Doktor po unë nuk jam mirë, pse po shkoj në shtëpi më pyeti?
Pasi u mendova pak i thashë, po ne lëshojmë pacientët në shtëpi herë pas here, këtë po e bëjmë edhe me ju.
Doktor unë kam pasur gjakderdhje nga hunda e goja, kam edhe sot. Shikoni njollat në duar, unë nuk jam më mirë, e ju po më lëshoni në shtëpi ? Kam frikë se do të më ndodhë diçka në shtëpi, frikësohem – më tha.
E mora afër e përqafova, ja përqafova duart dhe i thashë – nuk ke pse frikësohesh se po ndodhi diçka ti do të kthehesh te ne dhe do të jesh prapë këtu.
Doktor unë nuk kam as flokët, më kanë rënë të gjitha, nuk dua të më shohin kështu kur të shkoj në shtëpi, mu drejtua me shumë seriozitet. Gjatë procesit të kimioterapisë i kishin rënë flokët dhe kjo e vriste shumë. E mora afër e përqafova, ja përqafova duart dhe i thashë: “Nuk ke pse frikësohesh se po ndodhi diçka ti do të kthehesh te ne dhe do të jesh prapë këtu. Edhe për flokët, nuk ke pse mërzitesh, sheh çfarë kurore të bukur keni” i thashë unë… Vetëm më shikoi dhe priste çfarë do t’i thoja tutje. Pasi të përfundosh procesin e shërimit, do të keni flokë edhe më të bukura sesa i kishit – dikur përfundova unë.
Më shikoi më gjatë kësaj radhe dhe pastaj më pyeti duke me stepur në vend – doktor më trego drejtë, a jam duke vdekur, pse po e mbani fshehtë, unë e di!
Me duket se po të mos isha ulur, do të ulesha nga tronditja që më shkaktoi. U bëra kinse nuk e kuptova, duke shpresuar se do të ndërronte pyetjen, por jo e mora prapë pyetjen e njëjtë – Doktor a jam duke vdekur?
Më thuaj diçka, e pyeta unë, a ke dëshirë te takosh Zotin dhe më thuaj sa e donë Zotin?
Ajo pa u hamendur fare ma ktheu – Zoti më ka krijuar mua, mamin, babin, vëllanë e motrën. Unë e dua shumë Zotin dhe flas çdo ditë para gjumit për dëshirat që kam. Unë e di se po vdiqa shkoj te Zoti dhe e takoi. Sa kam qejf që një ditë do ta takoj Zotin – më tha ajo.
U ndjeva i liruar dhe i thashë – mos me pyet mua kur do ta takosh Zotin se nuk e di as unë këtë punë. Kurdo që e takon do e takosh diçka që ti e do – i thashë.
Buzëqeshi dhe më tha – nuk po kam frikë nga vdekja, por më kanë lodhur dhimbjet, nuk po mundem ti duroj më. Ja, shihi duar si më janë bërë edhe goja.
Në ato momente filloi prapë gjakderdhja nga hundët dhe u ngritëm për të dalë.
Në orën 15 e bëmë gati fletë-lëshimin dhe ajo do të shkonte në shtëpi. Kishte marrë terapinë e nevojshme për dhimbjet dhe pak ditë që i kishin ngelur apo pak orë, donte të ishte në shtëpi. Ishte dëshirë e prindërve.
Edhe sot i ndjej takat e saj në korridor kur shkoi dhe i përqafoi një nga një të gjithë personelin mjekësor. Erdhi të më përqafonte edhe mua por i thashë do të të përcjellë deri poshtë. U nisëm shkallëve dhe në çdo shkallë që kaluam më dukej se shkëputej një pjesë e saj, shkëputej një pjesë nga jeta e saj.
Kur ofroheshim në dalje e përqafova edhe një herë dhe i thashë – Sa e bukur që je moj A. po ikën në shtëpi dhe na le vetëm tani dhe ne ishim marrë vesh të jemi së bashku.
Lute Zotin dhe të plotëson dëshirat më tha, ja unë u luta dhe po shkoj në shtëpi.
Më pikuan lotët por e ktheva kokën qe ajo të mos më shihte. Pas pak i mora duart e saj i përqafova dhe i thashë se shihemi përsëri.
Tha – Po, patjetër do të të takoj përsëri.
Vazhdoi në makinë dhe nga dritarja e makinës bënte me duar.
U largua nën heshtjen e mëngjesit, heshtje që nuk do e harroj kurrë.
Të nesërmen kishte ndërruar jetë dhe shkoi ta takoi Zotin e saj që aq shumë e donte.
Ajo shkoi duke marre me vete mallin, kujtimet e dashurië e madhe që kishim për të.
Ne e humbëm betejën për ta shëruar, por jo betejën për dashurinë, mallin, ëndrrat ndjeshmërinë ndaj krijesës së quajtur fëmijë.
Dhe sot aty ku punoj e ndjej prezencën e saj, e ndjej buzëqeshjen e saj, ndjej hapat me taket e fuqishme që kishte dhe me duket se e dëgjoj pyetjen e saj.
– Doktor, a është fustani i bukur?
Në netët kur në punën time përjetoj trishtimin nga humbja e pacientëve, kujtoj fjalët e saj – doktor unë po vdes por do ta takoj Zotin të cilin e dua shumë.
Ajo vërtetë shkoi të takoj Zotin e saj. /Familjadheshendeti.com