Bzeek, 62-vjeçar, u zhvendos nga Libia në SHBA në vitin 1978, gjatë kohës që ishte gjimnazist.
Ai filloi të përkujdeset për fëmijët e birësuar në vitin 1989, ndërsa në vitin 1991 ai përjetoi vdekjen e fëmijës së parë. Ky ishte fëmija i një gruaje shtatzënë, e cila gjatë punës në fermë kishte thithur pesticide toksike me të cilat ishin spërkatur pemët. Ajo kishte lindur me një çrregullim kurrizor, ndaj edhe ishte detyruar që të veshë një jelek për imobilizim të boshtit kurrizor.
Ajo kishte jetuar në shtëpinë e tij për vetëm një vit, kur edhe kishte ndërruar jetë. Bzeek ende ka një fotografi të vajzës së shtrirë në arkivolin e saj, të rrethuar me lule.
Një tjetër fëmijë – një djalë, që u shtrua në spital 167 herë dhe vdiq në moshën 8-vjeçare – kishte lindur me sindromën e zorrës së shkurtër, e cila i kishte pamundësuar atij që të hajë ushqim normalisht.
Megjithatë, Bzeek do të ulej me të në tryezë me një pjatë dhe lugë, në mënyrë që ai mund të ndihet si pjesë e familjes.
Tani, Bzeek kujdeset për një vajzë që ka lindur me encephalocele, e cila e la atë mendërisht dhe fizikisht të pazhvilluar – dhe me disa pjesë të trurit të dalë jashtë përmes një vrime në kafkën e saj, që është dashur të hiqet në mënyrë kirurgjikale.
Ajo është e verbër dhe e shurdhër, e paralizuar në duart dhe këmbët e saj, dhe vuan nga konvulsionet çdo ditë. Ajo ushqehet dhe merr frymë të paktën 22 nga 24 orë përmes tubave.
Por Bzeek bën rojë ditë e natë mbi trupin e saj të vogël, për t’u siguruar që ajo të ketë gjithë komoditetin që ai mund t’i ofrojë asaj.
“Unë e di se ajo nuk mund të dëgjojë, nuk mund të shohë, por unë gjithmonë flas me të,” thotë ai. “Unë e mbaj atë gjithmonë në duar, loz me të, e prek atë … Ajo ka ndjenja. Ajo ka shpirt. Ajo është një qenie njerëzore”.
Mjekët kanë hequr dorë nga shpresat për vajzën, e cila ka mbetur anonime për shkak të ligjeve të konfidencialitetit, qysh kur ajo ishte 6 vjeç. Ajo tani është 6 vjeç.
Dr. Suzanne Roberts, pediatre e vajzës në Spitalin e Fëmijëve në Los Angeles, thotë se e gjithë kjo është pikërisht në sajë të përkushtimit të Bzeek, i cili tashmë është një legjendë në bashkësinë lokale.
“Në qoftë se dikush ndonjëherë na thërret dhe thotë: ‘Ky fëmijë ka nevojë për të shkuar në bujtinë’, ka vetëm një emër që na shkon në mendje”, thotë Melissa Testerman, e cila është përgjegjëse për sistemimin e fëmijëve në kujdestari.
“Ai është i vetmi që do të marrë një fëmijë, e që ndoshta nuk do të mund t’ia dilte mbanë.”
Por Bzeek mund të mos ketë ditur për këtë prirje, sikur të mos ishte ish-gruaja e tij, Dawn.
Çifti u takua në vitin 1980 përmes një miku të përbashkët, ndërkohë që e frymëzuar nga gjyshërit e saj të cilët gjithashtu janë kujdesur për fëmijë të birësuar – ajo tashmë kishte filluar të marrë fëmijët për përkujdesje.
Ajo u bë aq e njohur sa që, në fakt, task-forcat në gjithë vendin, bashkë me mjekët dhe politikëbërësit, do të kërkonin këshillat e saj për përmirësimin e kujdestarisë së fëmijëve.
Bzeek iu bashkangjit asaj në përkujdesjen për fëmijët – përfshirë edhe vajzën që ishte prekur nga pesticidet në barkun e nënës – dhe nga mesi i viteve 1990 ata vendosën që të përqëndrohen kryesisht tek të rinjtë që vuajnë nga sëmundjet terminale.
Ata vazhduan me këtë punë edhe kur djali i tyre, Adami, lindi në vitin 1997 me sëmundjen e kockave të buta dhe nanizëm.
Adam – i cili tashmë është duke studiuar shkencat kompjuterike në kolegj – u rrit plotësisht i vetëdijshëm se sa e shkurtër do të ishte jeta e vëllezërve dhe motrave të tij, dhe u mësua që të gjejë gëzimin në secilin moment sado të vogël të lumturisë në jetë.
Lumturia nuk zgjat përgjithmonë, megjithatë. Në vitin 2000, Dawn filloi të ketë konvulsione, që do ta largonin atë nga punët e shtëpisë me ditë të tëra.
Stresi i shtuar bëri që martesës së tyre t’i vjen fundi; ata u ndanë në vitin 2013 dhe ajo vdiq një vit më vonë.
Bzeek përlotet sa herë që kujton gruan e tij. Ajo ishte gjithmonë më e fortë se ai, kur fëmijët do ndaheshin nga jeta, thotë Bzeek.
Por ai vazhdoi me jetën duke ndihmuar fëmijët më të pafuqishëm të Los Anxhelesit, duke qenë gjithnjë frymëzues për ata që e njohin atë.
Një prej tyre, Robers, e di sa ka nevojë fëmija e vogël, e gjymtë, e shurdhër dhe e verbër për përkujdesjen e Bzeek-ut.
“Kur nuk është e sëmurë dhe është në një humor të mirë, ajo do të qajë që dikush ta marrë në duar”, thotë Robers. “Ajo nuk e thotë këtë me gojë, por di si t’i komunikojë nevojat e saj të tjerëve.
“Jeta e saj nuk është në tërësi vuajtje. Ka momente kur ajo shijon jetën e saj dhe ajo është përmbajtur, dhe gjithë kjo falë angazhimit dhe përkushtimit të Mohamed-it”, përfundon Robers.
Përktheu: Jeton Zenuni = Marrë nga: “Los Angeles Time” – /FamiljadheShëndeti