Saherë që më pyesin pacientët në barnatore për ndonjë produkt të panjohur apo ndonjë kërkesë të padëgjuar më parë, tentoj së pari të shoh përbërjen se për çfarë bëhet fjalë, më ndërprejnë menjëherë duke më thënë “lëreee lëreee se n’internet e kam pa” !!!
Sapo të hap rrjetet sociale, ato janë të mbushura me produkte të ndryshme për të gjitha sëmundjet, krema të ndryshme, madje s’ fundi kam parë edhe produkte për shtim të gjatësisë trupore, ndër to vëjnë disa komente të “klientëve të kënaqur”dhe pastaj të gjithë vrapojnë pas tyre, ose i reklamojnë me pagesë përmes faqeve ose individëve që kanë shumë ndjekës.
Mendojeni se çdo produkt qoftë edhe natyral duhet të jipet nga njerëz profesional, nga përfaqësues legjitim të këtyre produkteve në Kosovë, duhet të shkruajnë saktësisht përmbajtjen dhe duhet marrë parasysh se jo çdo gjë “bimore” nuk bën dëm, sepse secila bimë ka dozën terapeutike të lëndës vepruese dhe dozën toksike, pastaj sa ndërveprimet mund të ndodhin dhe sa gjërat dëmtuese ndaj shëndetit.
Mos të flasim për mënyrën e përgatitjes, kushtet e ruajtjes, ambalazhin, transportin etj, pastaj lind pyetje se a jeni të sigurtë se i përmbajnë brenda po ato gjëra që shkruhen në përshkrime, mund të kenë kombinime edhe të barnave, sepse shumica nga to bëhen në kushte shtëpie dhe nga persona jo profesional dhe në mënyrë ilegale!
Ju lus të mos ua besoni shëndetin tuaj shitësve “online” të produkteve farmaceutike, qoftë suplemente, bimë, apo edhe krema bukurie (të cilat në të shumtën e rasteve përmbajnë merkur, i cili është element kancerogjen), është e njejta gjë sikurse dikujt të panjohur t’ua besoni gjithë pasurinë tuaj, e nuk ka pasuri më të madhe sesa shëndeti. Duke u munduar ta ruani atë, ta përmirësoni gjendjen tuaj shëndetësore apo të familjarëve tuaj, përmes produkteve të shitura “online” dhe mjaft të dyshimta, lehtësisht mund ta dëmtoni atë!
Ruajeni shëndetin, kohën dhe paratë tuaja, konsultohuni gjithmonë me mjekun dhe farmacistin, mos u besoni personave që të vetmin qëllim e kanë përfitimin material!
Me respekt:
Laureta Berisha Kosumi Farmaciste