Dr. Artizana Dushi, dermatovenerologe
Lëkura është organi më i madh i trupit të njeriut. Sa i përket përbërjes dhe funksionit të saj është më i ndërlikuari i organizmit. Si organ i veçantë është pjesë e pandashme e organizmit si zemra, truri dhe mushkëritë.
Lëkura e shëndetshme është barrierë mbrojtëse e organizmit. Ajo ruan baraspeshën dhe këmbimin e lëngjeve dhe ndihmon në rregullimin e temperaturës trupore. Është organ sekretor, ka funksion frymëmarrës, thithës, shërben si depo e yndyrës, ujit dhe gjakut. Në lëkurë prodhohen shumë substanca organike. Njëra ndër to është vitamina D. Elasticiteti i lëkurës mundësohet kryesisht nga fijet kolagjene të dermës. Ngjyra e saj është e ndryshme.
Mendohet se ka afro 36 nuansa të lëkurës. Ngjyrën e lëkurës e kushtëzon shpeshtësia dhe sasia e pigmentit melaninë. Melanina mbron lëkurën nga efektet e dëmshme të rrezeve të diellit, sidomos të atyre UV. Lëkura përbëhet nga tri shtresa – epiderma, derma dhe hipoderma.
Ekzistojnë 5 tipe të lëkurës – lëkura normale, lëkura e thatë, lëkura e yndyrshme, lëkura e kombinuar dhe lëkura sensitive.
Lëkurë normale ka 20% e popullatës, lëkurë të thatë 10% e popullatës ndërsa lëkurë të yndyrshme 70% e popullatës. Lëkura normale është mirë e balancuar. Nuk është as e thatë as e yndyrshme, si rezultat i balancës së mirë të raportit ujë/yndyrë si dhe qarkullimit të mirë të gjakut. Lëkura normale ka teksturë të butë, të një trajtshme dhe të freskët. Është e pastër pa njolla dhe luspëzime. Ka ngjyrë dhe transparencë uniforme, qarkullim të mirë të gjakut dhe nuk është e pritur të jetë sensitive. Lëkura normale bëhet më e thatë gjatë procesit të plakjes.
Termi lëkurë e thatë përdoret për të përshkruar tipin e lëkurës e cila prodhon më pak yndyrë sesa lëkura normale. Ky tip karakterizohet nga një pamje e plogësht, e ashpër madje dhe me luspëzime dhe kruarje. 40% e vizitave dermatologjike përfshijnë probleme me lëkurë të thatë. Si rezultat i yndyrës së pakët, lëkura e thatë ka mungesë të lipideve të nevojshme për të mbajtur lëkurën e hidratuar dhe formimin e një barriere mbrojtëse kundër faktorëve të jashtëm. Poret e lëkurës janë të mbyllura dhe thatësia e lëkurës vjen si rrjedhojë e rënies atopike të shtresës së jashtme të lëkurës.
Lëkura e yndyrshme karakterizohet me prodhim të rritur të yndyrës. Ka shkëlqim dhe pore të dukshme. Mundësia për të pasur akne, pika të zeza dhe të bardha është më e madhe se te tipet tjera të lëkurës. Stresi dhe ndryshimet hormonale e stimulojnë prodhimin e tepërt të yndyrës. Një numër i konsiderueshëm i komedoneve shfaqet në fytyrë, qafë, supe, shpinë dhe gjoks. Në raste të moderuara dhe të rënda shfaqen papula, pustula si dhe skuqje e lëkurës.
Lëkura e kombinuar – për shkak se lëkura e hundës, mjekrrës, qendrës së ballit dhe faqeve ka gjëndra yndyrore më tepër se çdo pjesë tjetër e lëkurës, këto zona priren të jenë më të yndyrshme se zonat e tjera. Problemet acarohen më tepër kur lëkura e kombinuar trajtohet në mënyrë uniforme. Çka zgjidh ose lehtëson problemin në një zonë acaron më keq problemin në zonën tjetër.
Përkundër llojit të lëkurës, gjendja e lëkurës mund të ndryshojë shumë me kalimin e viteve. Faktorët e shumtë të brendshëm dhe të jashtëm që përcaktojnë gjendjen e lëkurës përfshijnë ndryshimet klimatike, ndotjen e ambientit, medikamentet, stresin , faktorët trashëgues që ndikojnë në nivelet e sebumit, djersës, faktorët hidratues natyral që prodhon lëkura, etj. Produktet e kujdesit për lëkurën duhet të zgjidhen që të përputhen me llojin e lëkurës dhe të adresojnë gjendjen e saj. /www.familjadheshendeti.com