Nga: Laureta Berisha Kosumi, farmaciste
Lëkura e fëmijëve ka nevojë të patjetërsueshme për mbrojtje nga rrezet e dëmshme ultravjollcë (UV) të diellit sa herë që ata të dalin jashtë pra jo vetëm në pushime.
Vetëm disa djegie të rënda nga dielli, mund të rrisin rrezikun e kancerit të lëkurës tek fëmijët. Në pishinë, plazh apo pushime, fëmijët patjetër duhet të jenë të mbrojtur nga rrezet e dëmshme të diellit.
Rrezet UV janë më të forta dhe më të dëmshme gjatë mesditës.
Përdorni produkte me faktor mbrojtës të paktën SPF 15 nga UVA dhe UVB (spektër të gjerë të mbrojtjes) çdoherë që fëmija juaj është jashtë. Për mbrojtje më të mirë, përdorni një produkt me faktor mbrojtës 30 minuta para se të dilni jashtë me fëmijët. Mos harroni të mbroni veshët, hundën, buzët dhe majat e këmbëve.
Merrni kremen me vete gjatë ditës, sidomos pasi fëmija juaj noton ose ushtron, në mënyrë që ta riaplikoni atë në lëkurën e fëmijës. Kjo vlenë edhe për produktet e papërshkueshme nga uji dhe ato që i përshkon uji.
Produktet me faktor mbrojtës nuk kanë të njëjtët përbërës, nëse fëmija juaj reagon keq në një produkt, duhet të merrni një tjetër.
• Këshilla për të mbajtur fëmijën të sigurt në dielli
Si ta përdorim një produkt me faktor mbrojtës tek fëmijët
– Aplikoni produktin me SPF sa herë që fëmijët tuaj do të jenë në diell. Për rezultatet më të mira, përdorni rreth 15 deri 30 minuta para se fëmijët të shkojnë jashtë.
– Mos harroni mbrojtjen për veshët, duart, këmbët, shpatullat dhe prapa qafës.
– Ngrini shiritat e kostumit të banjës dhe vendosni kremën SPF nën ato (në rast se shiritat lëvizin) gjatë kohës në plazh.
– Nxiteni fëmijën tuaj të luajë në hije, për shembull nën pemë sidomos mes orës 11 dhe 15, kur rrezet e diellit janë shumë të forta.
– Mbuloni pjesët e ekspozuara të lëkurës së fëmijës suaj me krem me faktor mbrojtës SPF, madje edhe në një ditë me vranësira.
– Merrni kremë me faktor mbrojtës që ka spektër të gjerë veprimi ( që shkruan mbrojtje nga rrezet UVA dhe UVB).
– Aplikoni produktin me faktor mbrojtës në zona të mbrojtura nga veshjet, si fytyra, veshët, këmbët dhe shpinat e duarve.
– Jini veçanërisht të kujdesshëm për të mbrojtur shpatullat e fëmijës suaj dhe pjesën e prapme të qafës kur ata luajnë, pasi këto janë fushat më të zakonshme për djegien nga dielli.
– Mbuloni fëmijën tuaj në rroba të pambukta të lirshme.
– Mbrojeni sytë e fëmijës tuaj me syze dielli që plotësojnë standardet e mbrojtjes nga rrezet UV.
– Nëse fëmija juaj është duke notuar, përdorni një produkt mbrojtës nga dielli rezistent ndaj ujit, me faktor mbrojtës 15 ose më lartë. Produkti duhet të riaplikohet mënjeherë pasi daljes nga uji, madje edhe pse është “rezistent ndaj ujit”.
– Mos përdorni produkte me faktor mbrojtës që përmbajnë PABA, të cilat mund të shkaktojnë alergji të lëkurës te fëmijët.
Për lëkurë të ndjeshme, shikoni për produktet që kanë përbërës aktiv dioksid titaniumi.
•Jemi duke u nisur për pushime, si ta zgjedhim produktin më të mirë ( krem, losion, sprej) me faktor mbrojtës për fëmijët tanë?
Kur të kërkoni një produkt me faktor mbrojtës çoftë në markete apo barnatore, duhet vënë rëndësinë në tri gjëra që duhet kërkuar në etiketën e atij produkti, në mënyrë që të jetë i sigurtë:
1. Të ketë një SPF (faktor mbrojtës nga dielli) prej 30 ose më të lartë.
2. Të jetë produkt me spektër të gjërë veprimi, pra mbron kundër rrezeve UVA dhe UVB.
3. Të jetë i qëndrueshëm ndaj ujit (mbron fëmijët në ujë për 40-80 minuta).
•Lëkura e fëmijës tim është kthyer në ngyrë rozë, si të veproj?
Lëkura e pambrojtur mund të dëmtohet nga rrezet UV të diellit në më pak se 15 minuta. Megjithatë, mund të nevojiten deri në 12 orë që lëkura të tregojë efektin e plotë të ekspozimit ndaj diellit. Pra, nëse lëkura e fëmijës suaj sot duket “pak e trëndafiltë”, ajo mund të digjet nesër në mëngjes. Për të parandaluar djegien e mëtejshme, largojeni fëmijën tuaj nga dielli.
• Cilat forma janë më lehtë të aplikueshme për fëmijët tanë?
Produktet me faktor mbrojtës i gjejmë në forma dhe lloje të ndryshme si: krema, xhele, sprej ose si tuba të vegjël (shkopinjë) të cilët përdoren për lëkurën përreth syve. Kremat janë më të mirat për zonat e lëkurës së thatë, xhelet janë të mira për zonat me flokë (kokës). Format si sprej nuk janë shumë të preferueshme për fëmijët, pasiqë është e vështirë të dini nëse keni aplikuar mjaft dhe sprejet janë gjithashtu të ndezshme, kështu që ju duhet të shmangni ndezjet ose flakët kur e përdorni atë dhe ti mbani larg nga fëmijët.
• Cilët kategori të fëmijëve kanë nevojë për mbrojtje më të mirë ndaj diellit?
Çdo fëmijë ka nevojë për mbrojtje nga dielli. Të gjithë fëmijët, pavarësisht nga tonet e tyre të lëkurës, duhet të vënë krem me një SPF prej 30 ose më të lartë. Edhe pse lëkura e errët ka më shumë melaninë mbrojtëse, rrezitja është një shenjë e dëmtimit nga rrezet e diellit. Fëmijët me ngjyrë të errët gjithashtu mund të marrin djegie të dhimbshme.
• Planifikoj pushimet por foshnja ime akoma nuk ka mbushur 6 muaj, si të veproj?
Produktet me faktor mbrojtës nga dielli nuk rekomandohen për foshnjat ndër 6 muaj!
FDA (Agjensioni i barnave dhe ushqimit) rekomandon që foshnjat ndër 6 muaj të mbahen jashtë diellit sidomos prej orës 10 deri në orën 14 dhe të përdorin veshje mbrojtëse nëse ata duhet të jenë në diell.
Foshnjat janë në rrezik më të madh se të rriturit ndaj efekteve anësore të produkteve me faktor mbrojtës, të tilla si skuqje të lëkurës. Mbrojtja më e mirë për foshnjat është t’i mbash jashtë diellit tërësisht.
Foshnjat ndër gjashtë muaj duhet patjetër të mbrohen nën hije në plazh dhe mos të qëndroni gjatë me ta jashtë, sepse lëkura e tyre është jashtëzakonisht e ndjeshme edhe po të jenë nën hije, prapë se prapë rreziku nga djegia është i lartë duke marrë parasysh lëkurën e foshnjave.
• Foshnjat mbi 6 muajshe
Për fëmijët mbi moshën gjashtë muaj, FDA rekomandon përdorimin e mbrojtjes së diellit sipas udhëzimeve nga prodhuesi ( produkt adekuat për këtë moshë).
Cilat kimikate në produktet me faktor mbrojtës nga dielli mund ta irritojnë lëkurën e fëmijëve tanë?
Kimikatet mund të irritojnë lëkurën e ndjeshme të fëmijëve, PABA dhe oxybenzone në veçanti janë shoqëruar me reaksione alergjike në lëkurë. Produktet me përbërës të dioksidit të zinkut dhe dioksidit të titanit, priren të tolerohen më mirë nga njerëzit me lëkurë të ndjeshme dhe zakonisht mund të gjenden në kremrat e diellit për foshnjat dhe fëmijët.