Një ditë vajza ime e madhe Emira mu afrua dhe më tha “Nani sytë t’paskan lëshu zi, a mundem me ti fshi”.
Si ti thoja vajzës sime se nani ka harruar kur ka vu grim në sy, por sytë e zi janë rrathë të zi nga lodhja, janë ata rrathë të cilët sado që të mundohesh ti fshehësh dhe të mos i shikosh në pasqyrë, prapë të thonë se këtu jemi bashkë me lodhjen tënde; e në mendje të vie një pasqyrë të tërë aktivitetit ditor, duke filluar nga nisja e fëmijëve për shkollë, shkuarja në punë të cilën duhet ta bësh me përkushtim dhe përgjegjësi të plotë, e teksa je në punë në disa çaste të lira që ke, mendja të rrëshqet shkarazi herë në punët e shtëpisë, detyrat me vajzën, e shumë punë tjera që të presin, e asnjëherë se mendon pushimin për vete.
Ndërkohë që vajza ime mori një faculetë të lagur dhe tentonte të mi fshinte rrathët e zinj, e urova dhe e përqafova që ma largoi lodhjen në atë mënyrë.
Pastaj urova nga zemra të gjitha nënat në botë, ato të cilat me lindjen e fëmijëve të tyre veten e tyre e kanë vën në plan dytësor, janë nënat që tërë planet e tyre varen nga mirëqenia e fëmijëve të tyre, janë ato që edhe po ti dërgosh në vendin më të bukur në botë, nuk ju duket asgjë po si patën fëmijët e tyre me vete, janë ato të cilat nuk ankohen për ndonjë shqetësim ose sëmundje në sy të fëmijëve, duke u ngritur shumëherë me buzëqeshje të montuar në fytyrë, me dhimbje të brendshme por me kënaqësi të madhe se fëmijët i ka mirë.
Uroj që fëmijët tanë të kenë rritje të mbarë, të jenë njerëzor, të dashur dhe me të arrira të mëdha siq dëshiron ti shoh çdo prind.
Me dashuri:
Laureta, nëna e Emires dhe Sumejes
/Familjadheshendeti.com