Shkruan: Mr.Ph. Laureta Berisha Kosumi, farmaciste
Shumë prindër ndihen të stresuar kur fëmija i tyre ka gjendje jo të mirë shëndetësore dhe ka nevojë për barna. Përveq shqetësimit të lartë se si do të jetë gjendja shëndetësore e fëmijës, ata ndihen në stres se sa do t’i reagojë bari i caktuar, a do të ketë efekte anësore ai bar, a do t’a përmirësojë mirëqenien fëmijës së tyre, a do t’i rikthehet disponimi, sa do ti zgjasë gjendja e caktuar etj.
Përdorimi i barnave në mënyrë të sigurtë do të thotë të dish se kur duhet dhënë barin e caktuar, kohën që duhet dhënë, mënyrën si t’ja japësh, kohën që duhet t’ja ndërpresh etj.
Shpeshherë kujdesi që prindërit mund t’ju ofrojnë fëmijëve të tyre në shtëpi, është rruga më e mirë për shërim të shpejtë. P.sh fëmijët me grip ose ftohje të lehtë.
Për të përdorur me siguri të plotë barnat që ipen me recetë, paraprakisht bisedoni me mjekun dhe farmacistin tuaj para se të filloni t’ja jepni fëmijës tuaj.
Para se t’ju jepni barin apo ilaçin fëmijës tuaj, duhet të dini:
•Emrin dhe qëllimin e marrjes së barit;
•Sasia që duhet dhënë, sa shpesh duhet t’i ipet brenda ditës, si dhe për sa kohë duhet të merret bari i caktuar;
•Si duhet të jepet bari, p.sh:
– Të mirret nga goja, direkt në mushkëri përmes inhalerëve, të futet në vesh, sy, rektum (zorrë të trashë) ose për t’u aplikuar në lëkurë.
• Çdo udhëzim të veçantë rreth barit si:
– Nëse bari duhet të merret me ose pa ushqim, si duhet ruajtur, për sa kohë mund të ruhet në mënyrë të sigurtë përpara se të hidhet, efekte të përbashkëta anësore ose
ndërveprime me barna tjera që merr fëmija juaj etj.
Gjëra të tjera që duhet të dini:
Për shkak se dozimi i barit varet nga pesha e pacientit, sigurohuni që mjeku dhe farmacisti të kenë informacion të përditësuar rreth peshës dhe moshës së fëmijës suaj.
Sigurohuni që mjeku dhe farmacisti të jenë në dijeni nëse fëmija juaj ka ndonjë alergji ose merr rregullisht barna tjera.
Barnat që lehtësojnë simptomat si: dhimbje, ethe apo temperaturë (si paracetamol dhe ibuprofen) duhet të përdoren siç rekomandon mjeku juaj, pasiqë dhënja e dozave më të larta apo të dozimit jo adekuat, mund të qojë në rënie të madhe të temperaturës.
A do të reagojë më mirë paracetamol apo ibuprofen tek fëmija me temperaturë, është ndër pyetjet më të shpeshta që na adresohen si farmacistë
Të dyja këto barna reduktojnë ethet duke bllokuar prostaglandinat, kimikatet që nxisin dhimbjen dhe ethet.
Ibuprofeni ka avantazhin e zgjatjes së kohës së veprimit për gjashtë deri në tetë orë, krahasuar me katër orë për paracetamolin. Pas kësaj, ajo që zgjidhni vërtetë mvaret nga sëmundja, mosha dhe ndjeshmëria e stomakut.
Ibuprofen është shumë efektiv në shënjestrimin e dhimbjes së shkaktuar nga inflamacioni, si dhimbjet e dhëmbëve dhe të muskujve, gjithashtu duket se lehtëson ethet dhe ulë temperaturën më të mirë tek shumica e fëmijëve. Por, ibuprofeni mund të shkaktojë ngacmime në lukth në stomak dhe ndryshe nga paracetamoli, nuk është i aprovuar nga FDA ( Administrata e barnave dhe ushqimit) nuk e ka miratuar përdorimin e tij para moshës 6 muajshe.
Shumë barna që përshkruhen me recetë, duhet të merren deri në përfundimin e tyre siç është përshkruar nga mjeku edhe nëse fëmija juaj ndihet më mirë pas pak ditësh të marrjes së terapisë. Për shembull, antibiotikët vrasin bakteret, prandaj është e rëndësishme që të përfundoni të gjithë dozën që duhet dhënë për 5, 7 ose 10 ditë edhe pas ndërprerjes së simptomave. Përndryshe, infeksioni mund të rikthehet dhe në këtë formë vie edhe te përshkrimi i lartë i antibiotikëve.
Merrni barna me emra të njëjtë xhenerik, nuk ka rëndësi firma apo prodhuesi
Shumëherë dhe mos të them në mbi 90% të rasteve, prindërit kërkojnë të marrin vetëm atë prodhim që u’a ka përshkruar pediatri i fëmijës së tyre. Ndodhë shumë shpesh që të prodhimet e përshkruara të jenë mungesë në tregun tonë dhe dalin pa e marrë barin, vetëm e vetëm që ta marrin prodhuesin e njejtë. Totalisht e gabuar, pasiqë barnat me emra të njejtë xhenerik duhet të plotësojnë të njëjtat standarde prodhuese me të gjithë sinonimet e markave apo prodhuesve tjerë. Pra, kanë të njëjtit përbërës aktivë të barit dhe vijnë në formë të njëjtë farmaceutike (sirup, tabletë, kapsulë etj). Përbërësit joaktivë – të cilët përdoren për ngjyrën dhe aromën, mund të jenë të ndryshëm.
•Aspirina
Asnjëherë mos u jepni fëmijëve aspirinë, veçanërisht gjatë sëmundjeve virale. Përdorimi i aspirinës gjatë një sëmundjeje të shkaktuar nga një virus (të tilla si gripi ose infeksione të traktit të sipërm respirator) mund të shkaktojnë sindromën Reye. Kjo sëmundje potencialisht kërcënuese për jetën, mund të shkaktojë nauze, vjellje dhe lodhje ekstreme që përparon deri në koma.
Andaj ky bar nuk rekomandohet asesi ndër moshën 12 vjeçare.
Disa barna (duke përfshirë barnat që trajtojnë dhimbje koke dhe të përziera) përmbajnë aspirinë. Pra, lexoni me kujdes fletëpalosjet dhe pysni mjekun ose farmacistin tuaj para se t’i përdorni ato. Gjithashtu, disa barna që përmbajnë aspirinë, në përshkrim kanë edhe emra tjerët të këtij bari si salicilate ose acetilsalicilate, të cilat duhet shmangen gjithashtu./www.familjadheshëndeti.com