Kurrë idhnime jo, derisa ndërroi kahja e jetës, u shfaç teknologjia ose lakmia po e mund dashurinë.
Si të duash quaje, por sot kur kam shtëpinë dy katëshe me oborr dhe një veturë në garazhdë, përveç zërrit të televizionit dhe zhurmës që krijojnë lugët teksa i përziejmë çajat me gruan, mbrëmjeve asnjë za tjetër s’dëgjohet.
As za i fëmijëve të mi dhe as za i fëmijëve të tyre.
Djali i madh, Agroni u martua i pari, sa gëzim patëm përjetuar, sa dasëm t’madhe i patëm bërë. Nusen e kishte zgjedhur vet dhe ne vetëm e kishim miratuar. Edhe vet kishim qenë të ri dhe s’donim të ishim pengesë e tij në asnjë vendim. Ani pse shumë herë ishte i ngutshëm në vendime dhe gabonte, ne vetëm e mbështesnim. S’donte madje as t’i përziheshim. Ndjehesha keq për gruan time, se natën vonë kur mendoja se flinte, ajo derdhte lotë në heshtje për secilën fjalë të rëndë që Agroni ia thoshte ditën. Pa të drejtë bile. Shpesh e qortoja, por ishte e kotë. Evladi në dhé të fut, duron shumë prindi për evlad. Pas një vit e gjysmë martesë doli me qira nga shtëpia, se gruaja e tij donte më shumë hapësirë për veti e qe besa ne vërtetë ishim bërë shumë në atë shtëpi, ani pse ishte shtëpia e madhe mjaftueshëm. Qau shumë gruaja atë natë, të paktën të prisnin ta martonim Afrimin e pastaj të dilnin më tha me gjysmë zemre.
Ndjehem keq edhe unë, por janë ri dhe le të përballen me jetën.
Ishte ditë e martë, e mbaj mend ende, kur u përshëndetëm me ta, bile gruaja i tha: Agron kur të duash, dhomën e ke e shtëpia ja ku është, kthehu djali jem.
Agroni, si ai qysh dinte ta rëndonte, ia ktheu: cila shtëpi oj nana jem, me qenë mbarë e mirë më kishit martu e më kishit ba me banesë e s’kishit derdh lotë pse po dal.
Unë, deshta t’ia thyej madje edhe turinjtë kur foli ashtu, por u përbiva. Pash se kjo jetë po din edhe ta kthenë të kundërtën e asaj që pret. Dikur përditë i blija çokollada atij se i donte shumë e bile gjithmonë edhe si fëmijë lakmonte shumë, pjesën më të madhe e merrte për veti, e sot ja me çfarë medalje më kthehet jeta mua.