Para se të bëhesha nënë 🥰

Shikoja nënën time teksa përgatiste drekën. Sapo kishte ardhur nga puna. Nuk ishte ndërruar ende. Kishte larë vetëm duart dhe drejtë e në kuzhinë. Mendoja, kaq e rëndësishme është kuzhina për të?
Filloi pastrimin e banesës, ndonëse e vogël në të i shkonte gjysma e ditës. Mendoja, seç ku e gjente atë pluhurin e botës përderisa e pastronte çdo ditë.
Lëshoi makinën e rrobave. Pastaj përsëri në kuzhinë. Tani ishte koha e darkës. Mendoja, a nuk dinte ajo të ulej? Pas darkës bënte kafen për vete dhe babin, e neve na pyeste me çka të na shërbente. Mendoja, e mendonte veten si shërbëtore? Me kafe lëshonte fjalët e ëmbla dhe na gëzonte me bisedën e këndshme që e bënin bashkë me babin. Kaq e lumtur ishte. Kaq e kompletuar. Si nuk ndihej e lodhur? Kishte punuar me orë në punë, pastaj me orë në shtëpi dhe prapë arrinte të përfundonte të gjitha, në fund të ishte e disponueshme për ne.
Tash që u bëra vetë nënë, mendoj, pse kam menduar kështu për nënën time! Tani e di se nëna ime ka ditur te lodhej.
Tani e di se kuzhina nuk ishte e rëndësishme fare për të, por ishte e rëndësishme të ushqeheshim ne.
Tani e di se ndoshta nuk ka gjetur fare pluhur në banesën tonë ditë për ditë, por ajo donte të sigurohej për këtë.
Tani e di se ka ditur edhe të ulej. Edhe të shtrihej. Të pushonte, të dëgjonte muzikë apo të kontrollonte telefonin.
Tani e di edhe magjinë e kafes së saj. Ajo qenka munduar të ngjallte ngrohtësinë familjare, ndonëse e rraskapitur. Qenka ndjerë edhe e lodhur, megjithatë nuk na e paska shfaqur kurrë.
Zemra e saj kaq e madhe paska rrahur veç për ne.
Tani vetë nënë, marr djalin tim në krahë dhe ia ndjej aromën. Them me vete, a do të arrij të bëhem si nëna ime?! Gjithmonë e përkushtuar dhe gjithmonë e kujdesshme.
Para se të bëhesha nënë gjithmonë vetëm mendoja, tani që jam nënë, veproj.
Tani që jam nënë, e dua edhe më shumë nënën time!
Endrina Shutrak Lokaj

femijet