Nga Fitore Fazliu, psikologe klinike
ASD (Austism Spectrum Disorder) Crregullimet e Spektrit të Autizmit janë gjendje shumë komplekse neurologjike dhe zhvillimore që zakonisht identifikohen rreth moshës 3 vjecare – por mund të jetë më herët ose më vonë, varet nga intensiteti i simptomave/shenjave. Këto simptoma/shenja janë kryesisht të fushës sociale dhe të komunikimit, por në raste të tjera, edhe të natyrës zhvillimore si: të folurit e vonshëm, mungesa e kontaktit me sy, mungesa e dëshirës apo kontaktit fizik (si mbajtja në krahror) e të ngjashme. Përderisa është vështirë të thuhet se ka një konsensus për shkaqet e sakta të këtij crregullimi, mund të thuhet se pajtushmëri ekziston në mësin e studiuesve dhe Instituteve ndërkombëtare të shëndetësisë e hulumtimeve shkencore që faktorët gjenetik dhe faktorë të tjerë të jashtëm kanë rolin e tyre në ekuacionin e këtij crregullimi.
Përderisa shkenca vazhdon përpjekjet për njohjen e autizmit dhe formave të trajtimit, paralelisht, vazhdojnë të rrjedhin informacione të ndryshme, e profesionist të ndryshëm nëpër botë të cilët synojnë të kenë gjetur teknikën apo kombinimin e duhur të teknikave për trajtimin e crregullimeve në spektrin e autizmit. Dhe, meqë kjo gjendje prekë shumë funksionalitetin e fëmijës dhe rrjedhimisht kualitetin e jetës, së fëmijës dhe familjes, prindërit janë konsumatorët dhe mediumi i paprë dhe kryesor i cfarëdo informacioni që publikohet nëpër media. Përderisa në vende të zhvilluara ka një sistem kontrolli të cilësisë së informacioneve, vende si Kosova mbeten të rrezikuara nga vërshimi i materialeve dhe informacioneve që synojnë të kenë përgjigjen e duhur ndaj cdo problemi – duke ju u thirrur në “hulumtime shkëncore” dhe burime jo kredibile. Edhe në rastet kur hulumtimet e referuara mund të jenë të vërteta, interpretimi i tyre është shpesh shumë i gabuar për shkak të mos njohjës së gjuhës shkencore dhe tematikës.
Tema e këtij shkrimi të shkurtër është pikërisht një nga pretendimet që mund t’a shihni duke qarkulluar në media apo në mesin e studentëve që janë në proces të edukimit në ndonjërën nga fushat profesionale e cila merret me trajtimin e fëmijëve me autizëm:
“Terapia ushqimore mund t’a “shëroj” autizmin” – disa shpjegime dhe një përgjigje:
Të ushqyerit e fëmijëve me autizëm mund të jetë problematike për shkak të sjelljeve përsëritëse, interesave obsesive, dhe këto ndikojnë në të ushqyerit e tyre dhe t’i sjellë këto probleme të ushqyerjes:
- KUALITETI– Kufizim të llojllojshmërisë së ushqimeve apo refuzim të ushqimeve të caktuara – Ndjeshmëria refuzuese ndaj erërave, shijeve, ngjyrave apo ndjesive të caktuara (që vije si pasojë e super sensitivitetit të shqisave) mund të ndikojë që ata të refuzojnë grupe ushqimesh si pemët, perimet, ushqimet e lëngshme apo ushqimet e buta.
- SASIA – Për shkak të vështirësisë për t’u koncenturar vetëm në një veprim, procesi i ushqyerjes mund të jetë i veshtirë e ndonjëherë i pamundshëm dhe sasia e konsumuar brenda një vakti mund të jetë jo e mjaftueshme. Në raste të tjera, për shkak të këtij problemi – fëmija mund të marrë ushqim disa herë gjatë ditës në sasi të vogla dhe të krijohet përshtypja që i janë plotësuar nevojat sasiore të ushqimit.
- PROCESIMI – për shkak të problemeve të cekura më lartë (sasisë dhe llojeve të kufizuara të ushqimeve të konsumuara) fëmija mund të ketë problem me tretjen e ushqimit.
- MEDIKAMENTET – tek disa fëmijë mund të përdoren barna të caktuara që mund të ndikojnë në zvogëlimin e apetit, duke e penguar kështu marrjen e sasisë së nevojshme të ushqimit, kurse barna të tjera mund të ndikojnë që të shtohet apetiti, por që të dy llojet mund të ndikojnë në procesimin e vitaminave e mineraleve.
KUALITETI – SASIA – Ushqyeshmëria e duhur është e rëndësishme për shkak të ndikimit që ushqimi ka në zhvillimin dhe shëndetin e trurit. Kjo është e vërtetë edhe për fëmijë me zhvillim normal por për shkak të cështjeve/problemeve të lartë cekura, me fëmijët me autizëm, konsultimi i një nutricionisti do të ishte i dobishëm për të:
- Bërë analizat përkatëse dhe për të vlerësuar parametrat e ushqyeshmërisë adekuate – nëse vlerësohet se fëmija ka mungesë të vitaminave apo mineraleve të caktuara, mund të propozoi kombinim ushqimesh për të kompenzuar ato mungesa;
- Në bashkëpunim me terapistin e fëmijës, mund të krijohet një profil i ndjeshmërive sensorike, preferencave dhe refuzimeve – dhe kështu të kombinohet dieta në planin e intervenimit dhe rutinat e fëmijës– DHE, KY KOMBINIM MUND TË QUHET TERAPIA DIETALE PËR AUTIZËM.
PRA, terapia dietale nuk është ndonjë teknikë apo gjë e shpikur për t’a shëruar autizmin, është kombinim i thjeshtë i ekspertizës inter-diciplinare për t’u siguruar që ushqimi dhe ushqyeshmërija e fëmijës është i mjaftueshëm për zhvillimin e trupit, trupit – dhe proceseve të tjera kognitive dhe të sjelljes që terapisti mundohet t’i trajtoj – dhe që dieta e nevojshme të kombinohet me planin e trajtimit të fëmijës në mënyrë që të bëhet pjesë e përditshmërisë së tij dhe të prindërve, për të lehtësuar menaxhimin e fëmijës dhe përmirësuar kualitetin e jetës së të dy palëve.
PRETENDIMET se “dieta të caktuara” pa gluten, pa kafeinë apo ndonjë përbërës të ngjashëm mund të jenë zgjidhja apo kura mrekullibërëse në trajtimin e autizmit nuk qëndrojnë (1)
- Buie, T., Campbell, D. B., Fuchs, G. J. 3rd, Furuta, G. T., Levy, J., Vandewater, J., et al. (2010). Evaluation, diagnosis, and treatment of gastrointestinal disorders in individuals with ASDs: A consensus report. Pediatrics, 125, S1–S18.