Brikena Krasniqi Hoti- Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë
Është dokumentuar gjerësisht përmes hulumtimeve shkencore se ka dallime gjinore në prevalencën e depresionit, ku femrat janë dy herë më të rrezikuara nga depresioni se sa meshkujt. Ky rrezik ekziston pavarësisht nga raca ose përkatësia etnike. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se meshkujt nuk janë të prekur ose të rrezikuar nga depresioni.
Është e rëndësishme të mos e konceptualizojmë depresionin vetëm si çrregullim emocional prej të cilit preken femrat, sepse kjo qasje mund të bëjë që meshkujt të hezitojnë më shumë të kërkojnë ndihmë kur kanë nevojë. Të gjithë mund të prekemi nga depresioni, pavarësisht moshës apo gjinisë.
Megjithatë ka disa faktorë që i bën femrat më të rrezikuara se sa meshkujt.
Arsyet nuk janë plotësisht të qarta, por mendohet të jenë pjesërisht biologjike, pjesërisht psikologjike dhe pjesërisht socio kulturore.
FAKTORËT BIOLOGJIK
Krahasuar me meshkujt, femrat janë më të nënshtruara ndaj luhatjes së niveleve të hormoneve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kohën e shtatzënisë, lindjes së fëmijës dhe menopauzës, të cilat janë faktorë rrezikues për zhvillimin depresionit. Hormonet seksuale femërore si estrogjeni dhe progjesteroni, ndikojnë në sistemin e neurotransmetuesve, atë neuroendokrin, dhe sistemin cirkadian (ora e brendshme në organizëm që lidhet me gjumin dhe pushimin), të cilat janë të përfshira në luhatjet e disponimit dhe rrjedhimisht në çrregullime emocionale.
Edhe pse menopauza është një kohë kur rreziku për zhvillimin e depresionit të femrës bie, periudha e para menopauzës është një faktor më i lartë rreziku, sidomos tek personat që kanë pas më herët një episode depresioni ose faktor të tjerë rrezikues. Luhatjet e disponimit janë shumë të zakonshme në periudhën e para menopauzës, dhe depresioni dhe ankthi janë shumë të zakonshme në këtë periudhë.
FAKTORËT PSIKOSOCIAL
Femrat janë më të hapura emocionalisht dhe flasin më lehët për ndjenjat e tyre. Për këtë arsye edhe e kanë më lehtë të kërkojnë ndihmë dhe të konsultohen me mjek apo profesionistë të shëndetit mendor. Kjo mund të ketë ndikuar që numri më i madh që kërkojnë ndihmë për depresion janë femrat se sa meshkujt.
Dallimet gjinore në stilet e ballafaqimit me stresin apo vështirësitë e jetës.
Studimet tregojnë se femrat kanë tendencë të përdorin një stil ballafaqimi më të fokusuar në ndjenjat emocionale, duke i shtjelluar dhe vlerësuar vazhdimisht problemet e tyre në mendjen e tyre dhe me tendencë vetëfajësimi, ndërsa burrat kanë tendencë të përdorin një stil më të fokusuar në zgjidhjen e problemit, apo fokusohen në strategji që do t’i ndihmojnë ata të zgjidhin apo harrojnë problemet e tyre. Në të kundërtën, burrat kanë më shumë gjasa të reagojnë në kohë të vështira me zemërim, agresivitet ose keqpërdorim substancash.
Ky faktor kontribuon më shumë në cënueshmërinë më të madhe të femrave ndaj depresionit.
FAKTORËT SOCIOKULTUROR
Të ndikuar nga aspekti socio kulturor, femrat janë nën stres më shumë se meshkujt. Jo vetëm që ato duhet të shkojnë të punojnë ashtu si meshkujt, por gjithashtu nga ato pritet që të mbajnë peshën e mbajtjes së një shtëpie, të rrisin dhe edukojnë fëmijët, të kujdesen për të afërmit e moshuar (duke u ballafaquar edhe me diskriminimin gjinor në mjedise të ndryshme), ndërsa nga meshkujt pritet vetëm që të sigurojnë “bukën e shtëpisë”.
Depresioni është një sëmundje apo çrregullim serioz, që ndikon negativisht në mënyrën se si ndjehemi, mënyrën se si mendojmë dhe si veprojmë. Depresioni shkakton ndjenja të pikëllimit ose humbje të interesit në aktivitetet e mëparshme. Kjo mund të çojë në një sërë problemesh emocionale dhe fizike dhe mund të ulë aftësinë e një personi për të funksionuar në punë dhe në shtëpi.
Simptomat e depresionit mund të ndryshojnë nga të lehta në të rënda dhe mund të përfshijnë:
Ndjenja e mërzis, trishtimit apo pikëllimit
Humbja e interesit ose kënaqësia në aktivitetet që të gëzonin më parë
Ndryshimet në oreksin – humbje ose shtim në peshë
Pagjumësi ose duke fjetur shumë
Humbja e energjisë ose lodhja
Irritueshmëri
Rritja e aktivitetit fizik pa qëllim (p.sh., shtrëngim i duarve ose nuk të zënë vendi vend; ose ngadalësimi i lëvizjeve dhe fjalëve
Ndjenjë të pavlefshmërisë ose ndjenja e fajësisë
Vështirësi në përqendrim ose marrjen e vendimeve
Mendime për vdekje ose vetëvrasje
Simptomat duhet të zgjasin të paktën dy javë, në pjesën më të madhe të ditëve, për një diagnozë të depresionit. Duhet të kërkohet ndihmë profesionale, atëherë kur e shohim se çkado që bëjmë vet, nuk po na ndihmon, sidomos kur depresioni është shfaqur më shumë se një herë gjatë jetës./Familjadheshendeti.com