Nga Blerta F. Kryeziu – Kimiste
Mënyra e jetesës në ditët e sotme është e paimagjinueshme pa kimikatet, por përdorimi i tyre duhet bërë me një kujdes të veçantë kur bëhet fjalë për gratë shtatzëna.
Shtatzënia nuk e kufizon një nënë nga rutina e saj e përditshme, madje as ndaj pastrimit. Pastrimi i shtëpisë në shtatzëni nuk është i ndaluar, përkundrazi, nëse mjeku nuk rekomandon të kundërtën dhe nëse gjendja e saj shëndetësore është normale, gruaja mund të zhvillojë të njëjtat aktivitete që zhvillonte edhe më parë. Gjithsesi nga disa gjëra gruaja duhet të tregojë kujdes të veçantë!
Kujdes nga detergjentet!
Sot në treg ekzistojnë një numër i madh i produkteve për pastrimin e brendshëm të shtëpisë. Jo të gjitha llojet e kimikateve janë të dëmshme, ka një numër të madh të detergjenteve që nuk përmbajnë kimikate të dëmshme, por ka lloje të tjera që në përmbajtje kanë një koktej kimikatesh.
Ato nga të cilat një grua shtatzënë duhet të ketë kujdes janë detergjentet me përmbajtje klori apo amoniaku që janë edhe më të shpeshta në treg. Dëmi që shkaktojnë këto produkte nuk prek në mënyrë direkte shëndetin e nënës apo fëmijës, por përdorimi duhet të jetë tepër i limituar pasi mund të krijojnë bezdi për shkak të aromës të fortë, apo alergji në frymëmarrje ku shpesh mund ta prek traktin respirator. Të thithësh klorin në shtatzëni është e dëmshme pasi mund të shkaktojë marrje mendsh dhe të vjella tepër intensive. Aroma e fortë shkakton reagime fizike tek gruaja të cilat mund të shoqërohen edhe dhimbje të fortë koke. Nëse vërtetë duhet ti përdorni, atëherë vendosni maskë dhe doreza të pastrimit, si dhe përdoreni shumë rrallë.
Detergjentet e tillë si Acidi klorhidrik (HCL i përqendruar) që në popull njihet si kiselina ndërsa tani me emra firmash të zbukuruar si Domestos paraqesin një rrezikshmëri të madhe sidomos nëse përdoret në ambient të mbyllur siç është banjo.
Një metodë më e mirë, më e padëmshme dhe më lirë e kushtueshme është që në vend të detergjenteve të tillë, me aromë të fortë por dhe pa përmbajtje klori, mund të provoni të pastroni shtëpinë me sodë bikarboni apo me uthull. Gjithashtu nuk duhet të harroni se edhe thjesht uji i nxehtë ka veti shumë të mira pastruese të pllakave apo parketeve.
Dyshemetë mund t’i pastroni duke përzier ujë të nxehtë, disa pika vaj esencial të pemës së çajit (ka veti antibakteriale) ose me aromë levandoje si edhe pak alkool medicinal.
Kuzhinën dhe banjon mund ta pastroni duke përdorur një copë prej mikrofibre të zhytur në një përzierje të përbërë nga 2 litër ujë të nxehtë dhe 1 gotë uthull.
Pajisjet e banjos mund të pastrohen duke përzier 2 lugë sodë bikarboni me 4 gota ujë të nxehtë ose 1 gotë uthull të bardhë me 1 litër ujë të nxehtë.
Për pastrimin e çezmave në banjo apo kuzhinë përdoreni një copë limoni, lëreni të qëndrojë disa minuta pastaj pastrojeni me leckë të lagur.
Në vend të sprejit që përdorim për mbledhjen e pluhurit, shishen e zbrazet të spërkatësit mbusheni me ujë dhe gjysmë lugë gjelle uthull do të jetë dezinfektuesi më i mirë kundër baktereve.
Shëndeti i nënës shtatzënë ka rëndësi shumë të madhe andaj sa më pak kimikate përdorni gjatë kësaj periudhe./FamiljadheShëndeti