Intervistoi: Hafize Elshani, gazetare
Ajo ishte vetëm 29 vjeç, në kulmin e jetës, madje dhe në pikun e saj që dëshironte të bëhëj psikologe, por një ditë mendoi se humbi gjithçka. Ajo tregon se si vetë në shtëpi arriti të konstatonte diçka të dyshimtë në gjirin e saj edhe pse ndoshta pak vonë. “Fiks në këtë kohë, disa vite më parë, jam diagnostikuar me kancer gjiri. Ka qenë fare e rastësishme kur pashë një të dalë. Pastaj bëra një ehografi, që vërtetoi se unë isha me kancer gjiri”, shprehet ajo.
Si për çdo grua të diagnostikuar me kancer gjiri, fillimi qe shumë i vështirë për Fitoren, por ajo zgjodhi që këtë shqetësim që po e bluante ndër vete një dite ta tregonte.
Ajo vazhdon trajtimin mjekësor ende, madje tanimë gjen forcën t’u thotë të gjitha grave, që jo vetëm të bëjnë kontroll të herë pas hershme, por edhe nëse janë prekur nga kanceri i gjirit ta konsiderojnë sëmundje si të tjerat që duhet përballuar.
Historia e një gruaje që luftoi fort dhe ia doli. E qeshur dhe me mjaft shije në të veshur, ajo e jeton jetën me të gjithë detajet e bukura dhe të shëmtuara të përditshmërisë, pa paruk, pa flokë, por me një buzëqeshje që sikur bën dritë, bën grim aq bukur, realizon foto të ndryshme, një heroinë që e lufton të keqen vetëm me buzëqeshje dhe pozitivitet. Nuk po flasim për ndonjë histori filmi, por një histori reale. Fjalën e kemi për Fitore Zenelaj. Me një natyrë solare, optimizëm dhe një dëshirë të madhe për ta jetuar jetën, një grua, një bashkëshorte, një nënë e tri vajzave, një motër, një bijë, një mike, një fitimtar me emrin Fitore. Fitorja ka ndarë historinë e jetës, një histori fitimtare në luftën kundër sëmundjes së kancerit të gjirit për Gazetën “Familja dhe Shëndeti”.
Sot do ju rrëfejmë historinë e Fitores, që është frymëzuese besoj për të gjithë ju që po kaloni në njëjtin rrugëtim, dhe jo vetëm.
A mund të na tregoni rreth shenjave, kur duhet të dyshoni për zhvillimin e kancerit të gjirit?
Shenjat për dyshimin e zhvillimit të kancerit të gjirit janë: prekja e një kokrre tek gjiri, (si në rastin tim) ndryshimi i formës apo madhësisë së gjirit, nëse me lekurën e gjirit vreni skuqje ose rrudhosje, kullosje lengu apo gjaku nga thithi i gjirit si dhe dhimbjet e gjirit apo nënsqetulla.
Këto shenja a përcillen edhe me dhimbje?
Trupat jane të ndryshëm, llojet janë të ndryshme, në rastin tim dhimbjet u shfaqen me vonesë, pra pasi kanceri kishte kapluar komplet gjirin dhe nyjet limfatike, kisha dhimbje krahu dhe nga pjesa e gjirit tek nënsqetulla.
Kontrollet e shpeshta a ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjes, në stadet kur shenjat klinike nuk janë ende të dukshme?
Patjetër që po, vetkontrollat janë shumë të rëndësishme sepse ti e njeh trupin tënd dhe e ndien çdo ndryshim edhe nëse me eho nuk mund të vërehen. “Kontrollo, prek dhe shiko”.
Cilat janë testet që duhet të bëhen ?
Kontrolla tek mjeku juaj, pra një ekzaminim radiologjik, eho, mamografia dhe me e sigurta është biopsia që bëhet kur kanceri është me i përhapur.
Cilat mund të jenë format e trajtimit të sëmundjes në të cilat keni kaluar edhe ju?
Sa i perket kancerit të gjirit e para është operimi, pra heqja e tumorit, kemioterapitë, rrezatimet, por edhe ushqimi i shëndetshem pse jo edhe aktiviteti fizik (unë e kam praktikuar).
Na tregoni historinë si e keni kuptuar sëmundjen, sa terapi keni marrur, a jeni duke u trajtuar ende dhe a keni pasur operime?
E kam vrejtë gjandrën mjaft në kohë, mirepo jam neglizhuar nga mjekët, ndoshta për shkak të moshës, historisë familjare dhe përmasave. Pas disa muajve kam vërejt që gjandra po rritet dhe kisha dhimbje, nervozë, etj.dhe shkova prapë të mjeku, i cili ma kërkoi urgjentisht biopsinë. Biopsinë ma kanë bërë për disa ditë. Doli të kem Carcinoma duktale invazive dhe urgjent hyra në operim. I kam përfundu 8 kemioterapi, po pres me fillu me 25 rrezatime dhe 17 herceptina. Vazhdon terapia mandej me hapa.
Sa vjeçare ishe kur e kuptove, a e kishte dikush nga familja këtë sëmundje me herët?
Isha 29 vjeçare kur e mora vesh që jam me kancer, në familje nuk ka pasur asnjë me kancer.
Na rrëfeni nga jeta juaj se si e keni kuptuar që jeni të prekur me kancer dhe cili ishte reagimi yt në atë moment, na tregoni nëpër çka keni kaluar dhe a ke pasur shumë dhimbje?
Rezultatin e biopsisë e prisnim me padurim, jo që i frigohesha rezultatit, vetëm se doja të dija sa me shpejt çfarë po ndodh. I kërkova mjekut qe unë ta dija e para, sepse e dija që jam më e fortë nga të gjithë familjarët. Por mjeku lajmin fillimisht ua dha prindërve, pastaj prindërit u takuan me burrin dhe e bënë alarmante pa e kuptuar unë, por unë e kisha kuptuar se diçka nuk po shkon mirë. Pastaj një nga mjekët mu drejtua me fjalët “mos u shqetëso edhe nëse është diçka jo e mirë, jeni në fazën e parë”, pastaj i telefonova prindërit, bashkëshortin tim, por nuk ma hapen në atë çast telefonin. Në në atë moment e kuptova mirë situatën në të cilen po ndodhesha, isha vetëm me vajzat, në atë moment i kam shikuar vajzat, kam marrë frymë thellë dhe mu kanë mbushur sytë plotë lotë. I fola vetës nga brenda: “Rri gati vetës Fitore, se një sëmundje e ke, edhe ke me luftu”. Pastaj erdhi bashkëshorti, dhe e pyeta përse nuk ma kishte hapur telefonin? U mundua të bëhet sikur mos të kuptoja unë, më tha se ishte me një shok. Në atë moment sikur shpërtheva, dhe ju drejtova, “me shok jo, por ishe me babin edhe biopsia ka dal keq, apo jo?” Me plot lotë në sy mu drejtua vetëm me një: po. Në atë moment unë e mblodha forcën përballë familjes sime, ju drejtova me fjalët: ”nuk duhet kështu, është sëmundje dhe do ta tejkaloj”, rrëfen Fitorja për Gazetën “Familja dhe Shëndeti”.
Sa kohë keni qenë në spitale?
U desht mjaft kohë derisa u zbulua kanceri, për gati 2 muaj kam vrapuar poshtë e lart në spitale e në çdo klinikë.
Si ishte përballja me diagnozën? Reagimi i parë kur të thanë që kishe kancer?
Isha 29 vjeçe. Asgjë nuk të përgatit në jetë për momentin kur të thuhet: “Kjo është një masë që dyshohet të jetë kancer”. Ndjeva nevojën për t’u mbushur thellë me frymë dhe për t’i kujtuar vetes që më pret një rrugë e vështirë. Vdekja nuk ishte mendimi më i trishtë. Mendimi më i frikshëm ishte se vajzat e mia kishin ende nevojë për mua. Unë ende nuk isha ngopur me ato, me njerëzit e mi të dashur dhe me jetën, andaj po luftoja.
Kemioterapia, si ishte për ty? Çfarë të ndihmoi të kapërceje efektet anësore të trajtimit?
Për mua ishte e lehtë, pasi u bëra psikologe e vetëvetës, iu drejtoja vetës: gjithçka do shkojë mirë, do ia dal, çdo cikël ka me shku mirë.
Sa e lehtë ishte për ty përshtatja me pasojat e kemioterapisë. Si ishin reagimet e njerëzve?
Rënia e flokëve ishte vetëm njëra nga pasojat e kemioterapisë, ajo e dukshmja. E çfarë mund të bëja tjetër veçse “të hidhja vallen sipas muzikës”?! Koka pa flokë nuk ishte arsyeja që unë të izolohesha apo të ndjehesha keq. Kisha gjëra shumë më të rëndësishme për t’u shqetësuar. Kështuqë, vendosa ta shijoj jetën. Kur nuk kishte diell, dilja edhe me kokën tullace. Njerëzit me siguri që si fillim kanë menduar se do ishte ndonjë modë tejet e guximshme. Disa mikesha menduan se i kisha prerë flokët për t’iu bashkuar kauzës kundër kancerit të gjirit. Nuk arrinin ta besonin se unë isha vetë pjesë e kauzës. Në njëfarë mënyre, kauza vetë.
Duket si pyetje naive, por realisht: Sa e rëndësishme është prania e të afërmëve gjatë asaj periudhe? Ty sa t’u janë gjendur pranë cilësisht?
Mami im ishte gjithmonë duke u kujdesur për vajzat e mia, gjatë kohës sa unë po shkoja për kemioterapi, për mua më dukej që ishte më mirë të isha vetëm, që t’u tregoja të tjerve se unë jam mirë edhe unë mundem. Në fakt, pas sesionit të kemioterapisë, kam dalur menjëherë të nesermën, nuk jam ndalur, pasi qendrimi në shtëpi për mua ishte me rëndë se vet kemioterapia. Dashuria më bëri mirë. Dashuria që mora dhe dhashë në atë periudhë më ndihmoi të kuptoja se më donin. Të shihja sytë e njerëzve të mi të dashur, të mbushur me lot që sforcoheshin të mos dilnin jashtë, më shumë sesa dhimbje më dha një forcë të jashtëzakonshme për të luftuar. E dini çfarë? Në këto raste njeriu bëhet edhe pak filozof! (ndoshta si një mënyrë për të mos u çmendur). Shpesh herë gjatë jetës time e kam pyetur veten: “çfarë ia jep vlerën jetës së një njeriu? Me çfarë mund të matet vlera e jetës së një njeriu?” Dashuria që më rrethoi në atë periudhë i dha përgjigje njëherë e përgjithmonë
Ia ka bërë edhe ti pyetjen vetes “Pse unë”? Nuk t’u duk’ një padrejtësi?
Unë vetëm një herë pas operimit e mendova për padrejtësi. E vërtetë që unë e kalova nëpër mend çdo sjellje të shëndetit që kisha bërë gjatë jetës. Rezultantja ishte që unë “isha sjellë mirë”, nuk kisha bërë asnjë sjellje që të më dëmtonte shëndetin: Pra, asnjë sjellje që të mund të fajësoja veten. Me ndërgjegjen e qetë dhe pa luftuar me Zotin, lufta me sëmundjen u bë më e lehtë. Të paktën u bë më konkrete. Unë duhet të luftoja me armikun konkret, qelizat tumorale në trupin tim, jo me disa demonë imagjinarë që as i shihja dot e as luftoja dot kundër tyre. Them se u bëra psikologe e vetës.
Fjalët që të bënin të ndiheshe mirë gjatë asaj periudhe, e që të kanë mbetur në mendje (që mund t’i ketë thënë ndonjë familjar/mik)?
Këto fjalë që me përcillnin çdo ditë: “ Ti je e fortë dhe gjithmonë do të jesh, ti ke me tejkalu pa asnjë problem, unë asnjëherë nuk kam takuar person ma pozitiv e me të gjallë se ti”, këto kanë qenë fjalët që më jepnin forcë çdo ditë.
Tani që e ke fituar betejën, po e jeton ndryshe jetën?
Ke të drejtë. Unë kam fituar betejën. Betejat në fakt. Sa herë që unë bëj ekzaminimet rutinë dhe marr përgjigjet, unë fitoj një betejë. Sa herë që nuk e lejoj frikën të më drejtojë, unë fitoj një betejë. Sa herë që flas për kancerin dhe nuk mendoj për veten time, unë fitoj një betejë. Sa herë që bëj plane për jetën time pas shumë vitësh, unë fitoj një betejë. Unë fitoj një betejë çdo ditë që agon dhe perëndon. Me parë jam ndikuar nga të tjerët, tani unë po jetoj ashtu siç dua, po merrem me gjërat e mia, me gjërat që me pëlqejnë, po e jetoj jetën sipas mënyrës sime. A po e jetoj jetën ndryshe? Them se jo. Në ditën time nuk bëj asgjë më shumë apo më pak sesa bëja përpara diagnostikimit me kancer të gjirit. Dhe kjo është gjithashtu një betejë që unë e konsideroj të fituar. Faktin që jeta ime nuk priti këtë diagnozë për t’u bërë më e plotë. Në fakt, unë vlerësoj se kjo është beteja më e madhe që unë kam fituar.
Cilat jane 3 gjërat që do i thoje një gruaja/vajze që dje është diagnostikuar me kancer gjiri?
Mos ke frikë, njerëzit e guximshëm sprovohen, unë jam me ty. Së pari, ti nuk je diagnostikuar me “dënim me vdekje”. Shëndetësia ka përparuar. Ekzaminimet, ndërhyrjet kirurgjikale dhe mjekimet po bëhen gjithnjë e më të efektshme, jo vetëm për të të ndihmuar ta trajtosh kancerin e gjirit, por edhe për të ruajtur cilësinë e jetës, ki besim dhe informohu sa më shumë të mundesh për të gjitha trajtimet e mundshme. Sa më shumë të informohesh, aq më shumë do të kuptosh se ti nuk je vetëm. Së dyti, përpiqu që frikën nga “më e keqja” të mos e lejosh të të pengojë të puthësh të dashurit e tu, të qash dhe të qeshësh më gjithë shpirt, të vazhdosh të shkosh në punë dhe të bësh gjithçka që do të dëshiroj te bëje dhe, mbi të gjitha, të ndjekësh gjithë trajtimin (me gjithë sikletet që ka), rrethoje veten me dashuri. Rrethoje veten me njerëz të dashur, me sende të dashura, me aktivitete që të japin kënaqësi. Kujtoji vetes vazhdimisht se kanceri i gjirit nuk është dënim, nuk është diçka që dikush e meriton, nuk është një sprovë që Zoti e sjell për më të fortin. Kanceri i gjirit është një sëmundje si gjithë të tjerat. Ajo do të bëjë “punën” e vet, ne do të bëjmë punën tonë. Dhe puna jonë është, të vazhdojmë të jetojmë duke fituar nga një betejë çdo herë. Kushdo qofsh dhe kudo qofsh, të dërgoj një përqafim dhe urimet për një jetë të gjatë të mbushur plot dashuri.
Ju kemi parë që gjatë gjithë kohës jeni pa paruk, e rregulluar e buzëqeshur, na thuani sekretin që ju bënë kaq të fortë ta mposhtni këtë sëmundje dhe të keni motiv për jetën me kaq pozitivitet?
Unë e dua jetën realisht, unë e dua vetën kështu siç jam, nuk dua të ndryshoj për asgjë dhe askënd, tani e kam rastin të tregoj se sa e fortë jam dhe të tregojmë të gjitha vajzat/gratë fuqinë që e kimi brenda vetës.
Cila ka qenë forca juaj që të jeni te fortë dhe të ecni tutje?
Në momentin që vendosa të mos e mendoj atë se çfarë thonë të tjerët, mu shtua forca, mu shtua vullneti për të vazhduar tutje jetën time, mu hoq frika që kisha, ndonëse e vogël, por mu hoq e gjitha.
Cili është mesazhi që e keni për të gjitha vajzat/gratë?
Mesazhi im është që ta duani vetën ashtu siç jeni dhe jo siç duan të tjerët të jeni, unë guxova, ia dola, pra guxoni edhe ju sepse me besoni që do t’ia dilni./Familja dhe Shëndeti/.
Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën: info@familjadheshendeti.com Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.
© “Familja dhe Shëndeti” .Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.