Nga Fatmir Baci
Më ka marrë malli,
Për vëllezërit e mi të mençur
Të vdekur që foshnjë,
Pa lindur unë akoma.
Fjalët që më ikën dhe mbetën pa u thënë
Kuptimet që u kthjellën sëbashku me vetminë
Më bënë vëlla të madh, paçka se linda vonë
Më bëjnë ta pres takimin, jo krejt pa drithërimë
* * *
Më ka marrë malli,
Për babanë e mençur
Të vdekur kaherë,
Që fëmijë më la
E diçka pak e njoha.
Këshillat që s’mi tha, mërguan për në heshtje
Hapat që shtërngatës humbën rrugë e shteg
Më bënë më të moçëm se im atë në prehje
Më lanë në mes të rrjedhës si urat pa një breg
* * *
Më ka marrë malli,
Për gjyshen e mençur,
Që tim atë e la jetim,
E mua pa përralla.
Përkëledhja që s’e pashë, shkoi kur nuk më pa
Ëndrrat që trokitën me jehonë humnere
Më bënë të thinjem herët, kur natë mbi lodra ra
Më bëjnë të pres një vezull pas çdo shtëllunge reje
* * *
Më ka marrë malli,
Për gjyshin e mençur,
Që barrën e burrërisë,
Ia la babait,
Pa dirsur mustaqja.
Butësia që m’u fsheh dhe qoshen e braktisi
Miqtë që nuk i pashë në odën e oxhakut
Më bënë të zhytem thellë, ku gjithë dilemat nisin
Më lënë te hap i brishtë si hapat e më plakut
* * *
Më ka marrë malli…
Për një oborr të madh
Me zhurmë e me fëmijë.
Të shkoj pastaj siç shkohet
Më presin edhe mua.
Lutem për mëshirë në Ditën që na pret
T’i takoj e lidh gjithë rrugët e këputura
Mençuritë që heshtën në të djathtë t’i mbledh
Majtas bosh ta kem pa betejat e humbura. /Familjadheshendeti.com