Nëse ktheheni në fëmijërinë tuaj, cilat janë ato kujtime që i keni bartur me vete? A do të kujtojnë fëmijët tuaj të njëjtat gjëra? Përgjigjen në këtë pyetje e ka dhënë një baba …
Me lindjen e fëmijës së pestë, Dave Willis u bë nostalgjik dhe u kthye prapa në fëmijërinë e tij. Duke e kuptuar se si prind shpesh është i ngarkuar me shumë gjëra të parëndësishme, ai shkroi në blogun e tij një listë të gjërave që çdo fëmijë në mënyrë të pashmangshme i bart me vete që nga fëmijëria.
Më poshtë mund të gjeni një listë të gjërave që me siguri do të mbesin në kujtesën e fëmijëve tuaj:
Çastet kur janë ndier të sigurt dhe të mbrojtur (ose anasjelltas)
Çdo fëmijë është i ndjeshëm dhe për këtë arsye ka nevojë për mbrojtje. Fëmijët tuaj do të kujtojnë kohën kur ju keni ndjekur përbindëshin nën shtratin e tyre ose kur i keni shtrënguar fort sa herë që kanë përjetuar ndonjë ankth natën, gjithashtu do të kujtojnë kohërat kur temperamenti juaj është shndërruar në një përbindësh nga i cili ata kanë ndier frikë. Është e pashmangshme që fëmijët ndonjëherë do të na shohin të zemëruar, por përpiquni gjithmonë që ata të ndjehen të sigurt dhe të mbrojtur kurdo që ndodhen pranë jush.
Fëmijët e masin dashurinë kryesisht në bazë të vëmendjes që u japim atyre. Çastet kur ju ndaloni çdo aktivitet tuajin dhe dilni me ta jashtë për të lozur me top apo i ftoni të gjithë miqtë (kukullat) e tij/saj për çaj, janë në fakt çastet të cilat do të mbeten në kujtesë gjatë gjithë jetës së tyre. Gjithmonë gjeni kohë për gjëra të vogla të cilat do t’i bëni me fëmijët tuaj, sepse në fund të fundit, këto do të jenë edhe çastet më të rëndësishme.
Mënyra se si silleni me partnerin tuaj
Fëmijët e krijojnë perceptimin e tyre për dashurinë në masën më të madhe, duke parë mënyrën se si mami dhe babai sillen ndaj njëri-tjetrit. Mundohuni që të keni një martesë që do t’u shërbejë atyre si një shembull të cilin do ta ndjekin edhe ata një ditë. Ofrojuni atyre sigurinë që buron nga marrëdhënia juaj përplot respekt, dashuri dhe komunikim të plotë.
Fjalët tuaja të mbështetjes dhe kritikës
Zemra e fëmijës është si çimento dhe përshtypjet e fituara në fëmijërinë e hershme ngurtësohen me kalimin e kohës. Ata do ta bazojnë ndjenjën e tyre të identitetit, aftësive dhe madje vetëvlerësimit, kryesisht në fjalët që ju ua drejtoni atyre në moshën më të hershme. Një pjesë e punës sonë prindërore është të korrigjojmë dhe disiplinojmë, por gjithmonë përpiquni t’i shprehni fjalët tuaja me shumë dashuri, inkurajim dhe pozitivitet.
Traditat familjare
Fëmijët e duan spontanitetin, por gjithashtu ata gjithmonë do të kujtojnë çdo lloj tradite që keni krijuar në familje, qoftë ky një film të cilin e keni shikuar natën e së dielës ose ndonjë lojë shoqërore në të cilin keni qenë e përfshirë gjithë familja, apo një vend ku keni udhëtuar për të shpëtuar nga tollovia e qytetit dhe jeta e përditshme, pastaj mënyra se si keni festuar ditëlindjet tuaja dhe ngjarje tjera të veçanta. Këto gjëra do të mbeten përgjithmonë në kujtesë, dhe ka të ngjarë që edhe nipërit dhe mbesat tuaja të gëzojnë të njëjtat aktivitete familjare./Familjadheshendeti