Të gjithë prindërit duan që fëmijët e tyre të arrijnë qëllimet e veta dhe të gjejnë lumturi, por hulumtuesit nga Universiteti i Harvardit besojnë se ka disa strategji përmes të cilave me ndihmën e prindërve fëmijët mund të rriten në ato personalitete që ata dëshirojnë të bëhen. Gjeni më poshtë gjashtë këshillat praktike:
Dilni sa më shpesh me fëmijët tuaj
Ky është themeli i çdo gjëje. Kaloni kohë të rregullt me fëmijët tuaj, pyesni hapur për atë që ata janë të interesuar, pyesni se si ata përjetojnë botën rreth tyre dhe dëgjoni me kujdes përgjigjet e tyre. Jo vetëm që do të mësoni për të gjitha gjërat që fëmijën tuaj po e bën të veçantë dhe unik, por gjithashtu përmes kësaj ju do të bëni me dije se është mirë të tregoni interes dhe preokupim për personin tjetër.
Nëse diçka është me rëndësi, thuajeni atë me zë të lartë
Sipas studiuesve, “edhe pse shumica e prindërve dhe kujdestarëve thonë se kujdesi për fëmijët është gjëja primare, fëmijët e vegjël shpesh nuk janë të vetëdijshëm për këtë.” Prandaj, mbani në mend se disa gjëra të rëndësishme duhet t’i flisni me zë para tyre. Nëse diçka është e rëndësishme për ju, jini në kontakt me mësuesit, kujdestarët, trajnerët në mënyrë që edhe ata të jenë në dije për këtë.
Nxitni fëmijët tuaj
Nëse fëmija juaj dëshiron të heqë dorë nga ndonjë prej aktiviteteve sportive ose ndonjë aktiviteti tjetër për ndonjë arsye, nxiteni që të identifikojë burimin e problemit që ai ose ajo i ka referuar dhe shqyrtojeni situatën së bashku. Në këtë mënyrë ju mund t’i ndihmoni të kuptojë se heqja dorë nga diçka nuk do ta zgjidhë problemin.
Zhvilloni te fëmijët tuaj ndjenjën e falendërimit
Hulumtimet tregojnë se njerëzit që kanë zakon të shprehin falënderim janë përgjithësisht më bujarë, më pak egoistë, të mëshirshëm, dhe dinë të falin. Prandaj është mirë që prindërit të insistojnë që të vegjlit e tyre të ndihmojnë dhe të lavdërojnë njëri-tjetrin gjatë ditës. Ndërkaq, kur bëhet fjalë për shpërblimin e sjelljeve “të mira”, shkencëtarët rekomandojnë që prindërit të lavdërojnë vetëm vepra të pazakonta të mirësisë.
Gjeni se cilat janë idetë destruktive te fëmija juaj
Ndihmoni fëmijën tuaj që në zgjidhjen e konflikteve të ndryshme të njohin emocione të ndryshme negative – zemërimi, hidhërimi, turpi, zilia. Kjo do t’u mundësojë atyre që t’i menaxhojnë ato më lehtë, nëse mësojnë t’i njohin me kohë.
Nxitni ndjeshmërinë te fëmijët tuaj
Pothuajse të gjithë fëmijët bashkë-ndjejnë me rrethin e ngushtë të familjes dhe miqve të tyre, thonë studiuesit. Truku është që të kujdesen për të gjithë në mënyrë të barabartë. Kjo mund të arrihet duke i mësuar ata që të jenë dëgjues të vëmendshëm, duke “vënë veten në këpucët e të tjerëve” si dhe duke inkurajuar ndjeshmërinë kur të dëgjojnë ndonjë lajm në televizion.
Përshtati: Jeton Zenuni / FamiljadheShëndeti