Nga: Mr.ph Laureta Berisha Kosumi – Farmaciste
Shumë nëna gjidhënëse na drejtohen në barnatore për të marrë produkte për stimulim të qumështit të gjirit. Mirëpo, a kanë vërtetë furnizim të ulët të qumështit të gjirit apo shumëherë e mendojnë se po të marrin ndonjë produkt që shton sasinë e qumështit të gjirit, foshnja e tyre do të jetë më e qetë dhe do të shtojë më shumë në peshë.
Fillimisht, nëse fëmija juaj shton peshë në mënyrë të duhur vetëm me qumësht gjiri, ju NUK keni nevojë për marrje të produkteve të tilla, përkundër që ju duket se nuk keni mjaft qumësht.
Nëse foshnja juaj lagë në numër të caktuar të pelenave gjatë ditës, është gjithçka në rregull me furnizimin tuaj me qumësht gjiri.
Shumë nëna bëjnë vlerësime të gabuara për të përcaktuar sasinë e qumështit të gjirit, siq janë mendimet se shpeshtësia e lindjeve, sasia e qumështit pas pompimit, ndjesia e rrjedhjes së qumështit të gjirit etj, janë indikator se a kanë apo nuk kanë mjaftueshëm qumësht gjiri.
Shumë nëna madje në ditët e para pas lindjes së foshnjës, kërkojnë qumësht formulë për të voglin e tyre, madje është shqetësuese insistimi i bashkëshortit dhe familjarëve (kryesisht nëna e bashkëshortit) në marrjen e qumështit formulë për foshnjën, përkundër dëshirës dhe nevojës së madhe të nënës për të ushqyer me gji foshnjën e tyre. Madje është shumë shqetësuese përshkrimi i qumështit formulë nga ana e mjekut, menjëherë pas lindjes së foshnjës. Në bisedë e sipër me nënat që drejtohen në barnatore, është e lehtë të binden dhe të vazhdojnë me gjidhënie pa shtuar edhe formulën, por kjo është mjaft e vështirë me familjarët tjerë.
Shumëherë nëna gjidhënëse mendon se rrjedhja e pakët e qumështit ose zbutja e gjirit, qon në mungesë të sasisë së qumështit të gjirit, mirëpo kjo nuk ka asnjë lidhje me furnizimin me qumësht gjiri, ngaqë rrjedhja e qumështit është e përshtatur me nevojat e foshnjës.
Shpeshherë ndodhë që pas pompimit të qumështit të gjirit dhe nxjerrjes së sasisë së vogël të tij, nëna gjidhënëse të nxjerrë konkluzë se nuk ka qumësht të mjaftueshëm. Kjo nuk është indikacion i sakt, pasiqë foshnja e merr sasinë e duhur të qumështit të gjirit, ndërsa pompa s’është tregues i saktë i sasisë poashtu edhe pompimi varet shumë nga lloji i pompës së përdorur.
Nëse vëreni që foshnja juaj nuk po shton por as nuk po humb peshë, duhet të bëni një konsult të afërt me pediatrin, meqënëse mund të jetë në pyetje ndonjë gjendje mjekësore.
Në rast se foshnja juaj ka nevojë për qumësht plotësues, më e mira që mund t’i ofroni është pompimi i qumështit të gjirit.
Çfarë mund të shkaktojë rënien e sasisë së qumështit të gjirit?
Ofrimi i qumështit shtesë
Nëse i jepni qumësht shtesë ( gjithmonë në rastet kur mirret nga mendimi se nuk ka nëna qumësht) kjo i jep sinjale trurit të mos prodhojë qumësht si më parë, ngaqë thithja nga foshnja bëhet në distanca më të mëdha kohore.
Dhënia e beberonit (shisheve)
Krahas gjidhënies shumë nëna ju japin fëmijëve të tyre edhe me anë të shisheve, qoftë qumësht shtesë ose të pompuar, kjo qon në rënie të sasisë së qumështit të gjirit, meqenëse foshnja e ka më të lehtë thithjen përmes shishes, duke marrë parasysh formën e saj. Kjo mund të shkaktojë probleme me marrjen në mënyrë të rregullt të qumështit të gjirit.
Mos ushqyeshmëria e duhur e foshnjës
Shumë nëna gjidhënëse nuk i ushqejnë foshnjat e tyre natën, kjo qon në rënie të furnizimit me qumësht gjiri. Pra, foshnja duhet të ushqyer së paku çdo 2 orë gjatë ditës dhe së paku çdo 3 orë gjatë natës.
Shkurtimi i gjatësisë së gjidhënies
Ndalimi i ushqyerjes para se fëmija juaj të përfundojë ushqyerjen vetë, mund të ndërhyjë në ciklin e gjidhënies.
Shëndeti i foshnjës
Shëndeti ose problemet anatomike të foshnjës mund të parandalojnë që foshnja të largojë qumështin siç duhet nga gjiri, duke zvogëluar kështu furnizimin me qumësht.
Shëndeti i nënës
Anemia e pakontrolluar ose hipotiroidizmi, dëmtimi i mëparshëm i gjirit, problemet hormonale, marrja e barnave, pirja e duhanit etj, e ulin furnizimin me qumësht gjiri.
Si të rrisim sasinë e qumështit të gjirit?
Për të rritur prodhimin e qumështit të gjirit, kryesorja është që të hiqni më shumë qumësht nga gjiri dhe në mënyrë të shpeshtë. Kjo arrihet së pari me ushqyeshmëri të drejtë të foshnjës.
Poashtu mund të merrni galaktogog (suplemente ose bimë që mirren pa recetë për stimulim të qumështit të gjirit) në barnatore, kjo mund të rrisë furnizimin me qumësht gjiri. Tek ne janë disa lloje të tyre:
Lactinatal
Stimulon prodhimin e qumështit të gjirit
Ndihmojnë në mirëmbajtjen e shëndetit të gjirit gjatë procesit të gjidhënies
Ndihmon për të larguar shqetësimet shkaktuar nga ngërçet e barkut si te nëna ashtu edhe te foshnja.
Përdoret 2 deri në 3 kapsula në ditë dhe nuk ka efekte anësore të provuara.
Piulatte plus përdoret për të stimuluar qumështin e gjirit te nënat gjidhënëse.
Përdoret 1 qese në ditë, mundësisht pasdite, rreth 1 orë para ose pas ushqimit.
Çaj për stimulim të qumështit të gjirit
Stimulon qumështin e gjirit dhe ndihmon për të mbuluar kërkesën e rritur të lëngjeve gjatë ushqyerjes me gji.
Ushqimi më i mirë për fëmijën është qumështi i gjirit, dhe mënyra më e mirë për ta ushqyer atë është gjidhënia./Familjadheshendeti.com