Pure me banane dhe karrotë, recetë për foshnja +7 muajsh

Nga Dr.Ismail Lutolli specialist Pediatër
subspecialist Dijetolog-Nutricionist

Pureja me karrota dhe banane është nga ushqimet mjaft të pranuara për foshnja në fillimin e ushqimeve të kombinuara me dy përbërës. Mjaft e thjeshtë dhe praktike për t’u përgatitur, por njëkohësisht ka mjaft vlera ushqyese për zhvillimin e duhur të foshnjës tuaj.

Duke qenë shija e ëmbël e përgaditjes e bënë edhe më të përshtatshme për dëshirën e bebit tuaj.

Përbërësit:
⦁ 1 banane;

⦁1,5 karrota (mesatare);

⦁ 4 lugë qumësht gjiri ose formule.

Përgatitja:

  1. Pas pastrimit të duhur e qëroni karrotën dhe priteni në katrorë të vegjël ;
  2. Në një tenxhere me 1,5 gotë uji, vendoseni karrotat për zierje derisa të zbuten (5 -8 min);
  3. Më pas e hiqni nga shporeti dhe e lini të ftohet rreth 5 min .
  4. Pas kësaj, e qëroni bananen dhe e prisni në disa copa dhe së bashku me karrotën i vendosni në blender për 2 minuta.
  5. Në fund të përgaditjes i shtoni edhe 4 lugë qumësht dhe vazhdoni ta bëni pure derisa të përfitoni një masë më kremoze.
  6. E leni te ftohet për 10 min dhe i ofroni foshnjës tuaj.

Pjesa teknike nga recetë:

Koha e nevojshme për përgatitje është 15 minuta.
Kjo është një recetë e përshtatshme për bebe + 7 muajsh.
Ruhet në mbajtëse hermetike për 48 orë në frigorifer.

Karrotat janë ndër burimet kryesore të vitaminës A e cila është e domosdoshme për shëndetin e syve, lëkurës, dhëmbëve dhe kockave.

Vitamina A ka një rol të rëndesishëm për rritjen normale të qelizave. Karrota përmban edhe vit K e cila luan një rol thelbësor në mbarëvajtjen e qarkullimit të gjaku dhe shëndetit të kockave. Karrota ndikon në forcimin e sistemin e imunitar përmes materieve ushqyese dhe antioksidues që ka. Konsumi i rregullt krijon mburojë imunitare mbrojtëse për foshnjën tuaj. Lëkura e karrotës përmban gjysmën e antioksidantëve që gjenden tek kjo perime e nëntokës. Nëse e keni prodhim nga kopshti juaj atëherë lëkura duhet vetëm të pastrohet por jo edhe te heqet komplet .Kuptohet nëse i keni të blera duhet patjetër të qërohet edhe lëkura.

Bananja, nga pikëpamja ushqyese janë një burim i mirë i kaliumit, magnezit, selen, zink, fibra, acid folik, kompleksin e plotë të vitaminës B, A dhe C.

Janë të pasura gjithashtu me antioksidantë, të cilët ndihmojnë dhe mbrojnë organizmin nga veprimi i radikaleve të lira dhe ndihmon në parandalimin e inflamacioneve. Një banane mesatare (rreth 126 gram), përmban 450 mg kalium, 30 gram karbohidrate, 3 gram fibra, 19 gram sheqer dhe 1 gr proteina.

Edhe bananet, ashtu si karrotat, luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shikimit pasi përmbajnë vitaminë A, një subtancë esenciale për sytë. Konsumi i bananes ndihmon kundër kapsllëkut. /Familjadheshendeti.com