Nga Dr. Gentian Çala – Psikiatër
A janë të gatshëm popujt, qytetërime apo kultura të ndryshme për të kaluar në një botë gjithmonë e më vituale?
A jemi të gatshëm ne si shoqëri për një marrëdhënie ndërnjerëzore virtuale?
A janë të gatshëm njerëzit për këtë situatë tranzitore ku një pjesë e mirë e marrëdhënieve reale zëvendësohen me atë virtuale?
A po dëmton kjo shëndetin tonë mendor dhe fizik?
Pyetje që kanë nevojë për përgjigje. Po e nis nga pyetja e fundit për të dalë te të tjerat.
Prindërit ankohen se fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të kohës në pajisjet elektronike, në lojra, rrjete sociale apo thjesht duke shfletuar informacione. Ata po e humbasin fëmijërinë pas një ekrani. Ata që nuk e kanë një pajisje, e duan ta kenë me gjithë shpirt, më shumë se çdo dhuratë tjetër, sepse të gjithë shokët kanë. Mundësitë për kontroll janë mjaft të pakta. Tejstimulimi audio-viziv, modelet e servirura shpesh herë demotivuese, informacionet e papërshtashme, janë disa prej problemeve që ndikojnë në zhvillimin dhe sjelljen e fëmijëve. Ata krijojnë me shpejtësi nevojën dhe varësinë për botën virtuale, duke shkëputur marrëdhëniet e vërteta, duke mos përdorur lojën dhe imagjinatën, duke qenë gjithmonë e më pak të aftë për zgjidhje problemesh apo për të vonuar plotësimin e dëshirave. Ne po rrisim “Njeriun Virtual” ose “Homo Virtualis”, një lloj njeriu për të cilin dimë pak dhe mundohemi të mësojmë më shumë.
Në klasifikimet e fundit më të njohura të sëmundjeve mendore, varësia ndaj virtuales është përfshirë në kategori diagnostike. Pra, me konsensus profesionistët e shëndetit mendor e kanë çmuar si një çrregullim me kritere për diagnostikim dhe japin sugjerimet e tyre për mundësinë e mjekimit. Njerëzit që plotësojnë kriteret shtohen me shpejtësi, kurse ata që kërkojnë ndihmë për këtë gjë janë një numër i papërfillshëm. Dëmtimet nuk janë vetëm psiqike, por edhe fizike: si dëmtimet e shikimit apo të shtyllës kurrizore si pasojë e qëndrimit të papërshtatshëm, madje edhe ato që vijnnë nga jeta sedentare.
Njerëzit kanë zgjedhur shmangien e realitetit me virtualen, gjë e cila po shkon nga zonat më të zhvilluara në ato më pak të zhvilluara, nga zonat urbane në ato rurale. Njeriu Virtual (Homo Virtualis) është kudo. Shoqëritë duken të jenë të papërgatitura për këtë sfidë për aq kohë sa nuk janë të përgatitura për masat parandaluese, posaçërisht në zhvillimin e fëmijëve dhe të të rriturve. Bota ka fituar nga teknologjia në kuptim të lehtësimit apo të rregullimit të shumë proceseve ku nevojitet menaxhim dhe përpunim i informacionit, por nuk e dimë se sa po humbasim nga shpirti njerëzor. “Njeriu Virtual” duket se i ngjan më shumë një varianti tekonologjik të njerëzimit, se një njeriu prej mishi, gjaku dhe shpirti.
Njerëzimi ka një sfidë, e cila është e njëjtë me atë që kemi në çdo familje, prandaj: fikni aparatet në mbrëmje që të gjithë të flenë; i lejoni fëmijëve një ose dy orë në ditë ti përdorin, por jo më shumë; nxisni marrëdhëniet njerëzore dhe lojën te fëmijët. Jepini hapësirë shpirtit tuaj pa teknologji. Ju do të ndiheni të çliruar.
Merrni masa të detoksikoni ata që janë në varësi duke i futur në periudha kohore pa teknologji. Kaloni sa më shumë kohë të lirë me miqtë, në aktivitete dhe në natyrë, duke krijuar stimuj të rinj.
Jo të gjitha të mirat e njerëzimit vijnë për mirë. Ne duhet ta kontrollojmë përdorimin e teknologjisë, jo anasjelltas. Kështu do të kemi fëmijë më të shëndetshëm. /Familjadheshendeti.com