Shkruan: Laureta Berisha Kosumi
Dedikuar mikes time të adoptuar
Nënë, jam unë ajo vajza jote e vogël me fytyrë si hënë, mos ma lësho dorën të lutem, jam ajo vajza e vogël që përzgjodhe në mesin e shumë fëmijëve tjerë. Doje një vajzë që Zoti nuk ta mundësoi ta kishe, doje një zemër të vogël që priste me padurim të ndjente ngrohtësinë e nënës dhe në fjalorin e saj të shtohej emri më i dashur “nënë”, emër të cilin nuk kishte kujt t’ja drejtonte më parë, që nga dita që u braktis, që nga ajo ditë që do të donte që rrezet e diellit të kësaj bote të bashkohen me rrezatimin e nënës që e lindi dhe t’i ngrohnin përgjithmonë, mirëpo jeta e saj ishte sfidë që nga e qara e saj e parë dhe njoftimi me jetën e re, me botën e re pa praninë e asaj që e mbajti në bark 9 muaj, pa dashurinë që kishte menduar që e priste, pa praninë e familjes që donte ta kishte….
Por… të qarat e saj bashkoheshin me të qarat e shumë fëmijëve tjerë, në një vend ku mungonte ledhatimi i nënës, ku mungonte dashuria që vetëm qënia nënë di ta ofrojë…
Mirëpo, tash shpresa u ngjall dhe një jetë e re do të lindë për nënën dhe vajzën fytyrëhënë. Shtëpia e nënës së re po mbushej me gëzim, po vinte një fëmijë i cili do të ishte gjithçka për të, do i ofronte tërë dashurinë, tërë kujdesin dhe tërë përkushtimin, jetën e saj do e dedikonte për të ëmblën e saj. Saherë e thërriste në emër, zemra i gufonte dashuri dhe vajza e saj i’a kthente po me atë kujdes dhe po me atë dashuri, duke kaluar jetën si nënë e bijë, si dy shoqe të pandara.
Vajza u rrit, u martua dhe jetonte me nënën e saj, u bë nënë dhe akoma më shumë e çmonte dhe kujdesej për të.
E kam njohur para një viti këtë vajzë të mrekullueshme, por qëkur e kam njohur nëna e saj ishte e sëmurë dhe ajo që kujdesej ditë e natë për të ishte vajza e saj, e cila nuk ankohej kurrë, madje thonte se nuk po arrijë fare t’ja ofrojë tërë kujdesin që më ka ofruar mua, ishte ajo që i qëndroi deri në momente e fundit të jetës, madje ishte te koka e saj kur nëna dha frymën e fundit.
Nëna u shua nga kjo botë, por la një zemër të madhe e cila është e mbushur dashuri ndaj saj, la zbrazëtinë që nuk mund ta mbushë askush, la vajzën e saj e cila do ta kujtojë përherë me sytë e mbushur lot dhe me krenarinë në zemër që pati një nënë të tillë, që pati një nënë që theu barrierat dhe paragjykimet e vendit tonë duke e rritur si e vetme….
Nga tërë ajo që kam kuptuar nga shoqja ime, është se nënë është ajo që të rritë, është ajo që nuk të braktisë për asgjë në botë, është ajo që rrotullon botën për fëmijën e saj, është ajo që mundë të gjitha paragjykimet nga të tjerët dhe e vetmja gjë që i intereson është mirëqënia e fëmijës së saj, zatën çdo nënë harron veten kur lindë një fëmijë, automatikisht kalon në veten e dytë gjithçka.
Nëse një femre të cilës Zoti nuk i’a mundësoi të bëhet nënë biologjike e një fëmije, asaj ju mundësua të jetë nënë e një fëmije që u braktis, një fëmijë që kishte shumë nevojë për të, kjo është madhështore.
Adoptimi i fëmijëve nuk është turp, nuk është ta rrisësh fëmijën e huaj, por ta mbjellësh dashurinë e nënës në zemrën e madhe të një fëmije dhe ta përmbushësh si veten ashtu edhe fëmijën në një familje.
Nuk janë gjenet ato që bartin dashurinë, nuk janë gjenet që të lidhin përjetësisht me këdo, dashuria bartet me sakrificë, përkushtim dhe me zemër të madhe. /Familjadheshendeti.com