Shkruan: Prof. Dr. Mimoza Shkodra- Bislimi

Për shkak të arritjes së saj të gjerë, popullaritetit të pashembullt dhe themelimit të vlerave pozitive, sporti është padyshim një nga gjërat më të mëdha që njeriu ka krijuar ndonjëherë. Është gjithashtu një mjet i fuqishëm që thyen të gjitha pengesat dhe na ndihmon të ndihemi mirë për veten tonë, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Sporti është mjaft i dobishëm edhe për fëmijët: ata duke u marrë me sport zhvillojnë aftësi fizike, ushtrojnë, krijojnë miq të rinj, argëtohen, mësojnë të jenë anëtarë të ekipit, mësojnë për të luajtur lojëra, përmirësojnë vetëvlerësimin, etj.         

Përmirësimi i zhvillimit fizik dhe mendor të fëmijëve është sigurisht kontributi më i rëndësishëm i sportit, por lista e vlerave që fëmija mund të mësojë dhe të fitojë nëpërmjet sportit nuk përfundon këtu. Aspekte të tjera pozitive janë të shumta, gjë që zbulon bukurinë e vërtetë të sportit.

Cilat përfitime mund të vijnë nga sportet?Shumica e prindërve dëshirojnë t’i inkurajojnë fëmijët të luajnë sport për t’i ndihmuar ata të ndihen të vlefshëm. Çdo fëmijë mund të jetë i suksesshëm në një sport apo në një tjetër. Megjithatë, merr kohë që prindërit të gjejnë sportin të përshtatshëm për fëmijën. Prandaj, ata duhet të jenë të durueshëm në zgjedhjen e sporteve, pasi është një proces që do të paguhet në planin afatgjatë. Asgjë tjetër në jetë nuk u siguron fëmijëve një mundësi të tillë për të zhvilluar tipare pozitive të karakterit dhe për të thithur shumë vlera cilësore sa i bënë vetë sporti. Përfitimet që kanë fëmijët nga të marrurit aktivisht me sport janë të shumta, dhe unë do t’i përmendi vetëm disa prej tyre: Karakteri i fëmijëve dhe parimet morale formohen përmes lojës së drejtë. Për më tepër, fëmijët që janë aktivisht të angazhuar në sporte mund të jenë modele të mira për bashkëmoshatarët e tyre nga shkolla, lagjet, madje edhe nga mësuesit e tyre të shkollës. Po ashtu aktiviteti sportiv për fëmijët u krijon miqësi të cilat ndryshe nuk mund të formoheshin. Për shembull, lidhjet miqësore të sportistëve profesionistë mbeten të paprekura edhe kur nuk luajnë lojëra sportive dhe shpesh zgjasin një jetë. Sportet i sjellin njerëzit së bashku nga e gjithë bota, pa marrë parasysh kombësinë, fenë, kulturën ose ngjyrën e lëkurës.Puna në grup dhe përfitimet e ndërveprimit social mes fëmijëve shihet më së miri në sport. Fëmijët mësojnë se janë pjesë e një ekipi që kërkon të njëjtën përpjekje nga të gjithë anëtarët që të kenë sukses, si dhe si të fitojnë me klasë dhe të humbasin me dinjitet.Ata i shohin garat mbrenda dhe  jashtë fushës si mundësi për të mësuar nga suksesi dhe dështimi i tyre. Përveç kësaj, humbja shpesh i motivon fëmijët të punojnë edhe më fort për herën tjetër.Ata mësojnë të respektojnë autoritetin, rregullat, kolegët e ekipit dhe kundërshtarët.Sporti është një mjedis i rëndësishëm mësimi për fëmijët. Studime të shumta kanë treguar se fëmijët që luajnë lojëra sportive performojnë më mirë në shkollë. Gjithashtu brenda sportit krijohet dhe zhvillohet statusi i kolegëve dhe pranimi i kolegëve.Përvojat sportive ndihmojnë në ndërtimin e vetëbesimit pozitiv në fëmijët. Përveç kësaj, pjesëmarrja në sport mund të jetë një mënyrë e dobishme për të reduktuar stresin dhe për të rritur ndjenjat e mirëqenies fizike dhe mendore, si dhe për të luftuar kundër delikuencës së të miturve, konflikteve dhe shpërthimeve agresive. Çështja është të mbajmë trupin në shëndet të mirë në mënyrë që të jemi në gjendje ta mbajmë mendjen të fortë dhe të qartë.Kur fëmijët mësojnë mësime pozitive të jetës përmes sportit, nuk ka dyshim se ata do të bëhen të ndershëm, të besueshëm të cilët do të përpiqen të ndihmojnë të tjerët në nevojë në çdo moment.      

Fëmijët duhet të marrin pjesë në sporte jo për sukses dhe rezultate të menjëhershme, por për të zhvilluar aftësitë e tyre fizike dhe intelektuale. Përndryshe, duke e detyruar fëmijën të luajë disa sporte mund të krijojë një kundër efekt dhe si rezultat i bëjnë ata të zhvillojnë një neveri për sportin në përgjithësi. Në vend të kësaj, lëreni fëmijën tuaj që së pari të mësohet me sportin, ta pranojë atë dhe të pëlqejë, kështu që mund të bëhet pjesë e jetës së tij të përditshme. Rezultatet, arritjet, medaljet dhe çmimet mund të vijnë më vonë, edhe pse kërkojnë shumë punë, disiplinë dhe sakrificë. Gjithashtu, është e rëndësishme të lejoni që fëmija juaj të zbulojë dhe të eksplorojë gjëra të tjera interesante përveç sporteve, në mënyrë që ata të mos ndihen të mbytur në stresin e vazhdueshëm nga presioni i prindërve që të arrijnë më shpejt. E rëndësishme është që vlerat e të qenit sportist fëmijët duhet që t’i kuptojnë vetë gjatë këtij rrugëtimi. Dije se thelbi i sportit është të bashkojë të gjithë njerëzit në mbarë botën, pavarësisht prej sfondit të tyre shoqëror, gjendjes së tyre financiare dhe vendit nga i cili vijnë. Pra, nëse mendoni se keni nevojë për para për të luajtur sport, jeni të gabuar! Duhet kuptuar se sporti nuk është një privilegj i njerëzve të pasur, por as i individëve që tentojnë që fëmijët e tyre të arrijnë apo të zënë vend në sport përmes të njohurve të tyre dhe nepotizmit, them kështu se është i vetmi vend që nuk lejon të njohur, simpati të trajnerëve (sepse këtu zë vend vet suksesi i trajnerit) dhe karriera e të dy palëve (trajnerë dhe sportistë) jo rrallë herë përfundon keq (duke mos patur suksese apo duke u përjashtuar nga klubi, gjë që kjo është përfundi edhe më i turpshëm) etj. Në pjesët më pak të pasura të botës mund të shihni fëmijët që vrapojnë për një top të punuar me dorë në rrugë të pluhurosura, ose të garojnë në rrugë nga shtëpia në shkollë dhe mbrapa. Për ta gjithashtu, sporti është një burim i pashtershëm i frymëzimit dhe lumturisë. Për sa kohë që fëmija është i përfshirë në aktivitete sportive, ai është në botën ku ai përpiqet të jetë sa më mirë që mund të jetë. Të gjitha shqisat e tij, sistemi lokomotor dhe kapacitetet intelektuale janë të angazhuara. Duke luajtur apo duke u marrë me sport, fëmija  jo vetëm që do të bëhet më i fortë fizikisht, por edhe mentalisht. Më e mira nga të gjitha, ai do të mësojë se si të kapërcejë çdo pengesë dhe sfidë që do të vijnë në rrugën e tij. A nuk është ajo që ne të gjithë kemi nevojë? Andaj jini aktiv fizikisht dhe nxitni fëmijën tuaj të merren me sport. /www.familjadheshëndeti.com