Shkruan: Shkelzen Rrecaj, gazetar

Shumë nga njerëzit ballafaqohen me sfida dhe paragjykime nga më të ndryshmet. Por dikush është më i fort dhe arrinë t’i mund këto.

Besnik Hyseni një djalë i ri, i pashëm nga Prishtina, i cili ka arritur t’i mund paragjykimet, edhe pse me sindromin Down, ai është si gjithë të tjerët, i shkolluar, i punësuar dhe madje shumë aktiv në aktivitete të ndryshme.

Familja dhe Shëndeti që tashme është bërë pjesë e çdo familje shqiptare, zhvilloi një bisedë me Besnikun dhe motrën e tij Sadijen.

Besniku me kënaqësi pranoi ftesën tonë edhe pse në ditë pushimi u realizua biseda, ai nuk përtoi që të jetë pjesë e këtij grupi që çdo ditë e më shumë po rritet duke dhënë këshilla, duke diskutuar tema të ndryshme shëndetësore, sociale etj.
Siç çdo moshatar të tij, ai ka arritur të pavarësohet dhe të integrohet në shoqëri siç çdo person tjetër, edhe pse në mungesë të kushteve të trajtimit, shkollimit për Besnikun nuk kanë qenë të vështira.

Në fillim Besniku ka punuar në bufenë e Down Sindrom Kosova, nga aty është punësuar në Korporatën e Ujit ‘Rugova’, i cili aty punon banakier.

“Zgjohen në ora 7:00 përgatitëm për punë, puna fillon në ora 8:00. Në këtë kompani kam tri vite që punoj ndihem mirë, respekti, mbështetja nga të gjithë aty nuk me mungon, jam i lumtur me punën që e bëjë. Pas orarit të punës dalim me shokë për të pirë kafe”, tregon Besniku.

Siç çdo person që ballafaqohet me sfida, probleme, paragjykime për Besnikun nuk kanë ekzistuar.

“Nuk kam patur këto probleme si çdo njëri tjetër edhe unë kam arritur të jem pjesë e shoqërisë. Kam përfunduar shkollimin, jam angazhuar në punë dhe punoj veproj si të tjerët. Përkrahja, mbështetja nga familja kanë qenë maksimale”, thekson ai.

Besniku është i pasionuar pas basketbollit i pëlqen shumë dhe kohën e lirë e kalon duke luajtur me shokë. Po ashtu në mbrëmje shikon ndonjë ndeshje futbolli dhe më së shumti i pëlqen muzika.

Edhe pse dhjetë vite diferencë motra e Besnikut, Sadija, e cila nga fillimi është kujdesur për të dhe ajo tregon që për të ai është jo vetëm vëlla, por shok, jemi rritur bashkë dhe çdo herë kemi qenë dhe jemi të pandashëm.

Edhe pse personat e prekur me sindromin Down, kanë vështirësi për integrim, mungesa e kushteve, shkollimit e shumë problemeve tjera.

“Dallimi mes kohës kur ka lind Besniku dhe kohës së tashme, ka dallime shumë të mëdha, paragjykimet kanë filluar të largohen. Sfida ka patur jashtëzakonisht të mëdha, sepse duke u nisur nga lindja, kur mjekët i kanë treguar nënës që e ke një fëmijë me të meta, e cila është interesuar të dijë për sëmundjen dhe mjekët i kanë thënë që e ka një sëmundje që nuk është e shërueshme dhe nuk jetojnë më shumë se 17 deri 18 vjet, ka qenë një përjetim si nënë. Ka patur edhe sfida të tjera shkollimi, mungesa e logopedëve d.m.th për këtë jam kujdesur vetë aq sa kam mundur. Në moshën 7 vjeçare e kemi regjistruar në shkollë dhe tetëvjeçaren e ka kryer në Prishtinë. Por çka pas? Për arsye së në Prishtinë nuk ka patur shkollë të mesme. Jemi detyruar ta dërgojmë në Prizren në Shkollën Profesionale “Lef Nosi”, aty ka përfunduar shkollimin e mesëm. Ka banuar në konvikt në kuadër të shkollës dhe në fundjavë ka ardhur vetë në familje d.m.th ka qenë i pavarur”, tregon Sadija.

Më tej ajo tregon se pas shkollimit Besniku është punësuar dhe është i lumtur me punën që bënë.

Sa po bëjnë institucionet për këta persona?

Për këtë Sadija u shpreh: “Çdo herë e potencoj që dallimi mes kohës kur ka lind Besnik dhe tani ka përparim. Mirëpo, ka punë ende për t’u bërë. Është arritur një marrëveshje për gjithë përfshirje nëpër kopshte prej moshës së vogël, në shkolla fillore me i trajtuar normal. Por institucionet shtetërore duhet bërë më shumë në këtë drejtim”.

Ajo thotë edhe pse mund të jetë pak problem qasja ndaj tyre, kjo duhet të merret si normale dhe trajtimi duhet të jetë si me të gjithë të tjerët.

Familja dhe Shëndeti

“Familja dhe Shëndeti ka një vit e një muaj që ka startuar dhe ka arritur shumë shpejtë që të jetë pjesë e çdo familje. Ky grup është një dritare që ka hapësirë për të gjithë fëmijët që vuajnë prej ndonjë sëmundje. Aty ka njerëz profesionalist, duke filluar nga profesione të ndryshme, mjek, inxhinier, ekonomist etj., Një mundësi e mirë për trajtimin e shumë temave me të cilat ne si prindër ballafaqohemi çdo ditë. Të Familja dhe Shëndeti prindërit do të gjejnë mbështetje profesionale, nga mjekët, psikologët, edukatorët me këshilla rreth fëmijëve, pyetje dhe përgjigje. Edhe për personat me aftësi të kufizuara do të ketë vend të veçantë në trajtimin e shumë temave”, tregon Sadija.
Sadija ka një këshillë për të gjithë që këta persona të trajtohen si gjithë të tjerët, mos të ketë paragjykime dhe të inkuadrohen si gjithë të tjerët në shoqëri, të kenë mundësi punësimi të barabartë kështu këta nuk do të ndihen të diskriminuar nga shoqëria ku jetojmë. Besniku është si gjithë të tjerët dinë të shkruan, të lexon, të luaj, të llogarit pazaret, t’i kryen obligimet në shtëpi asgjë nuk i mungon dhe ky dhe të tjerët të kenë trajtim të njëjtë dhe të barabartë.

21 marsi është dita personave me sindromin Down, për të cilën shumë kujt i bie në mend një herë në vit. A meritojnë këta persona që të takohen një herë në vit? Çka kemi ne më shumë së këta? Këta janë pjesë e jona dhe duhet t’i trajtojmë të barabartë.

Besniku është një shembull por ka edhe Besnika të tjerë të cilët janë të shkolluar, të edukuar për të cilët veprojnë punojnë ashtu siç veprojmë, punojmë të gjithë.


Autor: Shkelzen Rrecaj / #FamiljadheShëndeti