Nga: Mr. Ph Laureta Berisha Kosumi – Farmaciste
Ndër kërkesat më të mëdha që kemi gjatë punës sonë si farmacistë, janë barnat për trajtimin e temperaturës së lartë tek fëmijët. Këshilla e parë që ju ofrojmë është t’ju jipet Acetaminofen (Paracetamol) në bazë të peshës trupore të fëmijës, të ndara në doza ditore çdo 4 apo 6 orë.
Nga frika e madhe e rritjes së temperaturës, shpesh prindërit nguten dhe i japin fëmijës atipiretikë të ndryshëm brenda intervaleve të shkurtra kohore. Duhet pasur kujdes ngaqë hipotermia ka pasoja mjaft të mëdha, ndërsa hipertermia mund të kontrollohet më lehtë.
Temperatura normale e trupit është rreth 37°C, por kjo mund të ndryshojë nga 36°C- 38°C. Një temperaturë prej 38°C do të konsiderohet lehtësisht e rritur.
Dhimbja, ethet dhe temperatura tek fëmijët përgjigjet mjaft mirë pas dozimit të parë ose të dytë me paracetamol ose ibuprofen dhe mund të menaxhohen lehtësisht nga prindërit.
Nëse fëmija luan, ushqehet më mirë dhe shihet qartë rënie e temperaturës, kjo tregon se organizmi i fëmijës është përgjigjur mjaft mirë ndaj dozimit fillestar me paracetamol.
Megjithatë, kur ndodhë një reagim nën mesatar, ose në situata më të moderuara deri në të rënda tek ngritja e temperaturës, dozimi fillestar me paracetamol mund të ndiqet me përdorimin shtesë të ibuprofenit.
Doza alternuese çdo 6 deri në 8 orë mund të përdoret në mënyrë që një bar ose tjetri të administrohet çdo 3 ose 4 orë p.sh i është dhënë paracetamol fëmijës dhe pas 4 ore nëse nuk ka rënie të temperaturës, mund të ipet ibuprofeni.
Dozimi i paracetamolit bëhet çdo gjashtë orë dhe ibuprofenit çdo 8orë. Nuk ka fakte të mjaftueshme për të mbështetur këtë praktikë, prandaj terapia alternative duhet të përdoret vetëm nën mbikëqyrjen profesionale pas shqyrtimit të rreziqeve dhe përfitimeve të mundshme të ekspozimit ndaj të dyja barnave.
Një rënie e temperaturës për 1°C ose më shumë pas dhënies së dozës fillestare të antipiretikut, është tregues i një përgjigjeje të mirë ndaj terapisë dhe duhet të inkurajojë vazhdimin e dozimit.
Kur nuk ka përgjigje të duhur në barna të dhëna, ose përgjigja është e dobët, prindërit duhet drejtuar mënjeherë te mjeku, i cili me siguri do të përshkruajë edhe diklofenak çdo 12 orë në bazë të peshës së fëmijës.
Nëse fëmija juaj ka ose ka kaluar konvulzione febrile, gjithsesi që me recetë të mjekut duhet të jeni të pajisur edhe me mikroklizma diazepam. /Familjadheshendeti.com