Receta për fytyrë te pastër, të bukur dhe pa akne

Shkruan: Dr.Ismail lutolli subspecialist Dietolog-Nutricionist

Bashkautore: Samire Ademi Lutolli – Specialiste Gjinekologji/ Obstetrikë


(avokado, mjaltë, jogurt dhe vaj jasemini) 


Dëshironi lëkurë të pastër, pa akne dhe shpesh i’u lind pyetja: A është e mundur kjo?

Kujdesi për lëkurën e fytyrës ngelet një ndër pjesët më të rëndësishme të shëndetit tonë. Është pjesa e kontaktit me të tjerët, pjesa që na bën shpeshherë të mos ndjehemi mirë.Prezenca e akneve, rrudhave të shprehura por edhe skuqja e infeksionet lokale të lëkurës së fytyrës, shpeshëherë rrënojnë ëndrrat e secilit nga ne për tu dukur dhe ndjerë mirë.Një lekurë e shëndetshme nënkupton më shumë vetëbesim, garanton një pamje estetike të bukur të fytyrës dhe përmirëson ndjeshëm pamjen tonë.Për të pasur lëkurë të shëndoshë, duhet kohë pas kohë edhe ta trajtoni në mënyrë efikase me ndonjë maskë.Kësaj radhe po sjellim para jush recetën e maskës e cila preferohet që të bëhet në kushte shtepiake dhe me gjëra natyrale.Kjo është receta e maskës me avokado, mjaltë, jogurt dhe vaj jasemini.Recetë mjaft efikase për të rikthyer shkëlqimin e lëkurës së fytyres dhe për të riparuar pjesëzat e dëmtuara të lëkurës, aknet e rrudhat e theksuara. 

Përbërësit: 

½ e avokados pa lëkurë

2 lugë mjaltë 

2 lugë jogurt 

5 pika vaj jasemin 

Përgaditja


1. Pasi të keni pastruar dhe larguar lëkurën, përdorni një pirun për të shtypur avokadon. 

2. Më pas shtojini 2 lugë mesatare mjaltë.

3. Shtoni edhe dy lugë jogurt. 

4. Shtoni edhe 5 pika vaj jasemin.

5. Përzijeni për 2 min me anë të pirunit derisa masa të bëhet kremoze.

Përdorimi:

Pasi keni bërë lyerjen e plotë të fytyres, lëreni për 25-30 min. Pas kësaj kohe shpëlajeni fytyrën me ujë të ngrohtë. Mund ta aplikoni 2 herë në javë për 1 muaj.

Dobitë shëndetësore: 

Avokado – Është i vlerësuar kryesisht për shkak të faktit se përmban vitaminat C, E, A, yndyrna të shëndosha dhe antioksidantë, në këtë mënyrë e ndihmon lëkurën të pastrohet dhe të jetë shumë e butë, gjithashtu ndihmon procesin për prodhimin e kolagjenit dhe rigjenerimin e qelizave të lëkurës.

Mjalti – Mjalti përmban enzime, veti natyrale antibakteriale dhe probiotikë që janë të mirë për lëkurën, pastrojnë lëkurën, gjithashtu ndihmojnë në zvogëlimin e akneve. Mjalti ndikon për largimin e baktereve të dëmshme nga lëkura e fytyrës, pa e zhveshur lëkurën nga vajrat e veta natyrale.Mjalti ka efekt tek të gjitha llojet e lëkurës në tërë procesin e e balancimin e lëkurës vajore si dhe në lagështimin e lëkurën së thatë.

Jogurti – Përmban shumë kalcium dhe zink, gjëra të cilat e mbrojnë lëkurën nga bakteriet e ndryshme dhe e pastrojnë atë.

Vaji Jasemine – Vaji i kësaj bime është një hidratues shumë i mirë i lëkurës suaj.Vaji ka edhe dobi tjera shëndetësore: lufton rrudhat, skuqjet e lëkurës ,shërben si një ilaç natyral për të kuruar lëkurën e fytyrës. /Familjadheshendeti.com